Tani le të flasim për djalin e patriotit e pleqnarit të njohur Myftar Mustafa râ martir i Kombit për  Pavarësinë (1912), i shpallur  “Dëshmor i Atdheut” (1983), për Salih Myftar Kolgecin, për jeten dhe aktivitetetin e tij arsimor e atdhetar në shërbim të Kombit Shqiptar.

Salih Kolgeci mbeti jetim në moshë të mitur, pati të njëjtin fat si baba i tij. U rrit nën kujdesin e të afërmëve të tij në Vllazninë Mustafaj në Kolgecaj (sot qyteti Bajram Curri-qendra administrative e Bashkisë së Tropojës).

Me përkrahjen e vllaznisë së tij e të mësuesve mundi të kryente shkollen fillore në vendlindje, në Kolgecaj, në lnternatin (Konviktin) “Kosova” duke dalë me rezultate të shkëlqyera.

Salih Kolgeci pati fatin e mirë që kishte mësues dhe edukatorë figura të shquara të Arsimit tonë Kombëtar nga Kosova, siç ishin: Niman Ferizi (sot “Mësues i Popullit”), ish drejtori i parë i shkollës në vitin mësimor 1923-1924 , ish Sekretar personal i Bajram Currit. Më parë kishte qënë Nënprefekt i parë në Bujan. Ai merrej më shumë me politikë, ndaj me propozimin e Bajram Currit ishte zgjedhur Deputet i Malësisë së Gjakovës në Parlamentin Shqiptar të vitit 1923.

Pas largimit të Niman Ferizit për në Parlament, drejtor i shkollës dhe i Internatit “Kosova” erdhi Ibrahim Fehmiu. Ai ishte mësues me pasion të madh e vullnet të çeliktë për të kryer detyrën, ndaj përgatitja e tij për mësim nga ana pedagogjike ishte e kujdesshme. Rëndësi të veçantë gjatë orëve të mësimit i kushtonte anës edukative, morale e patriotike. Ai ishte trim, mori pjesë me forcat e Bajram Currit në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, ku këto forca pasi çliruan Krumen e Kukësin hyjnë në Tiranë. Nën shembullin e mësuesit, drejtor i shkollës e konviktit “Kosova”, Ibrahim Fehmiut dhe me udhëheqjen  e tij, pati shumë nxënës të shkollës që muarën armët për të luftuar kundër bandave kriminale e tradhëtare që të ndihmuara edhe nga Pashiqi-kryeministri serb, kishin ardhur për të shtypur lirinë e demokracinë në Shqipëri. Ndër këta nxënës ishin kosovari Asim Vokshi e Mal Rexhepi Gjyriqi nga Kolgecajt, etj., ku ky i fundit kishte luftuar me forcat e Bajram Currit në Kryengritjen e Mirditës.

Salih  Kolgeci gjatë shkollimit në Kolgecaj gjeti përkrahjen e veçantë të mësuesit human Ibrahim Fehmiut, jo vetëm se ishte jetim, por edhe një nxënës shembullor në mësime, në sjellje e kudo. Ai e ndihmoi që të futej në konviktin (Internat) “Kosova” që për të ishte një gëzim shumë i madh se tashmë e kishte më të lehtë të përballonte vështirësitë ekonomike të jetës, çka i dha mundësi për të mësuar më mirë.

Mësues të klasës së parë në vitin shkollor 1923-1924, Salihi me shumë shokë të tij, kishin Mana Shaqen (Osman Shaqirin) nga Gjakova, i cili kishte patur mësues gjatë shkollimit të tij patriotët e atdhetarët e flaktë Sali Gjuka e Bedri Pejanin, që kishin qënë firmëtarë në Aktin e Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, nën drejtimin e Ismail Qemalit në Vlorë.

Mana Shaqa me përgatitjen e tij teorike, praktike, metodike e pedagogjike iu mundësonte nxënësve përvetësimin e mirë të programit mësimor, ku shumica e tyre kishin ardhur nga Kosova për shkak të mbylljes së shkollave shqipe atje nga pushtuesit e kohës. Kishte qënë Bajram Curri, ai që kishte mundësuar hapjen e shkollës shqipe në Gjakovë më 1915-tën dhe vendosjen e Mana Shaqës, mësues në atë shkollë.

