Më 6 tetor 2019 Kosova bëri zgjedhjet e parakohshme politike. Për arsye teknike dhe ligjore të arsyeshme, rezultati u certifikua më 27 nëntor. Nga fundi nëntorit deri më 26 dhjetor 2019, konstitucionalisht është afati kohor për t’u konstituuar Kuvendi, zgjedhja e Kryesisë, kryetari, grupet parlamentare dhe më pas Qeveria.

Ndërkohë, kanë vazhduar negociatat midis dy forcave kryesore fituese të dala nga vota popullore, LV dhe LDK. Pak ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, deklaroi se qeveria e re do të formohet së shpejti. Gjatë kësaj periudhe, media dhe burime të ndryshme jashtë negociatore kanë ushqyer opinionin politik dhe publik të Kosovës, Shqipërisë dhe atë ndërkombëtar me opsione, skenarë dhe alternativa nga më të ndryshmet, e herë-herë nga më të çuditshmet. Ajo çka bie në sy është fakti, se shumica e analistëve dhe opionistëve, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, flasin pa marrë parasysh, për arsye mos-njohje ose të tjera, procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, organeve të tij dhe të qeverisë së re.

  1. Çdo gjë brenda afateve dhe procedurave kushtetuese

Referuar Kushtetutës së Kosovës, është presidenti, i cili e thërret seancën konstituive të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Siç dihet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka certifikuar më 27 nëntor rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor 2019. Duke u bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja ka 28, PDK-ja 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD 13 deputetë, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet e pakicave, Lista Serbe ka 10 deputetë, ndërsa të gjitha partitë e pakicave joserbe së bashku kanë fituar 10 vende. Gjithsejtë, Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 20 vende janë të rezervuara për komunitetet pakicë, respektivisht, 10 vende për komunitetin serb dhe po aq vende për komunitet tjera pakicë.

Referuar Nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parashihet edhe procedura e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve. Në këtë nen përcaktohet se Kuvendi i RK zgjedhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive të tij. Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, në pajtueshmëri me legjislacionin relevant në fuqi, duhet të përgatisin propozimin e rendit të ditës për mbledhjen e parë të përbërjes së re të Kuvendit. Në seancën e parë konstituohet Kuvendi, zgjedhet kryesia, kryetari i legjislaturës së shtatë, si dhe grupet parlamentare.

Nëse nuk arrihen votat e nevojshme nuk mund të konstituohet Kuvendi, çka parakupton mosarritjen e marrëveshjes së palëve fituese të zgjedhjeve. Në rastin e dhënë LV-ja dhe LDK-ja duhet të arrijnë marrëveshjen, që të kenë 61 vota për të zgjedhur kryetarin, kryesinë dhe grupet parlamentare. Pas konstituimit të Kuvendit, presidenti cakton mandatarin për formimin e qeverisë, në rastin e dhënë Albin Kurti, i cili lypet t’i kthejë përgjigjen presidentit, se mund të krijojë qeverinë, atëherë mbahet seanca përkatëse dhe që të zgjidhet qeveria. Nëse mandatori nuk mundet t’i bëjë 61 deputetë për herën e parë, atëherë Kushtetuta thotë se mundet edhe një herë t’i rikthehet sërish mandati nga presidenti për 10 ditët e tjera në vijim. Nëse, sërish mandatari nuk arrin të formojë qeverinë, brenda 40 ditëve në vazhdim vendi shkon në zgjedhjet e reja, të parakohshme. Deri tani, çdo gjë shkon në përputhje me parashikimet kushtetuese.

  1. Negociata parimore, jo pazare postesh e funksionesh

Procesi i negociatave midis LV-së dhe LDK-së deri tani duket që të ketë qenë parimorë, dhe jo pazare, siç kemi parë dhe dëgjuar nga përvojat e mëparshme në Kosovë, por jo vetëm. Të dy liderët, Albin Kurti (LV) dhe Isa Mustafa (LDK) janë treguar të matur dhe të vetëpërmbajtshëm në deklarimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre. Këtu, që të mos gabojmë, lypet të mos konfundojmë negociatat reale, që burojnë nga faktorët brenda negociatorë, nga komentet, opinionet dhe analizat e faktorëve jashtë negociatorë. Deri tani nga faktorët brenda negociatorë, në mënyrë të dakordësuar, është deklaruar së është arritur marrëveshja principale për të krijuar qeverinë së bashku. Pra, nuk ka, parimisht, asnjë shkak për të mos bashkëqeverisur.

Së pari, principaliteti për bashkëqeverisje LV-LDK buron para se gjithash nga vota popullore, e cila ka zgjedhur LV-në dhe LDK-në për të qeverisur vendin, dhe, nga ana tjetër, për të kaluar në opozitë, partitë e krahut të luftës, PDK, AAK, Nisma, të cilat e kanë qeverisur Kosovën prej shumë vitesh. Mbështetja popullore ka ‘vulosur’ bashkëqeverisjen LV-LDK. Kjo është principale dhe askush nuk guxon ta injorojë apo ta shkelë atë, sepse bie legjitimiteti votës qytetare.

