Pas Panaritit mes malesh e Drenovës në rrëzë vendosëm të shkojmë në Zvirinë që për fushën e Korçës është kërthizë! Kthyem djathtas rrugës nacionale dhe nja 500 metra thamë se ishim në bulevardin kryesor të Tiranës para hedhjes të shtresës së bitumit! Pastaj deri në fshat rruga gropa-gropa gojëhapur për ndërhyrje! Por shpejt po u vinte rradha!Shtëpitë e vjetra me mure me plitharë e tulla të kuqe ngjanin me plakat e fshatit gati të palosura nga mosha por të rejat ishin si vila Enver Hoxhës mes bllokut në Tiranë! Ajri mbante era mollë! Në mes të fshatit kamionë të stërmëdhenj me targa serbe e tonat në rradhë për tu mbushur me mollë. Para e madhe molla!Të zgjuarit ja dinë kimetin dhe vinë nga ana e anës ta ngrenë me para në dorë!Ne?! Solla në mend pamjet me mbulimin e lumit Devoll me mollë që shkonin drejt detit si frut pas dreke për peshqit! Dhe premtimet llapaqenase në mitingje fushatash se kokërr molle s’ do lënë të kalbet a të hidhet në lumë po morën votën… prap e prap e… prap!
Por ne ishim nisur për drekë tek lokali me emër i Zvirinës! Dhe?! Unë i lirova të gjitha vrimat e rripit të mesit e barku mu bë kacek nga të ngrënit si i babëzitur! Haja ashtu jufkat, sallatat, mishin e zoçkave,djathin e gjizën e embël a salcën e bardhë, bukën e ngrohtë mbushur me shuka gjalpi me aromë trëndelinë e mollët me mjaltë lyer për qef, e rakinë i pija me hundë nga kënaqësia por edhe nga frika se mos Berti pinte më shumë! Kështu bënte Nini me jufkat mos e kalonte Kozeta e Kledia! Në fund, nga kënaqësia e stërmadhe Kledia rrëmbeu faturën ta paguante ajo! E lamë! Ajo shtangu! Na bëri quiz! Gjejeni sa është fatura, na kërkoi. Ne sollëm në mendje hajet me ushqim të ngjashëm gjetkë nëpër Shqipëri dhe… të tërë gabuam! As i ishim afruar çmimit të faturës që ish për pesë veta… 20 euro!!! Çfarë fati Kledia!
Unë i hodha sytë nga kurrizi i bardhë i zoçkës së rradhës në pjatën time dhe më erdhi keq për barkun tim që as edhe një gram mish nuk e nxinte më! Ta merrja me vete më erdhi turp!