Pjatën gjeopolitike ballkanike, që ia serviri Franca në muajin tetor me bllokimin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe zgjerimit të BE, Rusia nuk e la të ftohet, por menjëherë e rriti marshin e të gjitha mekanizmave të ndërhyrjes së saj në Ballkan. Në datat 12-15 nëntor në Voronezh u organizua samiti i parë “Rusi-Ballkan për diplomacinë popullore”. Autoritetet ruse e quajtën zyrtarisht “samit” për të theksuar rëndësinë dhe rolin e ri, që po i jep qeveria ruse mobilizimit të forcave filoruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të shtrirë ndikimin rus, duke përfituar nga konfuzioni i krijuar në BE dhe në shtetet kandidate të BE nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë samit ruso-ballkanik, sipas shtypit rus, morën pjesë Rusia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia. Pra ishin thirrur të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, plus Shqipëria. Në diplomaci nuk ka rastësi. Mediat ruse nuk e zbulojnë se kush e përfaqësoi Shqipërinë në samitin ruso-ballkanik dhe as thonë nëse përfaqësuesi nga Shqipëria ka nënshkruar rezolutën dhe dokumente të tjera të samitit ruso-ballkanik. Kjo do të ishte me interes, sepse samiti kërkoi ndërprerjen e sanksioneve ndaj Rusisë nga vendet ballkanike që janë bashkuar me sanksionet e BE, dënoi ndërhyrjet ajrore të NATO-s në vitin 1999 në Serbi, dënoi anëtarësimin në NATO të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut dhe zgjerimin e saj në vendet e tjera të rajonit, si dhe mbështeti qëndrimin e Serbisë për të rimarrë Kosovën.

Samiti ruso-ballkanik për diplomacinë popullore ishte veprimtaria e parë dhe përuruese zyrtare e “Qendrës ruso-ballkanike të diplomacisë popullore”, të krijuar nga ministria e jashtme ruse dhe në të merrnin pjesë ministra të qeverisë së Çeçenisë, ish-ministri i jashtëm i Serbisë në kohën e agresionit serb kundër Kosovës, ish-komandanti i forcave ushtarake kriminale serbe në luftën e Koshares, ish-avokati i Millosheviçit në Gjykatën e Krimeve të luftës në ish Jugosllavi, gjenerali i forcave të armatosura ruse në kohën e pushtimit të aeroportit të Prishtinës nga trupat ruse në 12 qershor 1999, zyrtarë dhe akademikë rusë e serbë me profil te zëshëm antishqiptar, etj. Nga fjalimet e pjesëmarrësve, vendimet dhe rezoluta e miratuar në fund të samitit ruso-ballkanik,rezulton se janë planifikuar një serë veprimesh dhe mekanizmash në funksion të rritjes së ndikimit rus në rajonin e Ballkanit. Një nga deputetët kryesorë të Dumës Ruse, Aleksej Zhuravljov, që përshëndeti samitin, e afishoi hapur strategjinë ruse për sundim në Ballkan, kur deklaroi se “vetëm Rusia mund të bëjë që të ketë paqe në Ballkan”.

Interesante është se një objektiv i “Qendrës Ruso-Ballkanike të diplomacisë popullore” dhe i këtij samiti të përvitshëm, do të jetë projekti i krijimit të një aleance të shteteve pjesëmarrëse të ish-Jugosllavisë plus Shqipërinë, nën kujdestarinë ruse. Si formë  apo embrion i parë është planifikuar krijimi i një organizate rinie të përbashkët ndërkombëtare të këtyre shteteve pjesëmarrëse të samitit, dhe “të shfrytëzohet përvoja pozitive e Bashkimit Sovjetik me shkëmbimet e studentëve dhe me kampet e rinisë dhe të fëmijëve”. Organizata e përbashkët ndërkombëtare e rinisë së shteteve të samitit ruso-ballkanik, pra e shteteve të ish-Jugosllavisë plus Shqipërinë,është përqendruar tek rinia dhe shfaqet si instrument politiko-strategjik i diplomacisë ruso-sovjetike për të dominuar Ballkanin. Rusia po ndjek me përpikmëri praktikën e saj të nisur pas agresionit rus në Ukrainë, që të krijojë aleanca politike ballkanike, siç veproi në vitin 2016, kur krijoi në Moskë me partitë politike filoruse nga shtetet ortodokse ballkanike një të ashtuquajtur “aleancë të shteteve neutrale në Ballkan”, ku firmosën marrëveshjen me vëllain e madh rus parti serbe, malazeze, maqedonase, bullgare dhe serbo-boshnjake.

