Njihet si vaping – thithja dhe nxjerrja e tymit të prodhuar nga cigaret elektronike dhe pajisjet e tjera të ngjashme – dhe është një praktikë e përhapur në Amerikë dhe jo vetëm. Pasi u konstatuan raste të nxënësve që tymosnin cigare brenda ambienteve të tualeteve, drejtori i një shkolle të mesme në Alabama i ra për shkurt dhe vendoi të hiqte dyert.

Administratorët e shkollës Wilson High School thanë se kanë gjetur nxënës duke konsumuar duhan në tualet. Kështu drejtori Gary Horton deklaroi për televizionin lokal WAFF se vendosi të hiqte dyert e tualeteve për të ndaluar të tilla veprime.

Një numër i madh prindërish reaguan të revoltuar, duke theksuar se ka nevojë për kontroll të vazhdueshëm nga personeli, mirëpo kjo nuk e justifikon heqjen e dyerve.

“Krijoni një personel që të monitorojë korridoret dhe veprimet e nxënësve, sepse tualeti është zonë private,” u shpreh dikush. “Unë si prind mendoj se është e tepër,” tha një tjetër. “Nuk bie dakord; është shkelje e privatësisë,” shtoi i zemëruar një tjetër prind.

Horton u shpreh se dyert do të kthehen sërish në një pikë në të ardhmen, por jo derisa administratorët të gjejnë një zgjidhje.

Nuk është hera e parë që në Alabama ndodhin ngjarje të tilla, që shkelin të drejtat themelore të individëve dhe mjafton të përmendim projektligjin e muajit maj, ku 25 republikanë kërkuan të ndalonin abortin, qoftë edhe në rastet e përdhunimit apo incestit./Revista Class