At natë, po këndohej “Kur ta këtheva Kosovë shpinën”, por zani i rapsodit s’po ndëgjohej. Dhe s’kishte se si, se ai, ishte n’karantinë me popullin, e sharkisë tij po ia xiglojshin telat deputetët e çuem peshë!
Ia kishin këthye shpinën Kosovës e popullit, e po flisnin për heroizmin e tyne, që, me gjithë rrezikun e madh nga mortaja, e kishin marrë guximin me shkua n’Parlament, me i djegë dy shtrigana e shtatë million euro t’popullit, tue rrëzua vetvetën!
Po pra, ishin ardhë trimat prej kahmosit! Prej Gllogjanit, Berishës e Çyçavicës!
Ishte dridhë toka atë natë ore! Kishte ra shi i kuq me shekë!
Ishte përmbytë nga vërshimet vendi! Ishin rrafshua pesë katunde atë natë!
Deputetët, e kishin harrua rrezikun nga vdekja, duhej me gjetë fajtorin, dorën e fuqishme t’asaj hataje, e me linçua, për hatër t’atdheut!
Kështu, kishin ba shokët e tyne, dy vite para, kur n’gjysë t’natēs, nëpër tymë baroti, kishin shkua, e n’shpinë marrë i kishin Zhleb e Çakorr, e çua i kishin n’Cetinë.
– Merri, se t’i çoi peshqesh Isa e Hashimi, me dorën e Ramushit, i kishin thanë Carit!
Për mos me hi n’gjynah, ata nuk kishin faj, sepse kallauzi i punëve t’mbrendshme, e kishte lëshua rrenën për bajlozin bolshevik, n’fund t’qytetit, e derisa kishte mbërri n’Bradash, i kishte besua rrenës se vet, e deputetët dy herë s’kishin mendua, por ishin turrë:
Vraponi burra, se paska dalë nji shejtan i kuq prej detit, e po don me na prishë me Amerikën. Turruni sokola e digjeni bolshevikun, se na ktheu n’Rusi!
Mos pyetni për çmimin, ate e paguen baba!
Asaj shtrigës, thejani fshisën, sa s’na ka fshi krejtve!
N’gastare i futni e çojani babës n’Prapashticë, se ai, ka me iu fry tri herë rreth kresë, e ka me i gjuejtë n’Bajë t’Siarinës me ua shpërla trunin!
Bile, deshti me iu thanë: N’tepsi i dua, si kryet e Karagjorgjit, me ia çua Vuçiçit!
Por, i ra n’mend Hashim Pasha, dhe u tut mos po idhnohet!
Natë shtrigash kishte qenë, e na kujtojshim se ishte natë pandemie!
Jo! Natë zjarresh kishte qenë!
Këta, t’maskuem mirë e me dorashka, që mos t’mbetën kurkun gjurmë fajesh, u turrën tue brohoritë: Kapeni shejtanin e kuq bolshevik!
Por, ai s’kapej, se ai ishin ata, e ata ishin populli, e populli çua e kishte djaloshin me folë n’emnin e tij.
E popullin ku me gjetë?
Kur edhe Zoti atë natë ndihmua i kishte kallauzit! Ia kishte futë n’birën e minit popullin.
Se, pandemi ishte, mortajë e ardhun nga larg! Nga Kina more, s’asht mahi!
Dhe e kapën ma n’fund shejtanin e kuq, që ishte kanë mëshef n’shpirtat e tyne!
E ndrydhën deri n’pëlcitje!
E vranë shejtanin në ndërgjegjën e vet, e thanë: Sa shumë na paska pasë mundua ky muej Ramazani. Gjithmonë asht kanë tridhetë ditë! Çka paska ndodhë me Madhninë e tij, që ketë herë e zgjati n’pesëdhetë?
Dhe kur u krye kanga “kur ta ktheva Kosovë shpinën”, e dulen jasht, gjetën borë, e fortë u mërzitën.
– Kemi pritë lule thanë!
Duroni pak u tha djaloshi, se lulet i gjeni n’zgjedhjet e reja!

Dardani, 27.03.2020