Libri “Lisus–Naisus (Rruga e vjetër Lezhë–Nish)” kjo rrugë e vjetër iliro-dardane ku ende sot i ka gjurmët e saj, ka pas vetes shumë histori, ngjarje, personalitete, ndodhi që në vargun poetik jam munduar të pasqyroj historinë e tyre dhe rolin që kanë, ku shumë figura janë lënë në hije dhe nuk është punuar sa duhet për to. Shembull: Perandori Konstandin që gjithë bota shkruan për të, ne ende nuk kemi një punim ose studim në shqip, kur dihet se ka qenë dardan. E pashë të arsyeshme së paku një poezi t’ia kushtoj me titull “Konstandini ynë”, sepse ai është i yni edhe pse sot sllavët duan ta përvetësojnë dhe t’i kushtojnë vepra dhe filma në Hollywood bëmave të tij.

Ky libër ndoshta brezin e ri të tokës së shqiponjave, pra shqiptarët, i frymëzon që fëmijët tanë të kenë një kampus dhe tablo memoaresh për mbretin Monun, Longar, Gent etj.. Mos t’i lëmë mbrapa historitë mijëravjeçare sepse duke u marrë me degët, do të harrojmë rrënjët, dhe duke humbur rrënjët, do t’i thajmë edhe degët. Ky zë vjen nga shtresat e tokës sonë shqiptare, ashtu siç e them në poezinë “Një zë nga lashtësia”:

“E dëgjova atë zë

Që ishte i lashtë

Zë që vjen nga shtresat

Ato ishin bërë palë-palë”.

Poezia historike është motiv për brezat për të mos harruar identitetin e tyre se kush janë, nga vijnë dhe ku do të shkojnë. Nëse ne e harrojmë të kaluarën dhe nuk mësojmë nga ajo që të mirat që i kemi bërë në të kaluarën, t’i përforcojmë edhe në të tashmen dhe të ardhmen, e gabimet e kaluara mos t’i përsërisim në të tashmen dhe në të ardhmen.

Në libër flas edhe për hulumtimet dhe ekspeditat e mia nga terreni që kam bërë e arritur, shembull: poezia me titull “Shputa e gurit”:

“Asaj lartësie ngjitesha

Pashë rrugë formë rrethore

E bari dukej i tharë

Gurë vullkanik kudo në arë”.

Ose poezia me titull “Në thep të malit” nga udhëtimi im në Malin e Komit në vendlindje:

“Pashë shumë shpella e hoje

Shumë rrugë e kroje

Ca qeramika antike

Në këto shpate parahistorike”.

Libri flet për vende dhe kohë, personalitete e ngjarje të cilat ju duhet t’i njihni sepse duke i njohur ato do t’i njihni edhe rrjedhat e refleksionit të menduarit dhe duke hapëruar në hapësira do të njihni historinë, filozofinë dhe zhvillimet e kohës. Rrugët hapin horizonte dhe kjo rrugë hapi horizontin e qytetërimit verior duke shtegtuar mes maleve e fushave, duke tregtuar e duke shkëmbyer dije e përvoja ashtu si urtarët kur shkonin në mësime te mjeshtrit e dijeve të frymëzuara nga librat e hershme.

Në këtë libër poetiko-historik do të gjeni atë që po na mungon kohët e fundit, e ajo është atdhedashuria.

                                                                                                Arbër BERISHA

Prishtinë, 04.11.2019