50 mijë drita led ndriçojnë pemën gjigante në Rockefeller Center. Nju Jorku është destinacion klasik për gjithë ata që vendosin të kalojnë festat e fundvitit në Shtetet e Bashkuara

Nju Jorku është një nga destinacionet klasike në dhjetor. Janë të shumtë ata që zgjedhin Nju Jorkun për të kaluar periudhën festive deri në trokitjen e gotave për Vitin e Ri…

Më poshtë ju propozojmë disa zgjedhje se çfarë të bëni në Nju Jork gjatë këtyre ditëve

Tregjet e Krishtlindjeve

Për të gjithë ata që duan të bëjnë shopping, zgjedhjet janë të shumta. Ju nuk duhet të humbisni kurrsesi Holiday Shops at Winter Village në Bryant Park (deri më 2 janar), Grande Central Holiday Fair (deri më 24 dhjetor), Union Square Holiday Market (deri më 24 dhjetor) dhe Columbus Circle Holiday Market (deri më 24 dhjetor).

Art në Moma, Met dhe Fotografiska

Arti bashkëkohor është në plan të parë me Moma, që sapo ka rihapur hapësirën e saj ekspozuese me sipërfaqe 40 mijë metra katrorë. Sot, falë galerive në rrugë, falas dhe të hapura për të gjithë, muzeu bëhet pjesë më aktive e qytetit. Në anën tjetër, për gjithë ndjekësit e modës, Met propozon deri më 17 maj “In Pursuit of fashion”, një ekspozitë me 80 veshje dhe aksesorë që vijnë nga koleksioni prestigjioz i Sandy Schreirer. Ndër hyrjet e reja, Fotografiska në 281 Park Ave South – një ndërtesë kushtuar fotografisë me tre kate hapësira ekspozuese, por edhe një restorant dhe bar.

Dritat e Winter Lantern Festival

Për të dytin vit me radhë, deri më 12 janar, rikthehet në Staten Island, NYC Winter Lantern Festival në Snug Harbor Cultural Center & Botanical Garden. Spektakël me kërcime dhe art kinez, nën ndriçimin e më shumë se 50 lanternave dhe dritave led.

Musical në Village

Në dhjetor të vitit 1867, Charles Dickens erdhi në Nju Jork për të vënë në skenë romanin e shkurtër “A Christmas Carol”. Kjo shfaqje u zhvillua për një muaj dhe biletat u shitën të gjitha. Gjatë këtyre Krishtlindjeve do të shfaqet historia e Ebenezer Scrooge, po nga Charles Dickens në teatro të ndryshëm të qytetit; në 1832 Merchant’s House Museum dhe Players Theatre, në Greenëich Village.

Christmas Lights Tour në Brooklyn

I cilësuar si një ndër atraksionet më të famshme në Brooklyn, nëpërmjet Christmas Lights Tour ju mund të vizitoni lagjen e Dyker Heights, e famshme për zbukurimet e Krishtlindjeve, që cilësohen ndër më spektakolaret dhe ekstravagantet në botë, deri më 30 dhjetor.

Të patinosh në akull në Rockefeller Center

Pema e Krishtlindjeve në Rockefeller Center është një traditë njujorkeze që përsëritet prej 80 vitesh në të njëjtin shesh. Turistët do ta gjejnë pemën e ndriçuar deri në mes të janarit dhe mund të patinojnë në pistën e akullit.

Balet në New York City Center

Sezoni i Alvin Ailey American Dance Theater do të çelet me produksione dhe opera të famshme, ndër të cilat e famshmja “Revelations”. Ndërsa në muajin dhjetor, Bronx Academy of Arts and Dance do të vërë në skenë “Los Nutcrackers: A Christmas Carajo!”, komedi gazmore latino-amerikane ku ndërthuren dy klasikë të Krishtlindjeve: “The Nutcracker” dhe “A Christmas Carol”. Në Harlem, Apollo Theater, që në vitin 2019 festoi 85-vjetorin, do të propozojë evente të ndryshme gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Maratona e mesnatës në Central Park

Kushtuar sportistëve, NYRR Midnight Run në Central Park është një garë vrapimi 6 kilometra që nis me një spektakël piroteknik në mesnatë nga Bethesda Terrace. Njerëzit më të guximshëm mund ta nisin ditën e parë të vitit me një zhytje në oqean. Ky event i organizuar nga The Coney Island Polar Bear Club në plazhin Coney Island mund të rezervohet falas.

Sezoni i uljeve në janar edhe për hotelet

Ata që nuk duan të heqin dorë nga një udhëtim në Nju Jork dhe duan të përfitojnë edhe nga uljet, mund ta vizitojnë atë nga data 21 janar deri më 9 shkurt kur janë të disponueshme tre promocione nën firmën NYC & Company: NYC Broadway WeekSM, NYC Restaurant Week dhe NYC Must-See WeekSM. Për tre javë mund të shikoni spektakle në Broadway, të vizitoni muze apo atraksione të ndryshme në qytet, si dhe të bëheni pjesë e toureve të ndryshme, duke blerë dy bileta dhe të paguani për një biletë. Ndër të tjera, në këtë periudhë çmimet e hoteleve janë nga më të leverdishmet në të gjithë vitin.

*Lucilla Incorvati
Burimi: Il Sole 24 Ore