Me thirrjet kundër udhëheqjes malazeze dhe kundër pavarësisë së Kosovës, në Beograd u organizua të mërkurën një tubim i Kishës Ortodokse serbe në mbështetje të siç thuhet, popullit të përvuajtur serb në Mal të Zi, Kosovë dhe pjesë tjera të banuara me serbë.
Tubimi është pjesë e protestave kundër ligjit për liritë fetare që u miratua më 27 dhjetor në Mal të Zi dhe hyri në fuqi të martën.
Ligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, të dominuar nga serbët në vitin 1918, që më vonë u shndërrua në Jugosllavi.
Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 kishte zhbërë kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kishte kaluar Kishës Ortodokse Serbe.
Drejtoria e pronave në Mal të Zi, sipas këtij ligji, deri më 8 janar të vitit 2021 duhet të hartojë listën e objekteve fetare.
Ligji u kërkon bashkësive fetare që të ofrojnë dëshmi të qarta mbi pronësinë, dhe kjo kërkesë sipas Kishës Ortodokse serbe, është hartuar për t’i marrë pronat e saj. Udhëheqësit e kësaj kishe u hodhën në protesta për ditë të tëra në Mal të Zi. Ata thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e kishës, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera.
LEXONI EDHE KËTË
Ligji mbi fenë në Mal të Zi, kaos në parlament -reagime edhe në Beograd
Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht nga qeveria malazeze.
Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxitë politikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.
Mali i Zi, një vend i vogël buzë detit Adriatik me 620 mijë banorë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006. Në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s.
Kisha Serbe dhe udhëheqësit në Beograd thonë se druajnë që Kosova do të mund të ndjekë shembullin e Malit të Zi.
Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje udhëheqësve serbë t’i japin fund nxitjes së tensioneve në Kosovë, dhe vendet e tjera të rajonit.
Ministri në largim i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha se Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare, diçka që Kisha Ortodokse Serbe nuk e ka as në Serbi.
Ligji për liritë fetare në Kosovë, tha ai, ka marrë miratimin e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje me standardet evropiane dhe pritet të miratohet nga parlamenti i Kosovës.