Pas tre vjet e gjysmë bisedimesh të vështira dhe kaos politik që çuan në dorëheqjen e dy kryeministrave, Britania zyrtarisht do të largohet nga Bashkimi Evropian sot në orën 11 të mbrëmjes, sipas orës lokale në Londër. Mbështetësit e Brexitit po planifikojnë festime me këtë rast, por në Bruksel pati skena emocionale me largimin e ligjvënësve të fundit britanikë gjatë kësaj jave. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, 31 janari nuk është fundi i Brexitit, përkundrazi, ai thjesht shënon fundin e fillimit të largimit të Britanisë.

Anëtarët e Parlamentit Evropian i dhanë një lamtumirë miqësore 73 homologëve të tyre britanikë të mërkurën, pasi miratuan kushtet e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Deputetët britanikë që mbështesin Brexitin festuan ndërsa ktheheshin në atdhe.

“Ne po largohemi. Liri, demokraci, dhe vetëqeverisje. Ne kemi fituar!”, tha Nigel Farage, anëtar britanik i Parlamentit Evropian.

Të tjerët shprehën keqardhje.

“Të gjithë do t’i marrë malli për përfaqësuesit britanikë. Jo për të gjithë, për shembull, nuk mendoj se do të na mungojë zoti Farage, por të gjithë të tjerët, po”, tha Guy Verhofstadt, anëtar belg i Parlamentit Evropian.

Por me largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian në orën e fundit të së Premtes, a është tani e sigurt se procesi i Brexitit ka përfunduar? Ende jo, thotë ish ambasadori amerikan Charlie Ries, i cili punon në Korporatën RAND.

“Shumë njerëz besojnë se pas tre vjet e gjysmë debatesh mbi mënyrën se si duhet realizuar Brexiti, se gjithçka është zgjidhur. Procesi nuk ka përfunduar. Në fakt, diskutimet mbi dimensionet e marrëdhënies së re midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian sapo kanë filluar.”

Pasiguria e vazhdueshme gjatë këtyre negociatave do t’i kushtojë Britanisë 5.5 miliardë dollarë humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto vetëm këtë vit, sipas një raporti, bashkautor i të cilit është Charlie Ries.

Boris Johnson, i cili u takua me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo të enjten, ka përjashtuar zgjatjen e negociatave me Bashkimin Evrpian përtej fundit të vitit 2020.

“Sa më shpejt që ata ta realizojnë atë, aq më shpejt do të eliminohet pasiguria. Nga ana tjetër, nëse ata arrijnë një marrëveshje më të keqe me nxitim, atëherë ata mund të paguajnë një çmim më të lartë për një afat të gjatë për të zvogëluar pasigurinë në një afat të shkurtër”, thotë ambasadori Charlie Ries.

Kryeministri Johnson dëshiron marrëveshje të shpejta tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera jashtë Evropës.

“Çfarëdo që ata të fitojnë nga pjesa tjetër e botës nuk do të kompensojë kostot e daljes nga Bashkimi Evropian”, thotë ambasadori amerikan Charlie Ries.

Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Britani fillojnë bisedimet mbi të ardhmen e marrëdhënieve të tyre, shumë çështje mbeten të paqarta, përfshirë lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Shpresoj që negociatat nuk do të ndëshkojnë Francën, Kam miq dhe të afërm në Britani dhe nuk dua të aplikojë për vizë për t’i vizituar”, thotë studentja Adophine Nsimba.

Shenjat e hershme sugjerojnë se Evropa do të kërkojë qasje në ujërat e britanike për peshkim dhe garanci që Britania nuk do të ulë standardet e punës dhe mjedisit të Bashkimit Evropian, në këmbim të qasjes në Tregun e përbashkët të BE-së. Britania e ka përjashtuar një marrëdhënie të tillë të ngushtë.

“Tashmë ka filluar koha për afatin. Njëmbëdhjetë muaj është një periudhë kohore jashtëzakonisht e shkurtër”, tha Michel Barnier, kryenegociator i BE-së për Brexitin.

Vetë Britania po vihet nën tension gjithnjë e më të madhe, me Skocinë që kërkon një votë për pavarësi në mënyrë që të mund të anëtarësohet përsëri në BE.

Brexit do të festohet nga mbështetësit e saj me koncerte në Londër dhe qytete të tjera. Por 31 janari është vetëm fundi i kapitullit të parë në dramën e gjatë të Brexitit.