Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson javën e ardhshme do të takohet me liderët e Bashkimit Evropian, ku pritet t’u kërkojë një marrëveshje të re të Brexitit, me qëllim që të shmanget dalja e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje.

Gjatë udhëtimit të parë jashtë vendit, Johnson do të takohet me presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, përpara se të marrë pjesë në samitin e G7, që do të mbahet nga 24 deri më 26 gusht në Francë.

Agjencia Reuters, duke u thirrur në një burim brenda Qeverisë britanike thotë se Johnson do t’i thotë Macronit dhe Merkelit se Britania do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje dhe se Parlamenti britanik nuk mund ta ndalojë një gjë të tillë.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka insistuar se nuk do ta rinegociojë marrëveshjen e Brexitit me Britaninë, që u arrit në nëntor të vitit të kaluar nga paraardhësja e Johnsonit, Theresa May.

Në Britani vazhdon të jetë e paqartë nëse ligjvënësit kanë unitetin e duhur, apo edhe fuqinë që përmes Parlamentit të parandalojnë që vendi të dalë nga BE-ja më 31 tetor pa marrëveshje.