Me keqardhje mora lajmin për vdekjen e Avdi Rexhës, mikut tim nga Bujani i Malësisë së Gjakovës. I ndjeri ishte ndër burrat e mençur e të njohur në gjithë trevën e Tropojës. Ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare dhe mbas veti la një histori përplot ngjarje të rëndësishme kombëtare.
Avdi Rexha mbajti raporte shumë të afërta me trashëgimtarët e familjes së madhe të Binak Alisë, me Mulosmanajt, që janë po nga i njëjti fshat dhe nga i njëjti fis, me Musliun dhe Bajram Mulosmanaj.
I ndjeri qysh në moshë të re kishte pasur rast ta njoh historinë e e odave të Malësisë së Gjakovës dhe ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve të mëdha kombëtare që u zhvilluan në këtë pjesë të Shqipërisë. Kaloi jetë nëpër shumë kuvende burrash në Malësi të Gjakovës dhe ishte njohës i mirë i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ka qenë shumë i njohur në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave familjare në Tropojë dhe përtej saj, që ishte përkushtim i tij.
Këtë veprimtar dhe humanist të përkushtuar, pajtues të gjaqeve e ngatërresav familjare, kam pasur rast ta njoh për së afërmi në Bujan dhe në Vranoc, në vendlindjen time.
Gjatë kësaj vere qëndrova në Kosovë dhe me këtë rast, në shtëpinë time në Vranoc, shtrova një darkë për ndër të disa miqve dhe kusherënjve të mi. Në këtë darkë me një grup të ftuar nga familja e Binak Alisë të Bujanit, ishte edhe Avdi Rexha. Në këtë gazmend, për të na nderuar, erdhën edhe Ramush Haradinaj, kryeministër i Republikës së Kosovës dhe Rifat Jashari.
Avdi Rexha edhe pse i shtyer në moshë, me shumë saktësi fliste për ngjarjet historike në Malësi të Gjakovës dhe Kosovës si dhe për pasojat e rënda që ka pasur e ka hakmarrja.
Ai, ka kryer një mision të madh humanitar, duke pajtuar shumë familje e ngatëresa në Malësi të Gjakovës, duke liruar fëmijët që të ndjekin mësimet në shkolla nga familjet e gjaksuara. Avdi Rexha, thoshte se ligji ende nuk ka arritur ta mposhtë Kanunin.
I ndjeri ishte një burrë me virtyte të rralla, shumë i respektueshëm, me një traditë të dijes dhe mençurisë kanunore. Edhe pse mosha e kishte rrëzbitur, misionin e tij humanitar nuk e la derisa dha shpirt. Ai u angazhua që e mira të mund të keqen dhe familjet të jetojnë në paqe e pa frikë mes veti, që është një e drejtë themelore për se cilin njeri.
Me këto pak fjalë desha ta përkujtoj Avdi Rexhën, i cili kishte një respekt të posaçëm për mua ddhe familjen time. Ai vdiq, por la një histori pas veti.
Me këtë rast, familjes së Avdi Rexhës, i shprehi ngushëllimet e mia më të thella në Bujan, farefist të tij dhe Malësisë së Gjakovës.
Shpirti i tij pushoftë në paqe, ashtu siç ishte vetë paqësor në jetë.

Harry Bajraktari,
New York, 2019