Me fillimin e vitit të ri shkollor, vizitat e detyrueshme tek mjeku okulist për fëmijët e grupmoshës 5-6 vjeç kanë rezultuar që 3 nga 10 fëmijë të kësaj moshe të dalin më probleme me shikimin. Qasja e hershme me teknologjinë dhe përdorimi i telefonave celularë janë shkaktarët kryesorë të dobësimit të shikimit tek fëmijët dhe fajtorë janë prindërit.

“Në 10 fëmijë që do të regjistroheshin si grup në parashkollor apo klasën e parë, 3 nga këto fëmijë dilnin me probleme. Kishin ulje të shikimit si rezultat i përdorimit me orë të zgjatura të celularit, ipad, si dhe qëndrimi me kohë të zgjatur përpara televizorit. Pra përdorimi i këtyre aparaturave kishte ndikuar shumë negativisht në sytë e fëmijëve”, thotë okulistja Suzana Zhutka për A2CNN.  

Një numër fare i vogël i tyre rezultonte që problemin me shikimin ta kishin si shkak të trashëgimisë në familje. Mjekët rekomandojnë që të kufizojnë përdorimin e aparaturave elektronike tek fëmijët e vegjël dhe të merren me aktivitete të tjera sociale apo në natyrë.