Dy anëtarë të jashtëm të komitetit të çmimit Nobel në Letërsi kanë dhënë dorëheqjen, nxitur edhe nga kritikat që ka marrë së fundmi Akademia Suedeze.
Gun-Britt Sundstrom dha dorëheqjen për shkak se nuk bie dakord me dhënien e çmimit Nobel në Letërsi për Peter Handke-n. Sundstrom nuk pajtohet aspak me idenë që “letërsia qëndron mbi politikën”. Sipas saj, Handke nuk e meriton çmimin më të rëndësishëm në letërsi, për shkak të së kaluarës aspak të ndritshme.
Nga ana tjetër, Kristoffer Leandoer tha se do të largohej për shkak të reformave të fundit të Akademisë në lidhje me skandalin seksual. Ai shkroi për gazetën suedeze Svenska Dagbladet se “nuk kishte as kohë dhe as durim” për të pritur që Akademia të përfundonte reformat.
Pas skandalit seksual të një viti më parë, ndonëse Akademia Suedeze u përpoq që të bënte një zgjedhje pa rrezik, në fakt rezultoi krejt e kundërta. Vlerësimi i shkrimtarit austriak Peter Handke-s me motivacionin “punën ndikuese që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar specifikat e përvojës njerëzore” u pasua nga një reagim i ashpër i qytetarëve, akademikëve, personazheve të njohur shqiptarë dhe të huaj.
Handke ka mbajtur një qëndrim pro-Serbisë përsa i përket Luftës Jugosllave dhe bombardimeve të NATO-s, që sollën pavarësinë e Kosovës dhe vendeve të tjera nën udhëheqjen serbe, gjë që kanë ndikuar që figura e tij të shihet me kritika duke u përshkruar si përfaqësuese e nacionalizmit ekstrem serb.
Në të kaluarën, ai ka sulmuar mediat perëndimore duke i akuzuar për keqpërfaqësim të shkaqeve dhe pasojave të luftës. Me po të njëjtat tone, ai ka shkruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.
Ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç, i njohur si “kasapi i Ballkanit”, kërkoi që Handke të thirrej si dëshmitar i tij mbrojtës në Gjykatën Penale për Krimet e Luftës së ish-Jugosllavisë, por shkrimtari nuk pranoi. Ai shkoi në gjykatë si spektator. Handke mori pjesë në funeralin e Millosheviçit në 2006-n, ku mbajti një fjalim.