Për shkak të ofensivës në Veri të Sirisë, Ankaraja po përballet me kritika të shumta ndërkombëtare. Në shumë qytete evropiane janë zhvilluar protesta dhe është treguar solidaritet me kurdët.

Liga Arabe e ka dënuar në një seancë urgjente ndërhyrjen e trupave turke në zonat e kontrolluara nga kurdët në Siri. Aksionin e ka quajtur si “agresion”. Turqisë i bëhet thirrje për “përfundimin e menjëhershëm të aksioneve dhe tërheqjen pa kushte”. Liga ka paralajmëruar mundësinë e ndërmarrjes së aksioneve diplomatike dhe ekonomike, si dhe mundësinë e “bashkëpunimit ushtarak”.

Edhe Evropa e ka kritikuar ofensivën ushtarake. Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një telefonatë me Erdoganin, ka kërkuar nga Turqia “përfundimin e menjëhershëm të ofensivës ushtarake”. Qeveria gjermane ka paralajmëruar se nuk do të lejojë më asnjë eksport të armëve në Turqi. Më parë shumë vende evropiane, ndër to edhe Holanda dhe Norvegjia, kanë bërë të ditur se do të ndalojnë eksportin e armëve në Turqi. Edhe Franca do të kufizojë eksportet e armëve në Turqi.

Janë përmendur edhe sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian. Në një takim të presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të BE, të enjten dhe të premten është trajtuar edhe kjo temë. Turqia me veprimet e saj nuk po u përmbahet rregullave ndërkombëtare ligjore, theksoi komisioneri Günther Oettinger, për Deutschlandfunk. Sjellja e Turqisë është tërësisht e gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Por Oettinger mendon se BE duhet t’i përmbahet Marrëveshjes për Refugjatët me Turqinë. Një përmbajtje të këtillë kërkon edhe nga Erdogani.

SHBA ka kërcënuar partnerin në NATO me masat ndëshkuese dhe kanë kërkuar nga Turqia që të veprojë drejt çtensionimit të konfliktit. Tendosjet në raportet Uashington-Ankara janë shtuar edhe më shumë për shkak të incidentit në afërsi të qytetit kufitar Kobane. SHBA fajëson Turqinë se të premten ka shtënë në drejtim të ushtarëve amerikanë atje. Pentagoni ka kërkuar nga Turqia që të evitojë akione të këtilla, sepse kjo do të çonte deri tek “masat e menjëhershme mbrojtëse”. Ankaraja ka hedhur poshtë fajësimet.

Kundërshtimet e ofensivës

Në shumë qytete evropiane në fundjavë janë mbajtur protesta të mijëra njerëzve, kundër ofensivës turke në veri të Sirisë. Në Gjermani ka pasur protesta në Frankfurt, Këln, Hamburg dhe Berlin. Në Paris janë mbledhur rreth 20.000 demonstrues kundër ndërhyrjes. Edhe në Suedi, Belgjikë, Qipro dhe vende të tjera ka pasur protesta.

Nën moton “Jo luftës në Veri dhe Lindje të Sirisë!”, të shtunën janë mbajtur protesta edhe në Cyrih të Zvicrës. Demonstruesit brohorisnin “stop terrorit”. Në Vjenë janë mbledhur rreth 3000 njerëz në rrugë dhe kanë kundërshtuar ofensivën turke. “Kurdët na kanë ndihmuar në luftën kundër “Shtetit Islamik” dhe i kemi trajtuar si heronj. Ndërsa tani po i lëmë të vetëm. Kjo është një shkurtpamësi ekstreme”, thotë ish-eurodeputeti Michel Reimon.

Turqia ka nisur aksionet e paralajmëruara kaherë, pas tërheqjes së trupave amerikane. SHBA dhe vendet tjera perëndimore i kanë kritikuar këto aksione prej fillimit, sepse YPG është parë si një partner i rëndësishëm në luftën kundër IS. Ato kanë frikë se tani mund të riforcohet IS.

Të dhënat kontradiktore

Trupat turke dhe aleatët e tyre sirianë janë nisur, sipas disa burimeve, të shtunën në drejtim të qytetit Ras al-Ain. Lufta për këtë qytet po vazhdon, thotë një përfaqësues i Forcave Demokratike Siriane. Ai kundërshton në këtë mënyrë pohimet e Ankarasë se ky rajon i rëndësishëm është nën kontroll të ushtrisë turke.

Prej fillimit të ofensivës janë vrarë më shumë se 70 luftëtarë kurdë dhe 40 civilë. Por të dhënat nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura. Pala turke pohon se janë vrarë 18 civilë dhe katër ushtarë turq. Burimet e OKB pohojnë se ndërkohë kanë ikur nga shtëpitë e tyre më shumë se 100.000 njerëz.

lh/kle (afp, dpa)