– Trimëri dmth, të mbrosh veten nga të tjerët;

burrëri dmth, të mbrosh të tjerët nga vetja –

  -PORTRET –  Tiranë, gusht 1992  –                                                                                                                       

Mehmet Gega, për të cilin po shkruaj këto radhë, është një nga shqiptarët e patundur të Tetovës. Sot ai është rreth të 80-tave. Eshtë shumë i njohur, jo veç në qytetin e Tetovës

por dhe në rrethinat e tij e më gjerë. Për trimëri e burrëri, për atdhetari që nuk bëhet mëdyshë.

Mehmet Gega ka vuajtur, ditë me ditë, 20 vjet burgim, nën regjimin totalitar të ish Jugosllavisë. Edhe sot është i fortë, i mbajtur, i kthjelltë e veprimtar i palodhur i Bashkimit Kombëtar Shqiptar.

Jeta e Mehmet Gegë Tetovës ka shumë për të shkruar, por nuk e ka këtë qëllim shkrimi im i sotshëm. E njoh mirë Mehmet Gegën. Kam ndenjur jo pak me të në oda burrash. E kam pritur e përcjellur edhe në shtepine time në Tiranë.

Baca Mehmet, flet pak e rrallë, por të tjerët, duke folur më shumë për të, të njohin me burrërinë e trimërinë e tij. Dhe këtë që do të shkruaj më poshtë, ma thanë të tjerët për Mehmet Gegën. Ndaj unë po e shkruaj, duke i kërkuar ndjesë Bacës Mehmet, se është diçka që edhe mund ta lëndojë.

Veç, nuk mund të rri pa e shkruar, se është një “leksion” i bukur për shumë shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë e vise të tjerë, në diasporë e kudo. Se është shembull burrërie shqiptare, që aq shumë po na duhet në keto ditë të sodit.Jam i bindur se,Trimi,do të më kuptojë drejtë.

…!!

… Mehmet Gegës i dalin në rrugë dy shqiptarë. (Shqiptarë, por ma paçin pikë faqën e zezë!). Pa e zgjatur tregimin, po them esencën. Ata,të dy,e rrahën poshtërsisht Mehmet Gegën,për një “ngatërresë” të mëparshme! Kjo rrahje u bë problem.Dy burrat që kryen aktin e shëmtuar, milicia i merr në arrest, për vepër të paligjshme. Thirret aty edhe Mehmet Gega, si idëmtuar. E ballafaqojnë, dhe kërkojnë që Ai, të bëjë denoncimin me gojë e me shkrim!

– Këto të dy të kan rrahur? – e pyesin Mehmetin, në organet përkatëse ?

– Jo! -përgjigjet prerë, Mehmet Gega. Këta jo vetëm që nuk më kanë rrahur, por unë as nuk i kam parë ndonjëherë me sy!!!

Mbas insistimit të Bacës Mehmet, se ata persona nuk e kishin rrahur as nuk i njihte, kuptohet, dhe milicia ishte e detyruar t’i lironte dy shqiptarët. At’herë, të tre sëbashku,dolën e morën rrugën për në shtëpitë e tyre.

…!

– Si u bëka kjo punë kështu, o Mehmet Gega, – e pyetën plakun e nderuar, burrat e Tetovës?

– Eh, more burra, – foli ashtu qetë-qetë Mehmeti.- Mue më rrahën vëllezërit e mi. Dy shqiptarë rrahën një shqiptar. Sikur unë të pranoja se këta më rrahën, atëherë milicia do t’i rrihte ata në syun tim. A mund të duronte Mehmet Gega që zaptuesi i huaj, t’ia rrah vëllezërit e tij ndër sy? Pasha besën jo! Ma mirë unë i rrahur nga vëllezërit e mi, se sa vëllezërit e mi, të rrahur nga të huajt…!

…!

Kështu,ka bërë, plot bindje e atdhetarizëm, burri i nderuar,Mehmet Gegë Tetova.

Ma don mendja se çdo shqiptarë e vlerëson dhe mëson jo pak nga kjo burrëri e Mehmet Gegës. Ndoshta ky rrëfim i thjeshtë do të jetë edhe me shume  se “një leksion” edhe për ndonjë lider a forcë politike në Shqipëri e në trevat shqiptare që jo rrallë, më lehtë e gjenë gjuhën e përbashkët me të huajt se sa me vëllezërit e tij!

Ky shëmbull, më kujton atë filozofinë e thellë e të pagabueshme të popullit se:- “Trimëri, d. m. th. të mbrosh veten nga të tjerët; burrëri d. m. th, të mbrosh të tjerët nga vetja”.

Mehmet Gegë Tetova, fliste pak. Vepra e Tij, ne, të gjithëve, na flet e duhet të na flasi të na mësojë e të na orjentojë edhe më shumë…

Drejtë shqiptarizmës së vërtetë.

                                                                 ./.

 

Ky portret është nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes”, faqe 61 , që autori Zeqir Lushaj,

ka botuar në Tiranë, në “Kristalina KH”, 2009-

 

-Per Limit.al 2 Janar 2020-