Susanne Schütz, e ngarkuara për Europën Jug-Lindore në Ministrinë e Jashtme gjermane, u bën thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri „ të tërheqin litarin në një drejtim dhe të marrin përgjegjësi” për vendin.

Konfirmimi i të ardhmes në BE të Ballkanit Perëndimor, (BP) nga Ambasadorja Schütz, në detyrën e saj të re, pas tre vitesh si përfaqësuese e diplomacisë gjermane në Tiranë, vjen në një kohë zhgënjimi dhe pasigurie lidhur me ecurinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit, nga mosmarrja e vendimit nga Këshilli Europian, në samitin e tij në Bruksel, javën e kaluar, më 18 Tetor.

“Premtimi i Selanikut mbetet – e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE! Ne do të bëjmë gjithçka që të vazhdojmë të mbajmë në krye të axhendës së BE interesin legjitim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të hedhur hapat e radhës drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu do të angazhohemi për një nisje të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit”, theksoi Ambasadorja Schütz, tanimë e ngarkuara për Europën Jug-Lindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme gjermane në deklaratën e saj, të dhënë të premten, (25.10.2019) në Tiranë, ku ajo mori pjesë në konferencën vjetore, „OSBE për Mesdheun” dhe zhvilloi konsultimet e përvitshme qeveritare mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

                    Gent Cakaj

Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit – vendimtare

Në deklaratën e saj Ambasadorja Schütz vë në dukje rolin e rëndësishëm të „argumentave të mira” për nisjen e shpejtë të bisedimeve. „Është me rëndësi të jashtëzakonshme që Shqipëria të vijojë më tej me përpjekjet reformuese të viteve të fundit, sidomos ato në sektorin e drejtësisë sikurse edhe të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një sistem i pavarur drejtësie, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një kod zgjedhor i reformuar, reforma transparente në fushën e drejtësisë mbi pronën, në mbrojtje të të drejtave themelore – janë objektiva në interës të vetë Shqipërisë.

Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë edhe në të ardhmen, ” thekson Ambasadorja Schütz në deklaratën e saj. Ajo u bën thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëtri duke përfshirë edhe opozitën jashtë parlamentare,  „të tërheqin litarin në një drejtim dhe të marrin përgjegjësi.”

Cakaj për DW: Pritet metodologjia e re e zgjerimit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i pyetur nga DW për ecurinë e mundshme të fillimit të bisedimeve për hapjen e negociatave vlerësoi të rëndësishme dy zhvillime të pritshme. „Zhvillimi i parë lidhet me Komisionin Europian, që pritet të përpilojë metodologjinë e re të zgjerimit, e cila do të përbëjë bazën e negociatave për anëtarësim në të ardhmen. Pa ndryshimin e metodologjisë nuk do të ketë asnjë vendimmarrje për hapje negociatash. Fjala është që në nivel teknik pritet ndryshimi i metodologjisë për negociatat e anëtarësimit. Zhvillimi dytë lidhet me Këshillin Europian, i cili ka konfirmuar se do të  diskutojë edhe njëherë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut  me vullnetin për të pasur një vendim-marrje pozitive para muajt maj 2020. Sidoqoftë, kjo është një tentativë dhe jo një garanci e dhënë që brenda këtij harku kohor do të ketë një vendimmarrje pozitive„, tha Cakaj për DW.