I
Çfarë nevoje, çfarë trysnie na shtrëngon
t’i ikim klimës së shpirtit tonë?
I kemi ikur njëherë. I kemi ikur gjithmonë
duke e shpërngulur veten nga ajo zonë,
nga droja se do t’na mpijë përfytyrimin…
Dhe kjo ka ngjarë (pak a shumë) me thëllimin
e një mëngjesi të përgjumur, kur vetveten
e kapëm përshkitazi me vdekjen dhe mbetëm
me depon e akullit, që s’ka stinë ta shkrijë,
ndërsa vdekja çau tutje – flauri,
me cijatjen e fortë të gomave në asfaltin e lagur,
si të zhvoshkte vrazhdë pasthirmën e zvargur:
“O Zot…!”.
Mandej, e rrokëm të tërën me gjithsej;
kuptuam se s’jemi, veç frigoriferë të mëdhej…
frigoriferë, që zhvendosemi nëpër fasha urbane
në legjenden e stinëve që mashtrojnë ksoane.

II
Veç prekja me vdekjen s’e nxorri dot huq
mëllenjën në degë, semaforin e kuq,
realitetin me shtresa alibish të trasha –
tërë jetën tonë të ndryrë në kllapa.

Nuk rritemi ne! Kilometrazhi ynë rritet,
i një jete në koma, që s’e përmendin vitet,
si një fjali viskoze e derdhur në dyll,
që shpesh dhe kllapën nuk arrin ta mbyllë…

E kotë domethënia… nuk gjendet shkencë
të kapë pezullitë mbi retiçencë…
Mbretëron hamendja… fillimi i një fraze,
premtim për vazhdim, kjarim i një faze
që nxiton të mbytet në amullinë e vet
dhe tërë terr’ i botës brenda kllapash zbret.

III
Ç’kuptim kemi bartur? Frigoriferë shëtitës…!
Kur vdekja në sup, me terrin përndritës
na ceku në rrënjët e fryta-tuberozë –
cit alibi e ëndrra… cila narkozë
na kishte mpirë aq, sa vetë amshimi
prej nesh më nuk shkepi far xixe kuptimi?
E largët ajo kohë… e largët, si në mite,
si fidani i brishtë kur sefte nxorri sythe
dhe sytë nuk ia shqitëm, derisa shpërtheu
në lule e fruta, që i kalbi dheu…
Por vrapi i kohës kapërcyer paska
mbi ne, që u rrekëm, ngujuar në kllapa
dhe tani, pa shih: si mysafirë të vonë
degët po trokasin në dritaren tonë…

IV
Vallë ku kemi qenë? Tërë kohës brenda
mallkuar në kllapat që hapte axhenda,
në kllapa të rrumbullta, në kllapa katrore,
në rrathë viciozë, lëvizje rrethore,
në rrethrrotullim, tek i fshinim gjurmët
obsesionit tonë – mendimit të ngulmët –
zinxhirit të fakteve, bojës së përvojave,
dikush rob i shkaqeve,
dikush i pasojave…

28 shkurt 2014