Për Sali Kolgecin tërë jetën mbetën të pashlyeshme kujtimet me Bajram Currin e Hasan Prishtinën në bjeshkët e Bradozhnicës së Tropojës, me ndërmjetësimin e shokut të babës së tij, Zog Smajli. Në këtë takim, Salih Kolgeci, i çon Bajram Currit një shportë me boronica mbi të cilat shkruan me drëdhëza të kuqe gërmat “Rr.B.C”, çka do të thoshte “Rroftë Bajram Curri”. Kur Bajram Curri e mësoi se Salihi ishte djali i Myftar Mustafës, të cilit (Salih Myftar Kolgecit) i kishte çuar një “mauzer turkie” në kujtim të babës së tij, si bashkëluftëtar i tij dhe tani Dëshmor i Atdheut. Bajram Curri ia prezantoi Salih Kolgecin edhe Hasan Prishtinës. Kur Hasan Prishtina mësoi nga Salihi se ai kishte mbaruar klasën e parë të fillores me të gjitha notat 1-sha (për atë kohë ishte nota më e lartë) e porositi që të vazhdojë të mësojë edhe më shumë, sepse Atdheut i duhen njerëz të mësuar e të ditur. Porosi kjo që i vlejti gjatë gjithë jetës së tij.

Në klasën e tretë Salih Kolgeci pati mësues një Gjakovar tjetër, Sali Morinën (sot “Mësues i Popullit”), i cili nga drejtor i shkollës shqipe në Gjakovë në vitin 1915, kishte ardhur drejtor i shkollë–konviktit “Kosova” në Kolgecaj në vitin 1925. Me përgatitjen dhe aftësitë e tij pedagogjike që i zotëronte si mësimdhënës, Sali Morina nguliti te nxënësit e vet njohuritë shkencore të qëndrueshme mbi bazën e programit mësimor. Ai, njëherësh, ishte një patriot i madh, që nguliti thellë tek nxënësit dashurinë për Atdheun. Kështu në kuadrin e Festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, përgatiste me nxënësit program të pasur artistike si: recitime e këngë patriotike, dialogje, skeçe e komedi, ku në rolin kryesor vinte Asim Vokshin si më i përgatitur. Por rëndësi të veçantë i kushtonte njohjes së nxënësve me vendet ku ishin zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike në luftë  kundër pushtuesve osmanë në vitin 1912.

Salih Kolgeci arriti të përfundojë shkollen nga gjashtë vjet që ishte në katër vjet, nga viti 1923 deri më 1926, duke dalë me të gjitha notat 1 (njisha). Ishte Sali Morina, që me autoritetin e tij si Drejtor i Shkollës- Internatit “Kosova” dhe si inspektor i Arsimit për Qarkun, bëri të mundur nxjerrjen e tri bursave nga Qeveria në vitin 1926 për në Shkollën Normale të Elbasanit, për nxënësit: Salih Kolgeci, Asim Vokshi e Rexhep Shpendi. Në fakt Asim Vokshi shkoi në Gjimnazin e Shkodres dhe, më vonë, pas disa vitesh, ishte liruar nga burgu dhe shkoi në Luftën e Spanjës (1936-1939) kundër fashizmit, me disa shokë të tjerë, sidomos nga Kosova, siç ishin: Veli Dedi (Gjeneral, Hero i Popullit), Ramiz Varvaricen, Emrush Myftarin, Xhemal Kaden e të tjerë nga Shqipëria. Aty, Asim Vokshi bie heroikisht në mbrojtje të lirisë së popullit spanjoll. Për këtë akt sublim është shpallur “Hero i Popullit” dhe në qytetin “Bajram Curri” është përjetësuar me vënien e emri të tij Gjimnazit të atyshëm, ku i mori mësimet në shkollën fillore Internat “Kosova”.

