Kur po i lexoj në facebook komentet e disa miqve dhe kolegëve të mi, të cilat komente i ngrehin në qiell poezitë e dobëta dhe shumë të dobëta, duke i vlerësuar si poezi me vlera të larta, të jashtëzakonshme… po befasohem.
E kam fjalën për ata që deri diku e njohin poezinë dhe me vetëdije të plotë e shkruajnë atë që e dinë se nuk është ashtu. Nuk e kam lehtë as t`i kuptoj e le më t`i mirëkuptoj të tillët.
T`i shkruash fjalët më të zgjedhura dhe ta promovosh si vlerë një “poezi” te e cila nuk ka asgjë poetike, përveç renditjes në varg të disa fjalëve me përplotë gabime gjuhësore është mjerim. Hipokrizia nuk ka brirë dhe ajo më së paku i ka hije krijuesit. Duket që disa nga zemërgjerët për të shpërndarë lëvdata, mirënjohje dhe vlerësime pa mbulesë, facebookun e kanë kuptuar si një treg sui generis në të cilin gjithçka këmbehet.
 
Të tillët pëlqimet (liket), komentet nuk i bëjnë nga fakti se janë të bindur se poezia ose poezitë në fjalë i meritojnë, por i bëjnë që pëlqimi t`u kthehet me pëlqim, komenti me koment etj. Me që krijuesit në fjalë pëlqimet dhe komentet i këmbejnë në stilin “unë ty, ti mua”, ata thuajse asnjë pëlqim apo koment nuk e japin falë, as në rastet kur ju bie ta lexojnë ndonjë poezi me vlera antologjike të shkruar prej poetëve të cilët tashmë e kanë krijuar individualitetin dhe stilin e veçantë, të pranuar nga njohësit, studiuesit dhe antologjistët më të mirë.

Vlerën e poezisë nuk e përcakton as numri i pëlqimeve e as numri komenteve e vlerësimeve pa mbulesë të bëra në facebook. Tregtia, këmbimet, mashtrimet, vetmashtrimet, fjalët e pasinqerta nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerësimin e poezisë.