Një subjekt politik e bën serioz dhe të suksesshëm programi dhe lideri i tij. Nëse një subjekt politik i ka këto dy elemente, asnjëherë nuk mund të ndodhë që të mos jep përgjigje të sakta, të shpejta dhe të duhura për të gjitha çështjet që duhet t’i zgjidh.

Hamendja me muaj të tërë për krijimin e një qeverie, të një koalicioni parazgjedhor me parti të tjera, apo çfarëdo vendimi tjetër të dobishëm për qytetarët dhe vendin, si subjekt i vetëm apo në marrëveshje me partnerë të tjerë, dëshmon qartë se këto subjekte janë jostabile, të pafuqishme, të pa konsoliduar dhe jo mjaft të pjekur për ndryshime të mëdha dhe reforma në shoqëri dhe në shtetin ku veprojnë.

Te shumica e subjekteve politike ndodhin këto dobësi edhe për shkak të dominimit të individëve nga i njëjti profesion, si në një shoqatë profesionale, jo për ndërtimin e kapaciteteve sipas nevojave të një subjekti politik serioz. Këto dobësi i kanë ndjekur edhe subjektet e para politike të shqiptarëve, kur në një subjekt si LDK-ja më tepër ka pasur shkrimtarë e gazetarë se sa juristë, ekonomistë dhe profesionistë të tjerë, apo në lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni të dhjetë viteve të fundit, më tepër ka mjekë e hoxhallarë se sa profesionistë të tjerë të politikës dhe shtetndërtimit.

Shpjegimi tjetër i takon teorive të konspiracionit, kur një subjekt politik nuk kontrollohet nga brenda, por nga faktorë të tjerë jashtë tij.

(26 janar 2020)