Salih Kolgeci  i filloi studimet në Normalen e Elbasanit në vitin 1926 dhe i përfundoi ato në vitin 1931. Ai ishte nxënës i dy prej figurave më të spikatura të arsimit tonë kombëtar: i prof. Aleksandër Xhuvanit dhe prof. Ahmet Gashit. Gjatë studimeve në Normale, e cila përgatiste mësues, krahas marrjes së njohurive shkencore, u aftësua si mësimdhënës, si përçues i dijeve tek nxënësit e tij të ardhshëm, që në fakt përbën një art më vehte. Aty u diplomua mësues për shkollat fillore, por që më vonë me aftësitë e tij u bë mësues e drejtues i shkollave 8-vjeçare e të mesme Gjimnaz e Normale, si dhe mësues e drejtues kursesh pedagogjike të Gjuhës Shqipe.

“Mësuesi i Popullit”, prof. Gani Demir Ratkoceri, në kujtimet për mësuesin e tij Salih Kolgeci do të shprehej: “Unë mësuesin Salih Kolgeci do ta quaj profesor, ndonse fjala mësues është e shenjtë dhe megjithëse këtë titull shkencor se ka pasur për arsye objektive. Por, për punën arsimore dhe shkencore që ka bërë në Shqipëri e Kosovë e meriton plotësisht, sepse më shumë ka dhënë ai pa këtë titull se ata që e kanë pasur. Për aftësitë dhe kulturen e gjërë që ka pasur, ai ka dhënë mësim edhe në shkolla të mesme normale e në gjimnaze në Kosovë”.

Detyrën e shenjtë të mësuesit Salih Kolgeci e filloi në Shishtavec të Kuksit në tetor të vitit 1931 deri në vitin 1937. Aty, fillimisht, u njoh me historikun e kësaj krahine e të shkollës shqipe aty dhe mbi këtë bazë e ndërtoi punen e tij në proçesin mësimor dhe edukativ “me vogëlushët”, siç i quante ai.

Ja si e kujtonte punen në detyrën e mësuesit në Shishtavec, Salih Myftar Kolgeci i Malësisë së Gjakovës: “Ta besoni se për Shishtavecin  ndjej një simpati të veçantë, saqë më duket si vendlindja e dytë, se aty e fillova detyrën e shenjtë të mësuesit, ku gjashtë vjet rresht punova me mish e me shpirt, me pasion e vullnet të çeliktë për t’i edukuar ata vocrrakë, që kur vinin në shkollë s’dinin t’i thonin bukës-bukë as ujit-ujë. Kënqësia më e madhe për mua ishte, kur ata mësuan të flasin e të shkruajnë në gjuhën e ëmbël të  Naimit, të Çajupit, të Mjedës e të Migjenit”.

Ja si e kujton Gjenerali Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit”e “Nderi i Kombit”,  ish -mësuesin e tij, Salih Kolgeci, në Shishtavec të Kuksit:-“….Salih Kolgeci ka dhënë mësim dhe ka drejtuar shkollen e Shishtavecit deri në vitin 1936. Me punen dhe sjelljen e tij shumë korrekte në mësimin dhe edukimin e nxënësve kishte fituar dashurinë e respektin jo vetëm të fëmijëve-nxënës, por dhe të prindërve të tyre… Falë kujdesit prindëror dhe ndihmës që më dha mësuesi Salih dhe përkushtimit tim, e mbarova shkollën  shkëlqyeshëm…Ndihmesa e tij ka qënë tepër e madhe edhe në zhvillimin e arsimit në Kosovë, kur ai ishte derguar me këtë mision me shumë arsimtarë të tjerë. Puna e tyre ishte e veçantë, pasi ata u përpoqën jo vetëm për të mësuar dhe edukuar nxënësit e rininë kosovare, por kultivuan tek ata ndjenjën kombëtare. Ky qe shkaku që mësues Salihi u përndoqën nga regjimi  jugosllav”.

