DËBORA MBULON TRIESHIN NË PRANVERË!
Nga Gjon GJOKAJ

Pavarësisht stinës së pranverës, gjatë ditës sotme reshjet e dëborës, si jo rrallë herë, stolisën me petkun e vet lokalitetin e Trieshit, pjesën më veriore të territoreve shqiptare.
Trieshi, kjo zonë malore që shtrihet përballë Bjeshkëve të Nëmuna dhe fshatit të Brojës së Kelmendit përtej kanionit të lumit Cem, shpeshë herë përballej me të reshura dëbore në stinën e Pranverës.

Për ata që kanë harruar, ju kujtojmë se rreth dy dekadave më parë, Trieshi ishte mbuluar me dëborë edhe në fund të sezonit të pranverës.

Për dimrat dhe motin e ashpër në Triesh, ekziston një legjendë gojëdhënore që është përcjellë me përpikëri nga prindërit tanë.

“Një vit drejt fundit të shek. XIX, e Diela e Pashkëve kishte rënë heret në pranverë, diku drejt fundit të marsit. Sipas të dhënave gojore atë vit dimri kishte qenë i butë pa asnjë acar.

Besimtarët e krishterë trieshian festonin festën e Pashkëve, me një rit tradicional i praktikuar gati dy mijë vjet më parë.

Malësoret trieshian kishin dalë në Kishë për Ditë të Pashkëve. Si zakonisht kjo feste kishte edhe bukuritë e veta; si dhuratat(peshqeshet) e grave që u ndanin të afërmve të tyre, dhe vezët(vét) e ngjyrosura(bojueme), që më së shumti gëzonin fëmijët, por edhe të rriturit njëlloj.

Të Dielën e Pashkëve, përveç festimit të Meshës së Shenjtë në qendër të vëmendjes ishte Logu i Bukurisë, ku zgjidhej nusja më e bukur e vitit.

Krahas të gjitha këtyre gjërave, para Kishë së Trieshit egzistonte edhe vendi i zbukuruar me gurë ku rrinin trimnia e Trieshit, që quhej “tëja e krenve të vëtit”, ku zhvillonin muhabet të matur tye shëndrrua kutijat e duhanit.

Një burrë i moshuar, që ishte i njohur në Triesh si plak i mençur(urtë) e fjal pak, i quajtur Ulë Gjeloshi(Gjokaj), dëgjonte trieshianët që flisnin për ditën e bukur të Pashkëve dhe motin e bukur në vazhdim, duke u shorehë;
“për tën’zonë ka shti dimni sivjet”.

Thonë se Ula që ishte i ulur në mesin e tyre nuk foli asgjë, por kur u ngritë me shkuar në shtëpi, me gjysëm zëri përshpëriti,
”për tën’zonë dimni nuk ka krye pa e pa Majen e L’mueme të zabardhun edhe shtatë herë”.

Ata që nuk dëgjuen fjalët e plakut, pyetën, “çka tha Ula, çka tha Ula…”. Dikush i përsëriti fjalët e tija, ndërsa dikush tjetër tha;
“Ula asht plak e i kanë ra trut në qaf”.

Kështu përfundoi bashkimi i kësaj feste para Kishës së Trieshit, dhe njerëzit u ngritën dhe shkuan në shtëpitë e tyre.

Sipas dëshmive të lartpërmendura, dimëri i vështirë ishte kthyer atë vit në Triesh, pranvera ishte vonuar dhe mali ishte prish nga krimbat.

Ata që i kujtuan fjalët e Ulës, vërtetuan pohimin se Maja e L’mueme (Suka), një mal i lartë në pjesën perëndimore të Trieshit, u zbardh shtatë herë pas Pashkëve”!

G.G.

Fotografia e Gjon Gjokaj
Fotografia e Gjon Gjokaj
Fotografia e Gjon Gjokaj
Fotografia e Gjon Gjokaj