Presidenti i Republikës së Shqipërisë deklaroi shtyrjen organizimit për referendum në datën 8 dhjetor.

Me situatën e krijuar nga tërmeti shkatërrimtar, Meta e ka parë si kohën e papërshtatshme për thirrjen e një tubimi të tillë.

Në një intervistë për RTSH në emisionin “Përballë” ai thotë se nuk ka hequr dorë nga mendimi i tij për referendum por thjesht do të shtyhet për shkak të situatës.

Meta: Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, Durrësit, Lezhës por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak. Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe momenti për të krijuar apo mbajtur një fokus tjetër. Kjo sigurisht nuk do të thotë që unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është ajo e referendumeve. Po natyrisht që nuk është koha në 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni nga ndihma dhe përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre.