-Parathënia e Bardhyl Londos për librin me poezi të përzgjedhura “Në kërkim të gjuhës”, të poetit Besnik Mustafaj (Sh.B. “Ditët e Naimit”, Tetovë, 2019)-

Besnik Mustafaj është nga ata shkrimtarë që ka përshkuar një rrugë jo të vogël në letrat shqipe. Është vështirë, madje e pamundur, ta ndash tani emrin e tij nga letërsia shqipe, nga të përpjetat dhe tatëpjetat e saj, nga erërat dhe flladet, nga baticat dhe zbaticat aq të natyrshme për një letërsi. Për fat të mirë, emri i Besnik Mustafajt jo vetëm ka qenë gjithmonë i lakmuar dhe kërkuar prej lexuesit, por ka qenë nga ata emra që shqetësonte me mungesën e vet për një farë kohe (kam këtu parasysh angazhimet e tij politike), sado që kjo kohë ka qenë fare e shkurtër, madje e papërfillshme dhe asnjëherë nuk ia ka dalë të mbizotërojë prirjen themelore: artin e fjalës së shkruar. Rruga letrare e Besnik Mustafajt për fat të mirë ka qenë dhe do të jetë më e gjatë se rruga politike, por, gjithsesi, në të dyja fushat spikat personaliteti i qartë dhe imponues i autorit, humanizmi dhe largpamësia për atë që ka ndodhur dhe për atë që do të vijë.

Është dukur nganjëherë sikur kariera politike do ta dëmtonte rrugën letrare të Mustafajt. Por ky shqetësim, sado dashamirës, ka qenë krejt i kotë. Brenda politikanit të urtë e vizionar ka ndejtur gjithmonë gati për të shpërthyer shkrimtari dhe poeti elegant, i thellë, gjithmonë në kërkim të hapësirave të reja dhe të pashkelura letrare, gjithmonë i gatshëm për të bashkëbiseduar me lexuesit e tij të shumtë. Eshtë arritje e padiskutueshme, madje është domosdoshmëri, kur shkrimtari, veç lexuesve kalimtarë, të rastësishëm apo rishtarë, ka tashmë lexuesin e vet që e ndjek në çdo botim, që i drejtohet librarive apo tezgave të panaireve pa dalë mirë libri në shitje. Për më tepër ai ka lexuesin e vet në të gjitha trevat ku flitet shqip. Jam i bindur që nuk e teproj fare kur pohoj se Besnik Mustafaj është ndër pesë gjashtë shkrimtarët shqiptarë që lexohet gjerësisht si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Shkup, Mal të Zi, kudo ku ka shqiptarë.

Ndoqa me kurreshtje ecurinë e dy librave të fundit të Besnikut, romanin dhe librin me poezi. Interesimi për librat e tij ishte një përgënjeshtrim i thekur i slloganit aq të përhapur padrejtësisht se në Shqipëri nuk ka më lexues të rregullt të librit. Në Shqipëri ka lexues, por duhet të jenë librat në lartësinë e shijeve dhe kërkesave të tyre.

Me çdo libër të ri, Besnik Mustafaj rikthehet të kërkojë dhe gjejë lexuesin me artin e fjalës poetike, me atë art që e bëri të njohur tek lexuesi shqiptar i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Ka qenë një mungesë e gjatë e autorit në poezi, rreth 20 vjet. Dhe ja tani, ai shfaqet para lexuesit po aq i befasishëm, i veçantë dhe i ndjeshëm si gjithmonë. është një poezi që nuk shkruhet por buron vetiu, një poezi që nuk bërtet e deklamon, por vlon së brendshmi, një poezi që merret jo me dukjen por me atë që ndodh në brendësi dhe thellësi të shpirtit. Asgjë pothuajse nuk ka braktisur poeti nga rruga e mëparshme poetike, sepse nuk ka pasur nevojë të braktisë, të operojë veten duke i hequr shtresa dhe mbishtresa parazite gjatë rrugës jo të shkurtër që ka përshkuar deri tani, aq më tepër kur dihet që kjo rrugë ka qenë e shtrirë në dy sisteme të ndryshme e krejt të kundërta me njëri tjetrin. Është fat i madh, por edhe shenjë e vërtetë talenti e formimi kur nuk ke nevojë për të bërë make up – e apo operacione plastike sa herë që ndërohen sistemet dhe kohërat.

Si në të gjithë librat e vet poetikë, edhe tek “Biri i Adamit“ Mustafaj i qendron besnik vetes sa nganjëherë të duket maniak (e kam në kuptim më të mirë të fjalës dhe qesh me veten time sa herë më kujtohet kjo fjalë). Po cili na qenka ky “ manierizëm “ i Mustafajt? Poeti në çdo libër krijon ose ndërton një bosht dhe rreth këtij boshti vërtitet gjithë bota poetike, gjithë materia poetike, gjithë baticat dhe zbaticat shpirtërore. Kjo qendër, ky bosht rreth të cilit në librin e ri vërtitet gjithë bota poetike e Besnik Mustafajt është zbulimi i burrit.

