1.

Siç është bërë e njohur përmes shtypit dhe mediave të tjera, në kryeqytetin tonë, në datat 13-17 nëntor, po zhvillohet Panairi i Librit “Tirana-2019”. Në këtë veprimtari të përvitshme, në Pallatin e Kongreseve, janë çelur disa pavione, me libra të autorëve, si nga Shqipëria, Kosova e trojet tjera amtare, por edhe nga Diaspora jonë, nëpër shtete të ndryshme.

Në këtë kuadër, sot përurohet libri i ri monografik “Marigoja shqiptare”, me autor shkrimtarin e mirënjohur Viron Kona. Ai i kushtohet atdhetares, shkrimtares estilistes së njohur shqiptare-norvegjeze, Emine S.Hoti. Në përurim janë ftuar mjaft miq e të njohur të tyre, në këtë veprimtari, e cila organizohet në kryeqytetin tonë të bukur, arsimdashës, kulturëdashës e artdashës etj.

Sigurisht, pjesëmarrësit, krijues në poezi  e prozë dhe lexues të tjerë, do të flasin në këtë përurim, duke i përgëzuar, si autorin dhe personazhin e Monografisë, krijuesen Emine S.Hoti.

Me këtë rast, në pamundësi pjesëmarrjeje, unë dërgova një përshëndetje e urim për këtë arritje të shënuar, në vazhdën e botimeve, që ka publikuar vetë kjo bashkatdhetare, nga Drenica martire e Kosovës dhe me banim në Norvegjinë veriore, duke patur kurdoherë në mendje e në zemër vendlindjen dhe të gjitha trojet tona amtare.

Kështu, kjo veprimtari përuruese do të mbetet një ngjarje e paharruar në jetën e gjithë pjesëmarrësve në të, por dhe miqëve e dashamirësve të tjerë të letrave shqipe..

Kapak i një libri, nga disa, që ka botuar autorja Emine S.Hoti…

2.

Sigurisht, ju mund jeni ne dijeni, ashtu siç do të flitet dhe në atë tubim përurues, që Emine S. Hoti  ka shkruar, botuar e publikuar disa libra, të bukur dhe me tematikë të larmishme, si në poezi e prozë, për fëmijët e të rriturit. Po sjell në vëmendjen tuaj edhe librat me titujt: “Jetë ferri!…”(me temë plagën e emigrimit të shqiptarëve nëpër botë); “Lulet e vendit tim…”(me temë mallin e pashuar për vendlindjen); librat tjerë me poezi të fryëmëzuara: “Zëri: Hija e heshtjes”, “Pyesni zemrën” etj.

Kështu, pra, edhe kjo autore e nderuar po zë një vend të merituar, ndërmjet sa e sa krijueseve emigrante shqiptare, të cilat jetojnë, punojnë e krijojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, që nga Europa, Amerika, Kanadaja e më gjerë.

…Pa u zgjatur, në mbyllje të këtyre pak radhëve, e  uroj me zemër bashkatdhetaren tonë, Emine S.Hoti (Krasniqi), si për këtë libër monografik, i cili i kushtohet asaj, që e meriton plotësisht, por dhe për të gjitha botimet e mëparshme, nga mendja e dora e saj!

Shpresoj dhe jam i bindur, që ajo, përsëri, do të shkruajë e publikojë libra, gjithnjë e më të bukur, të cilët do të pëlqehen nga masa e lexuesve, si në emigracion, në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera amtare.

-Respekte të veçanta për ty, me shëndet të plotë, mbarësi e krijimtari, gëzime e lumturi, vetjake e familjare, e nderuara mike bashkatdhetare, Emine S.Hoti!

Mirupafshim, në përurime të reja, në kryeqytetin tonë!

Tiranë, 15 nëntor 2019

 

Please follow and like us: