Të nderuar miq! Ndoshta nuk është ndonjë gjë e madhe apo e panjohur për ju, por prej gati 6 vitesh kam heqë dorë nga ndjekja “fanatike” e lajmeve e sidomos jam larguar plotësisht bisedave në studio. Ndoshta jam i gabuar, por kam krijuar një përshtypje se ata kanë marrë përsipër të na manipulojmë mendjet dhe mendimet tona: kushtojnë disa emisioneve një minifundi të ngritur, e asnjë arsimit që vrapon në rrugën e paudhë, bujqësisë që e ka marrë rrugën e harresës, e tek tuk përmendin turizmin.

Por, në këtë situatë të pazakontë të krijuar nga shfaqja e COVID-19, kur jemi të detyruar të rrimë në shtëpi, kur duam të mësojmë ndonjë gjë në lidhje me zhvillimet e reja, kur presim me shpresë që mjekësia botërore, që kërkuesit shkencorë, kur ndihma e Zotit do të ndërrojnë rrjellën e ngjarjeve, duke na dhënë lajme të mira.
Mirëpo, me thanë të drejtën, jam mjaft i zhgënjyer. Ekranet na ofrojnë një kryeministër që flet si i ekzaltuar, e këtë shembull e ndjekin edhe gazetarët. Merret një vendim për kufizim, dhe kjo transmetohet si një “zbulim shkencor”, si një “çelës magjik” a si një “zgjidhje unikale”. Mirë, unë nuk e di sa mirë është një masë a një tjetër (pasi as nuk jam politikan, as nuk kam marrë pjesë në një pandemi më parë), por ajo që nuk më pelqen është ajo që më transmeton dritarja “e vetme” serioze-ekrani i televizorit: numër në rritje të infektuarish, numër alarmant vdekjesh në botë, “autoritet” policor e ushtarak në vend. Në rregull, njoftimi i parë shërbeu për sensibilizim e popullatës që të zbatojë rregullat, por tash po kthehet në të kundërtën: po e çmend këtë popull me “shumë energji:, që është i detyruar të rrijë brenda.
Unë nuk arrij ta kuptoj, garendjen e gazetarëve nga një rrugë në një tjetër, nga një qytet në një tjetër. Për çfarë? Për të na treguar (nuk e kuptoj a ne si popull apo urdhër dhënësit) se po zbatohet urdhëri për të mos dalë nga shtëpia. Pra, mbushen ekranet me kronika të rrugëve bosh. Bosh! Bosh!
Mendimi dhe thirrja ime është MJAFT! Tashmë e dimë se si duken rrugët bosh! Natyrisht që kjo situatë ka ardhë nga halli. Por mjaft! Këto rrugë janë ndërtuar për të na siguruar komunikimin! Tani ato duken të shëmtuara, madje disi të frikëshme.
Ndaj, i lutem redaktoreve të lajmeve, drejtuesve të televizioneve që të moderojnë këtë “paradë” që nuk na sjell ndonjë të mirë. Ju lutem, mjaftohuni me një kronikë të shkurtër, ose edhe pa të, ku të pohoni vijimësinë e respektimit të ndalim daljes jashtë derës së shtëpisë.
Po e shkruaj këtë edhe në kuadrin e orientimin e Top-channel se çfarë duan shikuesit, por thirrja është për të gjithë televizionet:
Ju lutem bashkëpunoni edhe me psikologë dhe me sociologë që të mund të shmangni sa të jetë e mundur, efektin bumerang që po bëni tek popullata me lajmet këto ditë.