Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” drejtuesin e Programit ICITAP-it në Shqipëri, zotin Charles Stephen Bennett, në prani të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Leyla Moses-Ones dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu.
Presidenti Meta e vlerësoi zotin Bennett me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, të treguar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të Policisë së Shtetit Shqiptar, si dhe nxitjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, në interes të forcimit të sigurisë publike”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh: “Dëshiroj t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Institucionin e Presidentit me rastin e kësaj ceremonie të veçantë dhe plotësisht të merituar dekorimi!
E konsideroj jo vetëm një detyrë zyrtare dhe solemne të vlerësoj Menaxherin e Programit të ICITAP Albania, por duke shfrytëzuar këtë mundësi, dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen, gjithashtu në emër të popullit dhe institucioneve shqiptare ndaj zotit Charles Stephen Bennett, për këtë personalitet të njohur në fushën e zbatimit të ligjit në të gjithë Ballkanin dhe më tej.
Zoti Bennett ka punuar si Menaxher i Programit të ICITAP-it në Shqipëri që prej vitit 2011 dhe ai gëzon më shumë se katër dekada përvojë në fushën e zbatimit të ligjit, duke u njohur si një nga ekspertët kryesorë të ngritjes dhe rritjes së policisë si dhe stërvitjes së saj në vende që kanë kaluar konflikte dhe kanë qenë duke u rindërtuar.
Për shumë vite me radhë që nga ato 1990-të e deri në fillim të viteve 2000, ai ka punuar dhe udhëhequr përpjekjet për zhvillimin dhe zbatimin e ligjit jashtë Shteteve të Bashkuara: në Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Taxhikistan, Afganistan dhe në Irak.
Në viti 1999 zoti Bennett u dërgua nga Departamenti i Drejtësisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), duke punuar atje nga 1999 deri në 2006 si drejtor i Departamentit të OSBE-së për Edukimin dhe Zhvillimin e Policisë, me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku u dallua dhe spikati për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të veçantë.
Zoti Bennett dha një tjetër kontribut të jashtëzakonshëm në Ballkan në 2001 kur mori pjesë në programet e zhvillimit të policisë në Maqedoninë e Veriut, duke këshilluar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të OSBE-së, të cilët ishin pjesëtarë në atë kohë të ekipit negociator, për të hartuar dhe zbatuar në terren Marrëveshjen e suksesshme dhe shumë të nevojshme të Ohrit.
Zonja dhe zotërinj,
Lista e arritjeve profesionale dhe punës frymëzuese të z. Bennett është tepër e gjatë dhe vazhdon, por unë kam nderin ta falënderoj personalisht për efektshmërinë me të cilën ai ka kryer këto detyra të rëndësishme përgjatë gjithë këtyre viteve, edhe në krye të ICITAP-it në Shqipëri, ku ka jetuar gati tetë vite.
Me rëndësi dhe domethënie të veçantë është kontributi i këtij personaliteti të nderuar në zhvillimin e partneritetit strategjik, miqësisë dhe bashkëpunimit midis agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit dhe atyre të Shteteve të Bashkuara.
Krimi i organizuar, terrorizmi dhe trafikimi i paligjshëm nuk kanë kombësi dhe nuk njohin më kufij në këto kohë të globalizmit që po jetojmë.
Kjo është arsyeja pse lufta e pamëshirshme dhe pa kompromis ndaj tyre e pa hequr kurrë dorë shërben jo vetëm për të mbështetur ligjin në të gjithë globin, por kontribuon gjithashtu për ta bërë botën ku brezat tonë të rinj po jetojnë, edhe më të mirë, më të begatë dhe shpresëdhënëse.
Të ftuar të nderuar,
Medalja e Artë e Shqiponjës i jepet sot z. Bennett si një vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për angazhimin e vazhdueshëm të këtij profesionisti të nderuar, i cili ndihmoi për të farkëtuar bashkëpunimin midis agjencive të zbatimit të ligjit të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kontributet dhe angazhimet e zotit Bennett në luftën e përbashkët të vendeve tona kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe trafikimit të paligjshëm shërbyen për të rritur jashtëzakonisht kapacitetet profesionale dhe logjistike të Policisë së Shtetit shqiptar.
Prandaj, ne i jemi shumë mirënjohës për nxitjen dhe forcimin e bashkëpunimit midis agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe atyre të vendeve të rajonit, duke i shërbyer interesit të konsolidimit të sigurisë sonë publike.
Ju faleminderit shumë z. Bennett dhe fat të mbarë dhe suksese të mëtejshme në përpjekjet tuaja në të ardhmen.
Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!
Dhe në këtë drejtim besojmë se mund të mbështetemi edhe në kontributet tuaja zoti Bennett. Ju faleminderit!”
Ndërsa, zoti Charles Stephen Bennett pas marrjes së dekoratës falënderoi Presidentin e Republikës, teksa theksoi: “Është nder për mua të marr këtë vlerësim. Ju falënderoj zoti President! Dua të falënderoj të gjithë. Është një moment mjaft i rëndësishëm për mua. Jam me fat që kam pasur mundësinë të punoj me bashkëpunëtorë mjaft të mirë gjatë karrierës sime”.