Kater vjet të tjera, nga 1937-1941, Salih Kolgeci shërbeu në shkollat fillore si mësues e drejtor shkolle dhe inspektor arsimi në qytetin e Kukësit. Por si shumë mësues të tjerë, që punonin në Shqipëri, Salihi iu përgjegj thirrjes për të punuar në Kosovë për hapjen e shkollave dhe zhvillimin e arsimit atje, si një domosdoshmëri imediate për identifikimin dhe ekzistencën si Komb Shqiptar.

Kështu që, Salih Kolgeci, punoi në Kosovë për 16 vjet, nga viti 1941- 1957, si mësues i Gjuhës Shqipe, ndaj mund të quhet mësues-veteran i Arsimit në Gjuhën Shqipe në Kosovë, i cili dha një kontribut të çmuar për shkollimin e nxënësve shqiptarë të Kosovës, për t’ua mësuar atyre gjuhën e nënës, gjuhën e ëmbël shqipe si dhe për krijimin e kuadrove të reja për Shkollat Shqipe, përveçse nga shkollat normale, por edhe nëpërmjet kurseve pedagogjike verore, të cilat u hapen me propozimin e prof. Zekeria Rexhës, ish Përgjegjës i Arsimit për Kosovën si dhe të mësuesit Salih Kolgeci, i cili drejtoi e dha mësim në këto kurse si në Gjakovë, Prizren, Pejë,  Prishtinë e Ferizaj për të mbuluar sa më parë nevojat emergjente për kuadro mësimdhënës në Gjuhen Shqipe.

Ja si i kujtonte Salih Kolgeci këto kurse:-“Kursistët mësonin me dëshirë e vullnet të madh dhe ne, mësimdhënësit, silleshin me ta si shokë e kolegë të ardhshëm. Kjo gjë ua shtonte atyre edhe më tepër ndjenjën për t’i përvetësuar sa më mirë ato që shpjegonim. Mirëpo kjo nuk shihej me sy të mirë nga mësuesit serbë, pasi ende kujtonin kohën e Krajlit kur shqiptarëve iu ishte ndaluar mësimi në gjuhën amtare. Për këto suksese ata filluarn të na urrejnë dhe të shpifin kundër nesh.”

Salih Kolgeci, simësues e drejtues shkollash në Kosovë, ka një aktivitet të madh. Punën në Kosovë e filloi si mësues e drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” e, më pas, i shkollës normale në Gjakovë nga vitit 1941 deri më 1945.

Në kujtimet e tij për punën në Gjakovë, Salih Kolgeci, thoshte: “në Gjakovë, aty kam punuar me pasion dhe dëshirë të madhe, se populli i Gjakovës ishte i zhuritur për shkollë e për dituri në gjuhën amtare, si të vegjëlit ashtu edhe të rriturit, të cilët rrokën librrat dhe erdhën të mësonin në shkollat e natës”.

Po kështu, në vitet 1942-1943, Salih Kolgeci ishte drejtor i shkollës fillore “Bogdani” në Gjakovë, ndërsa në Prizren kreu detyrën e drejtorit didaktit e të gjimnazit nga 1944 deri më 1945.

Për një periudhë rreth 10 vjeçare Salih Kolgeci sherbeu në Prishtinë, në vitet 1946-1957, si mësues i gjuhës shqipe në Gjimnaz, në Normale dhe në shkollë 8-vjeçare.

Po në Prishtinë, nga viti 1945-1946, Salih Myftar Kolgeci punoi në Seksionin e Arsimit si përkthyes e hartues tekstesh shkollore, ku hartoi edhe tekstin e leximit për shkollën 8-vjeçare. Njëherësh ishte hartues i programeve dhe i planeve mësimore për Gjuhën Shqipe për kurset verore. Është për të theksuar se ai punoi edhe si redaktor letrar e punonjës shtypi në gazetën “Rilindja” e në revistën “Shëndeti” në vitet 1955-1957.

Salih Kolgeci dha kontribut të veçantë si redaktor i të gjitha emisioneve në Gjuhën Shqipe në Radio “Prishtina” në vitet 1956-1957. Ishte dhe bashlkëpunëtor me Kabinetin Pedagogjik dhe Shtëpinë Botuese “Mustafa Bakija”, me Entin e Teksteve e Mjeteve Mësimore.

