Ku ta lëshojmë spirancën e anijes tonë zemër
Në këtë det të rrejshëm.

Ku të shkojmë pasi të zbresim në tokë të djegur
Kur ajo s’na mban përmbi se na ka tepër
Tepër të gjallë e tepër të vdekur.

Ku të besojmë kur s’beson kush, kur zoti s’njihet këtu
Kur s’e di askush se zotin e ka në zemër
Ku s’dihet kush është i ligu e kush më i ligu.

Nga të shkojmë kur dielli këtu s’lind kurrë veç perendon e ikë
Kur drurët as thahen as rriten kurrë
Kur lulet nuk çelin në asnjë stinë
Nga të katër anët veç veriu fryn.

Nga të shkojmë nëpër natë kur hëna këtu s’del kurrë
Ku s’ka asnjë shteg a udhë
Ku yjet qiellit ia kanë ngrënë a shuar.

Të zbresim, të ecim, më thua
Po këtu s’ecet me këmbë, zemër, por me duar
Këtu s’ka fjalë, ulërima ka
Këtu të gjithë diellin pështyjnë
E pështyma ju kthehet në fytyrë
Këtu nuk rron dot të jesh viktimë
Këtu xhelat duhet të jesh xhelat
Këtu s’bie shi por veç breshër
Këtu askush s’han bukë, të gjithë këtu hanë mut.

Ku të shkojmë zemër, nga të shkojmë,
Si të ikim prej këtu ku ka veç lakmi
Ku s’pjerdh kush për shpirtin, s’pjerdh kush për njeri
Ku të gjithë kërkojnë t’i duash e askush s’të do
Më thuaj ç’të bëjmë
Fol pra, si do rrojmë ?