Ku i ke fëmijët Shqipëri?

Anë e mbanë botës shpërndarë

Komunizmi iku, por ti më keq

Bijtë e bijat e tua ke vrarë.

Jeta dhe arti s’përparojnë

Mbrapsh dhe në terr sorolliten

Këmbët e tyre dridhen nuk qëndrojnë

Me plagët hapur, në dhé zvarriten.

Bijat dhe fëmijët në rrugë të Evropës

Prostituta dhe lypës në çdo cep rruge

Ti syrin qorr, veshin të shurdhër bën

Fëmijët e tu po rriten me thërrime buke.

Dhe plagët e tyre s’të bëjnë përshtypje

Ti shqetësohesh vetëm kur s’ke gjepin plot

Dhe nënat pa bijë, fëmijët pa prindër

Nuk të dhëmb ty fare se derdhin gjak e lot.

Artistët e tu ikën tu lajnë pjatat botës

Për kafshatën e gojës, të pastrojnë shtëpi,

Të drejta kurrë si dhe në vend njeriu

Dhe mburresh me lugë bosh, rron në korrupsi.

Dhe thua je krenar që je Shqiptar

Dhe turpin, meze (pa bukë) ha ti

Fëmijët që le rrugëve lypsar të kriminelëve

Sjellin vetëm dhimbje, nuk janë krenari.

Bijtë e Arbrit, të Gjergj Kastriotit

Muret dhe rrugët e botës po ndërtojnë

Të ushqejnë familjen nuk gjejnë mundësi tjetër

Që gurin në mëmëdhe të gdhendin, ledhatojnë.

Dhuna, padrejtësia duhet të ndalojnë

Zërin e plakut, të voglit duhet ta dëgjosh

Të ngrihesh, jetës ti japësh përparim

Që përkrah Evropës jo mbrapa të udhëtosh.

_________________________

Poetja Irena Vladi May ka lindur në Tiranë dhe u largua nga Shqipëria në dimrin e vitit 1997. Ajo lëvizi në Florida në vitin 2003, ku jeton dhe sot me katër fëmijët, burrin dhe macën e saj Amora.

Kjo poezi është marrë nga libri poetik i autores “Kur unë të kthehem”, botuar në Amerikë dhe, kohët e fundit edhe në Shqipëri, me përmbledhje të disa prej poezive të saj nga shkolla e mesme (që i shpëtuan zjarrit) dhe disa të vetme vitet e fundit për të përfunduar librin e saj. Ajo u betua në verën e vitit 1999 se nuk do të shkruante poezi në shqip për të protestuar kundër dhimbjes që i shkaktoi vendi i saj i lindjes. Me gjuhën e prerë dhe zemrën të thyer ajo emigroi jashtë vendit ku nuk u kthye për të vizituar për 17 vite rrjesht.

Libri i saj i parë me poezi titullohet “When I Am Done I WillRest My Case” që është botuar në USA. në anglisht përmes Amazon, në letër, dhe e-libër në Kindle, gjithashtu në Barns dhe Noble. Libri i saj mund të blihet përmes Amazon në Amerikë, Angli, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë dhe Japoni.

Ajo është duke përfunduar librin e saj të tretë me poezi: “The Girl With A Single Pearl” si dhe librin për fëmijë “SharkyMcTarky.” Gjithashtu ka përfunduar edhe libra të tjerë për fëmijë që janë në ilustrim dhe do të shkojnë në publikim së shpej.

Ju mund ta kontaktoni me email: irenaflux@gmail.com