Me vlera të veçanta ishin dy sintaksat e Gjuhës Shqipe të bëra nga Salih Kolgeci me bashkëautorë, si dhe i Abetares së parë të Gjuhës Shqipe për të Rritur, si bashkëautor me mësuesin tropojan Rexhep Shpendi, që u botua në Prizren në vitin 1946.

Për punën e bërë në fushën e arsimit në Kosovë, nga mësuesi veteran Salih Kolgeci, prof. Jup Kastrati në korrespondencën ndërmjet tyre shprehet: “Në këtë histori të lavdishme të traditave të shëndosha të Gjuhësisë Shqiptare, vendase, një kontribut të vyer keni dhënë edhe Ju, me tekstet shkollore të botuara në Kosovë, në dekadën 1949-1959, sidomos në fushën e sintaksës shqipe”.

Siç shihet veprimtaria e Salih Kolgecit në fushën e arsimit e të mësimit të Gjuhës Shqipe në Kosovë nga mbarë populli, është i madh dhe i një rëndësie të veçantë, çka e identifikon atë popull si pjesë e Kombit Shqiptar, gjë të cilën Shteti Jugosllav nuk e pëlqente e për pasojë mësuesi Salih Kolgeci gjatë gjithë kohës u  suverjua nga UDB- ja , u bugos dhe u shpall “I pa dëshirueshëm”, ndaj dhe u dëbua nga Kosova. Ishte pikërisht kjo veprimtari e tij që i binte ndesh politikës e fushatës çkombëtarizuese që kishte ndermarr Shteti Jugosllav duke i shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre etnike për në Turqi. Salih Kolgeci ishte ngritur kundër kësaj politike duke mos pranuar familjarisht për t’u larguar nga Kosova e për pasojë në nëntor të vitit 1957, shoqërohet nga katër agjentë të UDB-së deri në  Morinë të Kukësit, bashkë me familjen e tij.

Pas kthimit në Shqipëri, Qeveria Shqiptare e dërgoi në Elbasan në një banesë që me vështirësi i plotësonte kushtet e jetesës dhe e emëruan mësues të gjuhës shqipe në shkollën 8-vjeçare të mbramjes “Naim Frashëri”, ku punoi për nëntë vjet deri sa doli në pension në vitin 1966. Është për të ardhur keq se këtu nuk e vlerësuan për gjithë atë kontribut që kishte dhënë në Kosovë, biles shihej me dyshim e deri me survejim nga Sigurimi i Shtetit meqë tek ai vinin mjaft djemë e burra emigrantë nga Kosova, ish nxënës të tij për ta takuar e për t’u çmallur me mësuesin e tyre. Ishte politika e Sistemit të kohës që Kosovarët i shikonin me dyshim dhe trajtoheshin jo mirë. Jo më kot këngëtari, rapsodi popullor kosovar, Dervish Shaqa, në një nga këngët e tij, ku në mënyrë figurative paraqet trajtimin jo të mirë në Shqipëri, thotë, ndër të tjera:-“Moj Kosovë kur ta ktheva shpinën /e lash borë, e gjeta dimen”/.

Ja se si e shprehë Gjeneral Rrahman Parllaku këtë trajtim që iu bë Salih Kolgecit, pas kthimit  të tij në Shqipëri:- “Pata fatin ta takoja mësuesin tim të dashur dhe të respektuar, Salih Kolgeci shumë vite më vonë, kur e kishin përzënë serbët nga Kosova dhe zyrtarët e Shqipërisë e kishin vendosur në Elbasan. Por me keqardhje them se, ai mbeti i zhgënjyer, pasi nga shteti ynë nuk u vlerësua e nuk u shpërblye ndihmesa e tij në përgatitjen dhe edukimin e brezave të tërë nxënësish malësorë e kosovarë. Bile, ngurruan t’ia  njihnin dhe vitet e punës në arsim, me shkakun se nuk i llogaritej koha e sherbimi në Kosovë….”