Samiti ruso-ballkanik demonstroi intensifikimin e ri të strategjisë së Moskës për kapjes e forcave politike në Ballkan. Gazeta e njohur ruse “Novaja gazeta” citonte në 12 nëntor referatin e Këshillit Rus të Çështjeve Ndërkombëtare me titull: “Rusia dhe Ballkani”, ku afishohet se strategjia ruse është:“Krijimi dhe mbështetja e forcave politike konstruktive në Serbi, Slloveni, Kroaci dhe Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, të orientuara në projektet e Moskës, si dhe zgjerimin e pranisë mediatike në Ballkan”. Për  informim të lexuesit theksojmë se ky Institucion i rëndësishëm i politikës së jashtme ruse ka në drejtimin e tij zëdhënësin e presidentit rus, Dmitri Peskov, dhe ish-ministrin e jashtëm rus, Igor Ivanov, çka provon se qëllimi i mësipërm strategjik rus në Ballkan është produkt i Kremlinit zyrtar. Ky objektiv i këtij institucioni të rëndësishëm rus për krijimin dhe mbështetjen e forcave politike të orientuara nga Moska, është interesant për dy momente.

Momenti i parë ka të bëjë me veprimtarinë specifike në Ballkan të institucioneve të specializuara ruse për të mbështetur dhe për të krijuar forca politike dhe parti politike në vendet e Ballkanit, që të priren drejt Moskës. Kjo do të thotë që institucionet e specializuara ruse, diplomacia, shërbimet sekrete, kisha ortodokse ruse, etj. do të mbështesin politikanë dhe forca filoruse në Ballkan. Por Këshilli Rus shpall avancimin drejt një objektivi më ambicioz,dhe kryesorja është se do të krijojnë forcave dhe parti të reja politike filoruse në vendet e Ballkanit. Këto forca dhe parti të reja filoruse natyrisht do të marrin pjesë në proceset politike dhe në proceset elektorale të vendit dhe, duke patur financimin gjeneroz rus dhe përvojën e  dëshmuar dhe të sofistikuar të ndërhyrjes ruse në proceset zgjedhore të huaja, mund të bëhen forcë drejtuese në njërin apo tjetrin shtet ballkanik.

Momenti i dytë interesant është ai që Shqipëria përmendet me emër si objektiv i mbështetjes dhe i krijimit të forcave filoruse. Pra Shqipëria shfaqet si një objekt i veçantë i synimeve, i veprimtarisë dhe i ndërhyrjes direkte ruse. Është një situatë, për të cilën kam tërhequr vazhdimisht vëmendjen dhe qysh në vitin 2016 kam theksuar se lobi rus në Tiranë është më i fuqishëm nga sa e pandehim, duke tërhequr vëmendjen tek fenomeni i një rusofilie në mediat shqiptare: “Ky fenomen negativ, ndonëse në embrion, duhet trajtuar me seriozitet nga institucionet shtetërore shqiptare, sepse sponsorizimet ruse, që nga mediat e deri tek “shoqatat jofitimprurëse” dhe tek forcat politike të majta dhe të djathta mund të shkallëzohen, duke shkaktuar të papritura të pakëndshme në zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe në inkurajimin e destabilizimit të vendit në forma të ndryshme.

Uria gjeopolitike ruse nuk shenjon vetëm Malin e Zi, por tërë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë”. (“Ballkani Faustian”, 2016, fq.417). Lobi rus në Tiranë vazhdimisht përpiqet ta mbulojë dhe minimizojë ndërhyrjen ruse në Shqipëri. Sa herë që NATO ose BE ose personalitete brenda vendit ngrenë alarme për kërcënimet ruse në Shqipëri, mediat dhe portale shqiptare të sponsorizuara nga Moska shpërthejnë me tymnaja, duke ironizuar me paranojën e dikurshme të regjimit komunist për rrezikun amerikano-britanik.

