Për herë të parë në jetë kravatën e kam parë në qafën e mësuesit tim, në shtatorin e vitit 1960. Një muaj më vonë, kur na e sollën Abetaren, në faqen e tretë ishte një njeri me syza dhe me kravatë veçse, ndryshe nga e mësuesit, diku nga mesi kishte një mbërtheckë metalike. Në fund të gjysmëvjetorit mezi ia lexuam emrin: Josip Broz Tito, ngaqë z-në nuk e kishim mësuar ende.
Në Shkollën Normale në Prishtinë, kur erdhi fundi i vitit të pestë dhe duhej të mbanim praktikën e mësimdhënies, doemos që duhej ta vënim kravatën. Sekush seku e gjeti një dhe gjithë klasa e përdorëm me radhë.
Më 1973 para se të nisja punën e arsimtarit në katundin tim, në një dyqan tekstilesh bleva një këmishë që vinte detyrimisht me kravatë. Kravata e vetme që kam blerë gjatë gjithë jetës, veçse ajo tashti mungon në koleksionin tim prej 130 sosh.
Gjithë kjo hyrje për hiçgjë, sepse legjenda për kravatën u stis me një ish-kryeministër që trefishoi rrogën e vet se duhej blerë kravata. Edhe për mua qe një ngasje t’i futësha biznesit me një goxha kapital prej aq kravatave të dhuruara që kisha. Po s’qe e thënë. S’isha i prerë për atë dalldi.
Legjendën e kravatës e ndërthurën më tej portalet, mediet, forumet e të tjera kur e panë të shfaqej edhe në qafën e Albin Kurtit. Sa e vuri ai qitën e thanë: keni për të parë tani! S’dihej në ishte fjala për mirë a për keq.
Albini u bë kryeministër dhe përgjysmoi pagën e vet. Si duket, edhe ai si unë, paska pasur shumë kravata të dhuruara!
Grenellin e pashë një pasdite në takim me presidentin tonë pa kravatë.
Ç’shenjë të jetë kjo?
Ç’shtjellë do të marrë tutje legjenda për kravatën?