Ja se si e përmbledh në mënyrë shumë konçize tërë punen prej mësuesi, vetë Salih  Kolgeci, kur i shkruante kujtimet e tij:-“Kam punuar 35 vjet rresht, duke iu kushtuar me mish e me shpirt detyrës së shenjtë të arsimtarit, pa menduar asnjëherë për shpërblime ose dekorime. Qëllimi im ka qenë që fëmijët e popullit tim t’a mësojnë gjuhën e ëmbël shqipe, ta ndjejnë veten shqiptar të vërtetë, ta njohin sa më mirë historinë e gjuhës dhe të popullit Shqiptar…Kjo punë jo rrallë ka qënë me rrezik jete, si në kohen e pushtimit fashist, ashtu edhe nën regjimin e Beogradit. Atje kam ruajtur me shpirt ndërdhëmbë shtetësinë shqiptare për 16 vjet rresht, duke duruar me stoicizëm shtypjen dhe shantazhet e UDB- së, për ta ndrruar atë që të mohoja kështu Atdheun tim, historinë e gjuhës tonë aq të bukur Shqipe, të cilen e kam përhapur kudo ku kam shërbyer si mësues i thjeshtë i Bijve të Shqipes. Ky qëndrim këmbëngulës më nxori faqebardhë dhe kështu, pas shërbimit në Kosovë në vitin 1957 u ktheva në Atdheun tonë të dashur”.

Mësuesi Salih Kolgeci vetëm në Demokraci u vlerësua duke iu dhënë Dekorata “Urdhëri Naim Frashëri ” i Klasit të Parë në vitin 1994 nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me motivacionin: “Shërbeu në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore jashtë kufijve politikë, të vitit 1913 , të Shtetit Shqiptar”.

Salih Kolgeci me rregullsinë e kujdesin që e karaktizonte ka lënë një arkiv me dokumente zyrtare, dorëshkrime, korrespondenca, kujtime e fotografi për jeten e punen e tij në arsim në Shqipëri e në Kosovë, çka përbëjnë objekt studimi për historinë e Gjuhës Shqipe e të Arsimit, sidomos në Kosovë. Ato janë një thesar, si pjesë e Arsimit tonë Kombëtar Shqiptar që prof.as. dr. Murat Gecaj ka shkruar një libër monografi për mësuesin Salih Myftar Kolgeci, që punoi një jetë të tërë për Atdheun e Arsimin tonë Kombëtar, materiali i të cilit më shërbeu për të bërë këtë shkrim përkujtimor në kuadrin e Festës së Mësuesit-7 Marsit. Ky libër po bën një dekadë që është botuar dhe është përuruar në Tiranë e në Gjakovë, ku është vlerësuar maksimalisht si punë që i shërben historisë së Arsimit tonë Kombëtar. Në përurimin e librit “Salih Myftar Kolgeci, Një jetë për Atdheun e Arsimin tonë Kombëtar”  kanë folur me superlativa për mësuesin veteran tashmë të ndjerë, ish nxënësit e tij, Gjeneral Parllaku –“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”; Pajazit  Nushi- Akademik e Zv/Kryetar i Parlamentit të Kosovës (tashmë i ndjerë); Xhevat Koshi- ish Drejtor i Gjimnazit të Gjakovës si dhe ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë,  dr. Islam Lauka, i cili e vlerësoi lart figurën e ish-mësuesit Salih Myftar Kolgeci për punën e bërë nga ai në fushen e  Arsimit tonë Kombëtar.

Në nderim e respekt për Mësuesin Salih Kolgeci, Këshilli Bashkiak i Tropojës e ka Shpallur “Qytetar  Nderi”.

Duke e përkujtuar mësuesin Salih Myftar Kolgecin me rastin e Festës së Mësuesit- 7 Marsit për jeten e vepren e tij në fushen e Arsimit tonë Kombtar, gjej rastin t’iu bëj apel institucioneve të Arsimit dhe Qeverive në Shqipëri e në Kosovë që  ta vlerësojnë në atë lartësi që duhet, pasi në fakt i takon me meritë dhe dekorata e lartë “Nderi i Kombit”.

 

Shkodër, më 06.03.2019