Nuk ka derbi shqiptar në Ligën e Kombeve. Shqipëria dhe Kosova janë shortuar në grupe të ndryshëm për sezonin 2020-2021. Kuqezinjtë janë kokë grupi tek ai 4, ku do të përballen me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin. Kundërshtarë që kemi luajtur edhe në ndeshje zyrtare, por jo gjatë viteve të fundit.

Një short i lehtë në letër, por që duhet vlerësuar, pasi vendi i parë në grup vlen ngjitjen në një divizion më lart. Shqipëria ndodhet në grupin C dhe ka shansin të bëjë hapin përpara në Divizionin B.

Ndërsa Kosova pati një short më të vështirë pasi është në Grupin 3 së bashku me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë, kundërshtarë me të cilët nuk është përballur më parë. Dardanët patën një sezon të shkëlqyer në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, ku e mbyllën të parët.

Në Divizionin A ia vlen të përmenden sfidat Holandë-Itali, Angli-Belgjikë, Portugali-Francë apo Spanjë-Gjermani. Ndeshjet e Ligës së Kombeve do të nisin në Shtator të këtij viti.