Mirëpo tani kemi një institucion të rëndësishëm dhe autoritar rus, që deklaron se krijimi dhe mbështetja e forcave politike në Shqipëri të orientuara nga Moska është objektiv zyrtar i politikës së jashtme ruse në drejtim të vendit tonë. Shembujt janë të shumtë nga jeta politike, kulturore, akademike, mediatike dhe OJQ-iste shqiptare, të lidhura me sponsorizimet ruse. Glorifikimi i zhurmshëm në disa media shqiptare i pikëpamjeve ruse, i fuqisë dhe madhështisë së Rusisë dhe të presidentit të saj imperial Putin, është sinjifikativ për të kuptuar shtrirjen e lidhjeve dhe të financimeve ruse në Shqipëri. Këto financime do të bëhen edhe më të mëdha tani me fushatën e re diplomatike ruse në rajon. Siç njoftoi në 2 nëntor ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Botsan-Harçenko, në një intervistë me agjencinë zyrtare ruse TASS: “Ballkanit i duhet një prani më e madhe informative ruse dhe ne me këtë po merremi dhe ka projekte të reja mediatike”.

Konstatohet një valë e veprimtarisë së institucioneve diplomatike, politike, mediatike, ekonomike dhe të specializuara ruse në drejtim të Ballkanit, pas refuzimit të BE përhapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Madje edhe konferenca ndërkombëtare “Shën Peterburgu dhe bota sllave”, që organizoi qeveria ruse në 19-22 nëntor, fokusin e kishte tek bashkëpunimi i Shën Peterburgut me Ballkanin dhe vendet e Europës Lindore. Moska e kapi në ajër topin diplomatik, që humbi BE në Ballkanin Perëndimor, dhe menjëherë ambasadori i Rusisë në BE nxitoi t’u paraqiste shteteve kandidate të BE nga Ballkani Perëndimor alternativën ruse të integrimit në “Unionin Ekonomik Euroaziatik”, në vend të integrimit në BE.

Diplomacia ruse po mbështet fort krijimin e bllokut të ri ekonomiko-politik ballkaniko-perëndimor,të propozuar nga presidenti serb dhe të drejtuar nga Serbia. Një fushatë diplomatike ruse është në zhvillim e sipër në Ballkanin Perëndimor për të krijuar te qeveritë e këtij mikrorajoni bindjen se ato duhet të shohin alternativa të tjera, tani që BE mbylli dyert e zgjerimit. Portali rus “news-front.info” në 16 nëntor, i entuziazmuar nga samitet e Vuçiçit në Novi Sad dhe në Ohër, shkruante se“pritet rritje e  vëmendjes së kryeqyteteve ballkanike për projektet integruese alternative, ndër të tjera me pjesëmarrjen e Rusisë, Kinës, etj”. Në kuadrin e këtyre alternativave Moska po përkrah projektin serb të “zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore” si një formë e shkëputjes nga integrimi europian dhe e nxitjes së kthesës së vendeve të rajonit drejt Rusisë. Përveç rrethanës së vetos ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sapo Franca në nëntor propozoi për vendet e Ballkanit Perëndimor modelin e ri të integrimit në zonën ekonomike të BE në vend të anëtarësimit në BE, diplomacia ruse shfrytëzoi momentin për të argumentuar rëndësinë e krijimit nga vendete Ballkanit Perëndimor të integrimit të tyre lokal, jashtë BE. Sipas diplomacisë ruse kjo e bën më të nevojshme që vendet e Ballkanit të shkëputen nga BE dhe të grupohen veçmas, siç është projekti serb i “zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore”. Ndaj mediat ruse shkruajnë se “shtetet e Ballkanit janë marrë vesh që të përpunojnë një qëndrim të përbashkët në përgjigje të modelit të ritë BE”.

Paralajmërimet e personaliteteve më të larta të Europës dhe të SHBA se Franca bëri një gabim historik në tetor me veton e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe po i hap rrugën një penetrimi më të madh të ndikimit rus në Ballkan, po vërtetohen shumë shpejt. Nëse BE po ndërpret masat profilaktike gjeopolitike të saj në Ballkan, kjo do të thotë që infeksioni i rrezikshëm, që vjen nga stepat ruse, do të kapë jo vetëm shtetet e pambrojtura të Ballkanit Perëndimor, por edhe vetë Europën./gazeta dita/