Zbulimi i burrit jo në kuptimin patriarkal të fjalës dhe as thjesht në konteksin gjinoro – seksual, por i burrit që krijon dhe gëzon jetën. Asnjë kuptim nuk mund të ketë jeta në rast se nuk je i zoti të zbulosh dhe të krijosh e rritësh burrin brenda vetes, burrin në marrëdhënie me gruan, por edhe me botën dhe me jetën. Ja si fillon poezia “Zbulimi i burrit “: Nuk ishte Jakobi ai, isha unë / që po zbuloja si nëpër ëndërr burrin / te vetja. Sa bukur ishte! Në një heshtje/ prej guri të kuq u zhyt befas bota/vetem që unë – ky tjetri, i porsazbuluari – / të dëgjoja si ngjitej plot uturimë / përpjetë gjithë gjaku i trupit tim / drejt nga zemra tek gjuha.
Burri i Besnik Mustafajt nuk është Adami, i cili si “ trashëgimtari tokësor / i verbit yjnor, kur mori Evën në krahë/dhe ndjeu çfarë gropash trallisëse bënë / thellë kraharorit të tij gjinjtë e bardhë të gruas, / u mjaftua, i vetëkënaqur nga mëkati, / stërgjysh egoist e dembel. Nuk gjeti dhe fjalën / të tegonte për pasardhësit çfarë ndodhi / jo mbi lëkurë”. është krejt tjetër, është Jakobi që për gjithëçka ndodh brenda tij, për të gjitha ato ndjesi të jashtëzakonëshme vullkanike që shkaktohen nga kontakti i tij me Rakelën, pra me gruan, ndjen domosdoshmërinë të ulërijë si ujk, të njoftojë gjithë botën dhe gjithë njerëzimin për atë gjë krejt unikale që po provon. Akti i shenjtë i zhvirgjërimit aq mitik dhe misterioz në psikozën dhe letërsinë popullore, në vargjet e Mustafajt vjen i përshkruar me ngjyra që të kujton të kuqen e famshme të piktorëve të mëdhenj, të ikonave, duke përfshirë edhe të kuqen e papërsëritshme të Onufrit. Por ndryshe nga mentaliteti dhe mendesia popullore ballkanike që e mistifikon aktin e zhvirgjërimit ose e ngarkon me shtresa e nënështresa të dënshme dhe të papranueshme për kohën, Mustafaj e shpall si një akt sublim për të pohuar zbulimin e burrit, jo në kuptimin e epërsisë që ka mbi gruan ( kurrë nuk i shkon në mendje diçka e tillë autorit), por si një veprim nga më të natyrshmit dhe më të domosdoshmit të pohimit jo thjesht të burrit, por të vetë jetës njerëzore. Thelbi i kësaj jete është pikërisht shpallja e burrit, pra gjaku i kuq i Rakelës dhe ulërima prej ujku e Jakobit.

Mund të krijohet përshtypja se nganjëherë në vargjet e Mustafajt perdja e skenave të veprimit Jakob – Rakelë, ngrihet më shumë nga sa jemi mësuar të shohim deri tani në poezinë tonë. Edhe mund të jetë e vërtetë, por ky nuk është as faji i poezisë dhe as i autorit. Përkundrazi është meritë sepse na nxit të mos i fshehim “mëkatet” me hipokrizinë që fshehu Adami raportet me Evën por t’i shpallim me ulërimën e ujkut të Jakobit. Është një ulërimë që nuk mund të kuptohet assesi pa elementët maskilistë dhe fuqinë mashkullore, po në thelb është një zbulim dhe pohim i vetë jetës, i domosdoshmërisë së bashkëpunimit dhe lidhjes së ndrsjelltë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa Rakelën. Jakobi nuk do të ulurëjë më si ujk, nuk do të ndjejë më vërshimin e papërsëritshëm të gjakut të kuq. Mollën e Adamit e hanë të gjithë, por ulërimën prej ujku të Jakobit mundohen ta fshehin me hipokrizi.

Besnik Mustafaj vjen me një libër krejt të veçantë. Kjo për mua do të thotë shumë, ose, për ta thënë me ulërimën prej ujku të Jakobit dhe jo me hipokrizinë e Adamit, do të thotë gjithçka. Unë mund të ndalesha në shumë vizione të tjera që projekton kamera e begatë poetike e Mustafajt, por tani për tani më duket më e arsyeshme për të nënvizuar me forcë dhe për mos ta ngatëruar më të tjera, atë që më tërhoqi më shumë vëmendjen: ulërima e bukur prej ujku e Jakobit, si zbulim i burrit, si pohim i jetës dhe si mohim i hipokrizisë së Adamit.

U përqendrova tek libri më i ri me poezi i Besnik Mustafajt jo vetëm se ai është dhurata më e freskët e B. Mustafajt për lexuesin e shumtë të tij, por edhe sepse është një ngjarje për letërsinë dhe poezinë shqipe. Tani një lajm tjetër i gëzueshëm: poeti botohet në një qendër tjetër të madhe të shqiptarisë dhe të kulturës shqiptare, në Tetovën e bukur dhe plot histori domethënëse. Për më tepër në kuadrin e një ngjarjeje kaq të madhe kulturore, siç janë “Ditët Naimit” të Tetovës.

Udhë të mbarë!

Bardhyl LONDO