Për të dytën herë gjatë këtij viti 37 milionë spanjollë me të drejtë vote do të zgjedhin një parlament të ri. Kjo do të thotë se spanjollët për herë të katërt brenda katër vitesh do të dalin në vendvotime, për shkak të problemeve me funksionimin e koalicioneve qeveritare dhe qeverive të atjeshme. Por ekspertët thonë se bllokada politike në Spanjë mund të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve. Mendohet se pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë shumë më e ultë se në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Në prill kanë votuar rreth 72% e qytetarëve me të drejtë vote.
Në sondazhet e fundit thuhet se në Spanjë sërish nuk do të ketë ndonjë shumicë stabile qeveritare. “Partia punëtore socialiste” (PSOE) e kryeministrit aktual Pedro Sánchez mund të llogarisë sërish me fitore. Por vëzhguesit thonë se kjo parti do ta ketë gati të pamundur të krijojë një koalicion të qëndrueshëm. Në sondazhe nuk shihet ndonjë shumicë e qartë e të majtës apo të djathtës politike. Për krijimin e qeverisë nevojiten 176 nga 350 mandate sa ka parlamenti në Spanjë.
Sánchez ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me forca të tjera politike. “Fundi i bllokadës politike nuk duket në horizont”, shkruan gazeta “El País”. Sánchez ka kërkuar pa sukses me muaj të tërë një forcë tjetër politike për krijimin e koalicionit qeveritar. Në shtator mbreti Felipe VI. ka shpallur zgjedhjet e reja.
Shumë spanjollë duket se janë lodhur me votime. Këtë dëshmon edhe numri i zgjedhësve me postë, i cili ka rënë dukshëm krahasuar me ate në prill të këtij viti.
Shkaku kryesor i dështimit të krijimit të koalicionit është numri i madh i forcave politike në vend. Më parë ka pasur në fakt vetëm dy parti të mëdha, ndaj në pushtet kanë qenë socialistët ose Partia konservatore popullore PP. Nuk ka pasur nevojë për koalicione.
PP do të shtojë numrin e votave, pas rënies serioze të mbështetjes në zgjedhjet e fundit. Me vëmendje të madhe pritet edhe rezultati i partisë djathtiste estreme – Partia Vox, e cila mbështetet tek trashëgimia e diktatorit spanjoll Francisco Franco. Mendohet se ajo do të fitojë rreth 12 – 14 % të votave, që do të thotë se ajo mund të jetë edhe forca e tretë politike në vend. Vox është futur në parlament për herë të parë në zgjedhjet e fundit me rreth 10 % të votave.
Një nga faktorët vendimtar në këto zgjedhje, sipas vëzhguesve, mund të jenë protestat e vazhdueshme të katalonasve, për pavarësi. Forcat konservatore në Madrid kritikojnë kryeministrin Sánchez për mungesë vendosmërie kundër katalonasve. Për të evituar kaosin në ditën e zgjedhjeve në këtë rajon, autoritetet kanë angazhuar rreth 8000 nëpunës rajonal dhe 4500 policë federalë dhe gardën civile. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 20.00 në pjesët qendrore, ndërsa në ishujt Kanare deri në ora 21.00
bc/stu/mak (dpa, rtr, afp)