Njeriu, e mban mend ditën e parë të shkollës, si një nga kujtimet më të veçanta dhe më mbresëlënëse. Edhe data 8 shtator 2019 do të mbetet e paharruar, për të gjithë nxënësit, që filluan vitin arsimorr 2019 -2020, në shkollën shqipe të Filadelfias-Amerikë.
Një mjedis festiv dukej që nga larg. Tollumbace shumëngjyrëshe dhe banderola: “Mirë se erdhët, të dashur nxënës!” bënte që të gjithë prindërit e nxënësit të ndiheshin të mirëpritur, në mjediset e shkollës sonë. Brenda saj dalloheshin qartë portretet e heronjve shqiptarë të penës dhe të dijes, Heroit Kombëtar-Skënderbeu dhe themeluesit të shtetit, Ismail Qemali.
Nxënësit, që kishin mësuar në vitet e mëparshëm, u takuan me shokët e tyre dhe me mësuesit. Ndërsa nxënësit e klasave te para, të emocionuar e të ndrojtur, qendronin në krah të prindërve të tyre, me padurimin për ta nisur mësimin.

Llazar Vero, në fjalën përshëndetëse, ua uroi të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësuesve mirëseardhjen. Ai i kushtoi një rëndësi të madhe domosdoshmerisë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në familje, në vazhdim të shkollës, si një nga mënyrat më të efektëshme për t’u trashëguar në brezat e femijëve shqiptaro-amerikanë. Si një shenjë falënderimi dhe respekti për mësuesit e shkollës “Gjuha jonë”, ai u dhuroi mësuesve buqeta me lule.

Rudina Bani, fjalën e saj përshëndetëse e nisi me një urim të veçantë për nxënësit e klasave të para dhe i nxiti ata, duke u treguar ndihmën, profesionalizmin dhe devotshmërinë e mësuesve të shkollës. Ajo falënderoi të gjithë mësuesit, të cilët me përkushtim dhe vullnet arrijnë t’u mesojnë nxënësve të tyre,të shkruarin dhe të folurin drejt e qartë, të gjuhës së Naimit, gjuhës së nënës, gjuhës së gjyshërve dhe historinë e të parëve. Gjithashtu, në emër te Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ajo i falënderoi prindërit për mbështetjen dhe financimin, që kanë bërë në vite dhe vazhdojnë të bëjnë, për fëmijët e tyre dhe i uroi ata për një vit të mbarë dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me shkollën.

Vlashi Fili, sekretar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ju uroi suksese nxënësve e mësuesve dhe bëri të njohura rregullat e shkollës: paraqitjen, orarin dhe kërkesat e tjera të domosdoshme për mbarëvajtjen edhe të këtij viti arsimor. Ai, gjithashtu, bëri të njohur sigurimin e teksteve shkollore dhe mjeteve të tjera ndihmëse, për procesin mësimor, nga ana e Shoqatës.

Tepër emocionuese ishte këndimi i Himnit Kombëtar, nga të gjithë: prindër, mësues dhe nxënës, si tradita e çdo të diele, para nisjes së mësimit, nga nxënësit e shkollës sonë.

Pas kësaj, nxënësit u shpërndanë në klasat përkatëse, duke nisur rrugëtimin e gjatë e fisnik, atë të mësimit të gjuhës sonë kombëtare. Se, për të gjithë këtu, është e njohur mirë, kjo shprehje domethënëse:

Në gjuhë te huaj shkruaj dhe flas, por kur më dhemb shpirti, shqip bërtas!…”.

Filadelfia (Amerikë), 9 Shtator 2019

——————————————      

(x)Zv.kryetare e dytë e Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuese në Shkollën Shqipe, “Gjuha Jonë”.