Qyteti i Gjakovës është i vendosur në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme transversale Via de Zenta, ose të Zetës (Shkodër-Kosovë) me atë longitudale të Rrafshit të Dukagjinit. Ka indikacione si dhe dëshmi të kulturës materiale, se në vendbanimin e qytetit të Gjakovës është jetuar edhe gjatë periudhës antike. Si do që të jetë qyteti ekzistues i takon periudhës osmane. Në fakt, në bazë të të dhënave historike, Gjakova njihet qysh nga dekada e pestë e shekullit XIV, më saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Alltun-ihlisë, me qendër në Junik. Ndërkaq, sipas burimeve të kulturës materiale, ndërtimeve arkitekturale monumentale, ajo njihet nga dekada e fundit të shek. XVI.
Në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, ishte qendër pazari. Me një status të këtillë, ajo jetoi deri më 1582. Dhjetë vjet më vonë, prej 68 familjesh shqiptare, sa kishte atëherë Gjakova, 13 ishin të islamizuara e të tjerat të krishtera. Gjakova si fshat i reduktuar me qendër të vogël, kryente funksionin e tregut lokal. Ky treg lokal ishte një specifikë për Gjakovën si dhe qytetet shqiptare gjatë shekullit XV, deri në fillim të atij XVI. Është me interes të ceket se specifika e zënë ngojë, nuk ishte karakteristike për qytetet e Perandorisë Turko-osmane. Në atë periudhë, në mbarim të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594/95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e donatorit-financuesit të objektit në Gjakovë. Xhamia e Hadumit, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jakë Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit – Jakovë
Sot Gjakova ka rreth 100 mije banore.