Erling Haland, ylli i ri i Salzburg-ut, ka zbuluar për faqen zyrtare të klubit austriak këngën e tij të preferuar: “Himni i Champions-it. E dëgjoj qëkur kam qenë fëmijë”, ka thënë ai.

E vështirë të mos i besosh pas tregolëshit të realizuar në debutimin e tij në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube. Për 19-vjeçarin interesohen Juventus, Manchester United dhe Liverpool.

Kanë qenë bardhezinjtë që janë vënë në lëvizje të parët janarin e kaluar, kur Haland luante akoma me Molde. Norvegjezi ka zbuluar për BBC.com arsyen e refuzimit: “Mendoja se ishte shumë shpejt për të shkuar atje. Salzburg është skuadra perfekte për mua, këtu kam mundësinë të luaj me vazhdimësi”.

Ai ka shënuar 17 gola në 10 ndeshje deri tani dhe nëse do të vazhdojë me këtë ritëm shumë shpjet do të zhvillohet një ankand i çmendur ndërkombëtar për të.