Së dyti, marrëveshja e deritanishme midis LV-së dhe LDK-së duket të jetë principale dhe jo pazare, për faktin se palët janë dakordësuar të zvogëlojnë qeverinë në 12 ministri, pra afro gjysmë për gjysmë. Ky zvogëlim i qeverisë, është modeli i Xhorxh Uashingtonit, i cili deklarohej për “limited and no money government”, pra për “qeveri të vogël dhe me shpenzime minimale”. Duke zvogëluar qeverinë, LV-ja dhe LDK-ja, kanë të bërë të kundërtën e qeverive paraardhëse të Kosovës, që kanë qenë të stërmëdha dhe me shumë shpenzime. LV-ja dhe LDK-ja, me zvogëlimin e qeverisë kanë treguar qartësisht se, marrëveshja e tyre nuk është pazar postesh dhe benifitesh personale e politike, që do kërkonte vazhdimin e në mos rritjen e një qeverie të madhe, si të paraardhësit e tyre, por është marrëveshje parimore për qeverisje të mirë, të vogël dhe ekonomike. Kjo reformë strukturore e qeverisë do ketë disa vlera të mëdha si janë: reduktimi i burokracisë shpenzuese, pastrimi i administratës publike qendrore nga politizimi, paaftësia, nepotizmi e krahinarizmi; dhënia fund e rekrutimeve në administratë publike bazuar në ‘shpërblime partiake’; vënia e administratës mbi baza karriere meritokratike, profesionale, me procedura transparente dhe konkurruese.

Së treti, marrëveshja midis VV dhe LDK duket të jetë principale edhe për prioritetet kryesore ku palët janë dakordësuar për programin e qeverisjes. Caktimi i prioriteteve të unifikuara nga dy palët është me rëndësi thelbësore për mirëqeverisjen e vendit. Kjo nuk ka qenë e lehtë. Duke pasur parasysh se LV-ja dhe LDK-ja kanë ndryshime në filozofinë politike, në alternativën ekonomike si dhe përvojat qeverisëse. Prioritetet qeverisëse i kanë artikuluar politikisht dhe publikisht të dy palët. Para do kohe, në një takim me përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, Albin Kurti theksoi në mënyrë të përvijuar se “prioritet i kësaj qeverie është punësimi dhe drejtësia”. Pra, qeveria e re, LV dhe LDK do t’i kthehet agjendës qytetare, që është zgjidhja e problemeve ekonomike e sociale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës dhe forcimi i shtetit ligjor, ose sundimi i ligjit, në luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Së katërti, marrëveshja e dakordësuar midis LV-së dhe LDK-së duket që të ketë arritur në qëndrime të përbashkëta në politikën e jashtme të Kosovës. Në këtë aspekt, është thelbësore që LV-ja dhe LDK-ja duket të kenë unifikuar qëndrimet për vijimin e dialogut me Serbinë siç janë: përpilimi i kuadrit të parimeve negociuese, si reciprociteti, pacënueshmëria e pavarësisë, sovranitetit, tërësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Palët, gjithashtu, janë mjaft të përafruara që në platformën e negociatave të kërkojnë nga Serbia kërkim falje për krimet dhe gjenocidin e bërë mbi popullin shqiptar në Kosovës, gjetjen e viktimave, të humburve dhe kthimin e tyre në Kosovë, reparacionet për dëmet ekonomike përpara dhe gjatë luftës 1998-1999, zgjidhjen e problemit të pensioneve dhe kontributeve të tjera të qytetarëve të Kosovës nga koha e Jugosllavisë, Unionit Serbi-Mal i Zi dhe të Serbisë përpara vitit 1999, e çështje të tjera teknike me interes shtetëror dhe qytetar.

Me shumë rëndësi është që LV-ja dhe LDK-ja janë deklaruar veç e veç, por edhe së bashku që procesi i negocimit me Serbinë të kalojë përmes një procedure kushtetuese, demokratike, pra të miratohet në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente. Këtë proces, sikundër janë deklaruar palët do ta udhëheq Qeveria e Kosovës, pra kryeministri i pritshëm, Albin Kurti dhe jo presidenti Thaçi. Ky ndryshim thelbësor në udhëheqjen e negociatave, është në fakt, rikthimi i politikës së jashtme në binarët kushtetues, sipas të cilit, në Kosovë është Qeveria institucioni legjitim për ta udhëhequr atë.

Natyrisht parashtrimi mësipërm është principal, sepse programi i qeverisë së re të Kosovës, ngelet për tu parë e konsideruar plotësisht mbas paraqitjes dhe miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës. Sikundër, aspekte të tjera informale të negociatave, dëndurisht të përfolura në media, siç është zgjedhja në parim e Presidentit të ardhshëm Kosovës në 2021 nga radhët e LDK, janë jashtë kontekstit aktual formal-kushtetues. Deri tani, nga LV dhe LDK, duket se janë përvijuar strategjia e përbashkët, prioritetet kryesore, struktura dhe parimet qeverisëse, të cilat japin shpresë se pritshmëritë e larta të qytetarëve të Kosovës për Qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 do të përmbushen më së miri.