Unë e gjeta atë ulur në tavolinën tonë në barin në mes të qytetit tek diç i shpjegonte me duar dhe këmbë mikut tim. Ai ndaloi vetëm një grimë sa për të më lënë të kuptoj se mund ta ndiqja ç’po thoshte edhe pse nuk njiheshim…”I thashë Nanos se zgjidhja e vetme për krizën është të bëjë anëtarë të qeverisë të gjithë krerët e partive. Demokratët me Berishën ministër të marrin financat, republikanët me Mehdiun ministër të marrin ekonominë. Dulen e grekërve ta bëjë ministër drejtësie. Kjo do të jetë zgjidhja e Shqipërisë, zgjidhje tjetër nuk ka…”
Miku im e dëgjonte duke rrufitur kafen ndërsa ai vazhdonte:
” Takova Ramizin një ditë. I thashë troç, ti e ke fajin që janë lëmsh punët e Shqipërisë. Ta kishe vënë Berishën kryetar të PS dhe Nanon kryetar të PD. Flisnim bashkë tani se si do të ishte Shqipëria. Kishte hyrë apo s’kishte hyrë në Bashkimin Evropian”.
Ndërkaq kamarieri, që e di prej vitesh porosinë time, solli në tavolinë një kafe pa sheqer dhe një gotë ujë. Njeriu që gjeta në tavolinë, një burrë rreth moshës së mikut tim , pra tek të 60-tat vazhdonte.
“ Po të më kish dëgjuar Enveri ishte zgjidhur çështja e strehimit në Shqipëri atëherë dhe për 100 vjet të tjera. Bëj shtëpi i thashë, mos bëj bunkere. Dy dhoma e një kuzhinë, një bunker. 700 mijë bunkere bëri, 700 mijë shtëpi do kishim tani. S’më dëgjoi”.
Unë iu afrova tek veshi mikut tim dhe i thashë me marifet: Kush është ky njeri?- por mora si përgjigje një të shtyrë të lehtë si për të më thënë na ler ta dëgjojmë. Tjetri vazhdonte:
“ Kur më thërriti ambasadori amerikan para ca ditësh i kërkova që të më lërë ti them ca fjalë shefit të CIA-as, Xhorxh Tenetit kur të vijë në Shqipëri pas dy javësh..”Nuk qenka i çmendur kundërshtova veten time në mendimin që po më qarkullonte në mendje qëkur nisa të dëgjoj fjalitë e para të tij. Një i çmendur nuk do ta dinte atë lajm që ende nuk kish dalë nëpër gazeta dhe që mua ma kish thënë në konfidencë një korrespodent me pak mjekër i “Zëri të Amerikës” Nuk qenka i çmendur!Po ç’të jetë ky njeri i çuditshëm që paska patur e ka zgjidhje jo të keqija për Shqipërinë dhe më gjerë. Njifka edhe dreqin nga të mëdhenjtë e kësaj dhe asaj kohe…”…kur të vijë Tenet do t’i them të nxitojnë me dorëzimin e pushtetit të irakenëve se po vazhduan më gjatë do ta kujtojnë lule Vietnamin. Do i them ti thotë Bushit ti mbarojë këto punë të paktën tre muaj para zgjedhjeve se ndryshe do i ngjaj të atit. Vetëm një mandat do të gëzojë si president i Amerikës…” Në çast atij i ra zilja e celularit. Erdha, i tha dikujt në telefon, u çua me vrik dhe u largua duke na përshëndetur pa na dhënë dorën.
“ Ç’ishte ky njeri i çuditshëm? – e pyeta mikun tim që mori në dorë një gazetë nga karrigia pranë. – Përse i çuditshëm, analist si gjithë të tjerët, – m’u drejtua ai, vetëm se gruaja dhe fëmijët e kanë përzënë nga shtëpia qëkur i bindi fqinjët ti shisnin shtëpitë dhe t’i fusnin paratë në skemat piramidale. Ata rrinë dhe e presin atje që ta zënë dhe ta rrahin ndërsa ky lëviz sa nga një shtëpi në tjetrën e atyre që e besojnë për pak ditë si mik i të mëdhenjve….
Nga “Floke te lagur” mars 2005