Shtrirja e shtetit serb të Stefan Nemanjës në territoret që sot përbëjnë Malin e Zi, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë të shekujve VI-VII. Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetuan dhe grupe të vogla të banorëve të romanizuar, të përmendur edhe nga historiani – perandor Konstandin Porfirogjeneti në shekullin X. Për rrjedhojë, në shekullin XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Gjithsesi, gjatë gjithë Mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët), etj., njihen si shqiptarë. Sipas Edit Durham: “E thëna e përsëritur shpesh sikur Mali i Zi është themeluar prej refugjatëve serbë të Kosovës, është me të vërtetë një mit, mbasi beteja e Kosovës u bë një shekull më parë dhe pikërisht më 1389. Si përfundim, malazezët janë më tepër boshnjakë, hercegovinas, shqiptarë sesa serbë prej Serbie. Gjatë periudhës së sundimit serb të Zetës ndodhi procesi i sllavizimit fetar e onomastik të popullsisë shqiptare të besimit katolik dhe atij ortodoks bizantin të viseve veriore dhe verilindore shqiptare, atje ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Një pjesë e popullsisë shqiptare të këtyre trevave, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë filluan procesin e asimilimit kulturor dhe fetar.

Në mjaft treva, ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqëve osmanë…Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe më vonë, duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tëra shqiptare. Në librin ” Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, Edit Durham shkruan: “ Palabardhët (Bjelopavliçët), Piperët, Kuçët, Vasojeviçët e tjerë, ku të gjithë këta popuj e troje ishin safi shqiptarë, si dhe të besimit katolik, dalëngadalë, për të shpëtuar fenë e krishterë, kishin pranuar të kthehen në ortodoksë”. Dhe diku tjetër thotë: “Rusia dhe Austria arritën njërën nga “marrëveshjet” e tyre të shumta dhe së bashku i shpallën luftë Turqisë me 1788, duke deklaruar se qëllimi i tyre ishte ti jepnin fund sundimit të Sulltanit. Bashkërisht ato nxitën malazezët të krijonin incidente kufitare me Turqinë. Mirëpo, me që nuk u besonte malazezëve i dërguari austriak shkruante: “Ne mund të mbështetemi shumë më fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë të Bërdes, tek ata që janë të shumtë në numër, si Bjelopavliçët, Piperët, Kuçët, Vasojeviçët, si dhe te malësorët e Kelmendit, Hotit e tjerë, që mund të nxjerrin një forcë prej 20 mijë luftëtarë të fortë e shumë më trima se sa malazezët”. Edhe Nicola Jorga i përmend këto fise si shqiptare. Sipas tij “në shekullin XIV-XV në Zetën e Sipërme dhe atë të Poshtme ekzistonin disa fise të fuqishme, siç ishin Gjurash – Cernojeviqët, Hotët, Piprët, Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Biellopavliqët, Kastratët, Bitidosët, Krajinët, Pastroviqët, etj, të cilët konsideroheshin në mënyrë eksplicite si fise shqiptare”. Të njëjtin mendim ka dhe historiani ynë Pëllumb Xhufi.

Një pjesë e konsiderueshme e malazezëve të sotëm kundërshtojnë idenë se janë serbë dhe në vend të kësaj pretendojnë se janë një grup etnik i ndarë me origjinë të përzierë sllavo-shqiptaro-vllahe, duke theksuar rëndësinë e historisë divergjente të Malit të Zi. Kundërshtarët më të ashpër shkojnë dhe më tej, duke thënë se “malazeztë nuk janë sllavë, por pasardhës të ilirëve të vjetër”, duke e parë origjinën e tyre larg në thellësi të kohës.

Gjuraj – Cernojeviçët në historinë shqiptare
Gjuraj – Cernojeviçët ishin një fis dhe si i tillë, patën shumë familje që jetuan në mjedise të ndryshme historike dhe fetare, duke bërë që një pjesë e tyre të mbeteshin ortodoksë, siç kishin qenë në origjinë dhe pjesa tjetër u konvertuan në katolikë. Por, meqenëse ortodoksia në trevat veriore dhe verilindore shqiptare u monopolizua nga kisha serbe që u ngrit deri në rangun e Patriarkatit, ortodoksët shqiptarë në veri nën presionin e kishës serbe dhe të sundimtarëve serbë u sllavizuan, shpëtuan vetëm ata që u konvertuan në katolikë. Kjo është arsyea që sot Gjurajt i kemi “sllavë” dhe shqiptarë. Burimet veneciane sugjerojne se emri Cërnojeviç është përkthimi sllavisht i emrit shqiptar Gjuraj dhe shpesh u referohen me këtë emër. Këtë praktikë e kanë ndjekur dhe disa studiues malazezë. “Jurasheviç nuk dëshironte t’i dorezohej Despotit serb dhe as venedikasve. (Glasnik 14, Miklosic, f.52). Duke folur për Arqipeshkëvinë e Tivarit, ndër të tjera, autori Gjokë Dabaj citon një burim nga “Историја Цернагорa 2“, sipas të cilit “një i deleguar i Kotorrit i quan Cërnojeviçët arbërorë, për t’i dalluar prej serbëve të Bosnjës dhe prej turqëve”.

