Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se Paul Pogba është ndër futbollistët më të mirë në botë kur është në formë të mirë dhe shpreson se ai do të ketë ndikim të mirë në skuadrën e Djajve të Kuq kur të kthehet nga lëndimi.

Paul Pogba ka kaluar nëpër shumë vështirësi nga fillimi i sezonit 2019/20, pasi që ka arritur të luajë në vetëm pesë ndeshje të Premierligës për shkak të lëndimeve të shumta, transmeton Gazeta Express.

Fituesi i Kupës së Botës ka qenë jashtë fushës së blertë për shkak të një lëndimi në këmbë që nga shtatori, duke munguar kështu në 13 ndeshje në të gjitha garat, përderisa po kalon nëpër një proces rigoroz shërimi.

Solskjaer pret që Pogba të kthehet në skuadrën e Manchester Unitedit dikur këtë muaj, mirëpo ai e ka konfirmuar se mesfushori s’do të ketë rol në derbin e qytetit kundër Manchester Cityt, që zhvillohet sot.

“Pauli do të luajë kur të shërohet dhe të kthehet në formë. AI është ndër lojtarët më të mirë në botë kur është në formë të mirë dhe ne vetëm kemi nevojë ta kemi atë sërish në 100 përqindëshin e tij”, ka thënë Solskjaer.

“AI ndoshta do të luajë 45 minuta në ndeshjen e tij të parë kur të kthehet, ndodhje gjysmë ore e ndoshta 90 minuta të plotë. Varet se në çfarë ndeshje do të kthehet dhe unë dua ta kem Pogban sërish në atë formë që e kisha para rreth një viti”.

Djajve të Kuq s’u përshtatet të humbin pikë në ndeshjen e sotshme kundër nikoqirit të tyre, për shkak të dallimit prej 11 pikëve në mes të dy klubeve në tabelën e Premierligës.