Gjuraj – Cërnojeviçët i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe më pas i shtrinë edhe në Gentë. Ata u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër Despotatit të Rashës që synonte pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Gjatë viteve 1451-1465, principata e Cërnojeviçëve përjetoi kulmin e lulëzimit dhe të zgjerimit të saj drejt Lindjes. Qendër politike dhe administrative e saj u bë Zhabjaku buzë liqenit të Shkodrës.

Në kushtet e pushtimit osman, Gjuraj – Cernojeviçët mbajtën anën e venedikasve dhe në vitin 1455 u bënë vasalë të Republikës së Shën Markut.
Në pamundësi t’u rezistonin forcave të shumta osmane, Cërnojeviçët braktisën luginën pjellore të Zetës dhe u tërhoqën në mes të fshatrave, në brendësi të maleve mbi Gjirin e Kotorrit. Këtu në një rrafshnaltë rrethuar me kodra vetëm prej guri, ndërtuan një manastir dhe themeluan Cetinën, qendrën e ardhëshme të Mbretërisë. Prej Cetine, ata organizuan rezistencën kundër otomanëve, por përballë ushtrive të mëdha turke u detyruan të kalonin në Venedik. Me largimin e tyre, rajoni rreth Cetinës, i njohur në mbarë Ballkanin për rezistencën e tij, më në fund ra nën sundimin osman.
Parë në retrospektivë, ngjarjet kryesore të periudhës së Cërnojeviçëve: betejat kundër osmanëve, largimi prej ultësirës pjellore për në malet e egra, themelimi i një kryeqyteti të ri me metropolinë e vet ortodokse. etj, japin material të mjaftueshëm për ndërtimin e historisë së Malit të Zi. Gjuraj – Cërnojeviçët në atë periudhë ishin fisnikë lokalë dhe veçoria kryesore identitare e tyre ngjan të ketë qenë, në radhë të parë ortodokse. Banorët që populluan Malet e Zeza, pavarësisht etnisë së tyre, i ndoqën nga pas dhe i njohën si princa të tyre. Vendet në të cilat u tërhoqën zetanët ishin të pakapëshme me shkëmbinj dhe të dominuara gjërësisht nga eponomi Mali i Zi. Për katër shekuj, në vijimësi, karakteri fizik i atij mjedisi ndikoi në mënyrën e jetesës së banorëve dhe historinë politike të vendit. Mbështetur në burime serioze historike, historiografia shqiptare i ka trajtuar Gjuraj – Cërnojeviçët si shqiptarë dhe ka pasqyruar hollësisht veprimtarinë e tyre. Kështu, kur flitet për mosmarrëveshjet midis Balshajve dhe venedikasve, në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave shkruhet: ”Republika e Shën Markut vazhdonte të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte fshehurazi një grupim kundërshtar të Balshajve me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. (Skënder Anamali, etj. Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi i parë, botim i Akademisë së Shkencave, shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2002, f.301). Po kështu, duke folur për luftën e dyerve të mëdha shqiptare kundër sundimit serb, po në këtë libër shkruhet: “Përballë fuqisë së papërballueshme osmane, një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim t’i rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë, zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën, Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët, etj”. (Skënder Anamali, etj. Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi i parë, botim i Akademisë së Shkencave, shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2002, f.313).
Gjuraj – Cernojeviçët dalin si familje sunduese në periudhën e Mbretërisë Serbe prej vitit 1326 deri në vitin 1362 dhe pastaj prej vitit 1403 deri në vitin 1515. Principata e tyre në shekujt XIV-XV u shtri në malsinë midis Grykës së Kotorrit dhe qytetit bregdetar të Budvës. Personaliteti më i shquar i saj konsiderohet Stefani, i cili në vitin 1444, së bashku me djemtë Gjergjin dhe Gjonin (Ivani) morën pjesë në Lidhjen e Lezhës. Gjuraj-Cërnojeviçët kanë bërë disa lidhje martesore me familje princërore shqiptare. Stefani u martua me Marën, vajzën e Gjon Kastriotit; Gojçini u martua me vajzën e Koja Zaharisë; Gjuragji me Nora Komnenën; Ivani me Gojslavën, motrën e Gjergj Arianitit; Gjon Cërnojeviçi u martua me Vojsavën, vajzën e Skënderbeut. Marrëdhëniet e Gjuraj – Cërnojeviçëve me princat e tjerë shqiptarë duhen parë si lidhje të natyrëshme që vijnë jo thjeshtë prej afërsisë gjeografike, pasi si faktor me rëndësi i këtyre lidhjeve ishte dhe përkatësia e përbashkët etnike.