Këtë e udhëheq prej vitesh pa u lodhur, me shumë mund e sakrifica Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

Në ketë festë janë të ftuar dhe të mirëpritur jo vetëm bytyçasit, nipa e mbesa, por edhe të gjithë shokët, miqtë e dashamirët që dëshirojnë të festojmë së bashku, në një ditë të hareshme, për t`u tubuar në mes veti si familje, vëllazëri, grupe shokësh dhe miqësh, në një tubim të përbashkët manifestiv me këngë, valle, lojra, interpretime e më pas në ndonjë konfidenciale grupe grupe apo masivisht nën hijet e lisave të malit e flladit në ato lartësi. Lidhur më ketë festë e manifestim vlerash po e bëjmë një parashtresë me qëllim që ta sqarojmë se çfarë ka qenë nxitje e shtysë në këtë projekt sendërtues marrëdhëniesh shoqërore të cilat duhet t`i shërbejnë sa më shumë shoqërisë. Kjo festë lindi si një nevojë për të mbushur një zbrazdësi që u krijua me shpejtësi marramendëse gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur 30 vjeçar, i marrë peng për t`u tejzgjatur nga bastardë të popullit tonë e kryesisht ky vakum është krijuar së pari në fushën e kapitalit moral i cili ndër shekuj nuk i ka munguar asnjëherë këtij populli dhe kombi veçse në mënyrë të piketuar gjatë këtij tranzicioni. Me qenë se njeriu është qenie shoqërore e çdo ditë e më shumë po individualizohet në tërësi e në botën shqiptare në veçanti, misioni ynë si Shoqatë në këtë nismë ka qenë dhe është që sado kudo t`u bëjmë ballë këtyre fenomeneve, në ato hapësira shoqërore që mundet dhe do mundet me akoporuar. Ndonëse kjo nismë dhe veprim pati fillesat e veta në shkallë krahinore, përmasat e saj vijuan që të jenë lokale, regjionale, shqiptare dhe tani mbarëkombëtare.

Në kushtet kur përmes migrimeve dhe emigrimeve u zbraz vendlindja e cila na mungon shumë, po ashtu rrethi dhe vendi, u pa dhe mbetet nevojë që të ruajmë sa më shumë celula shoqërisht të organizuara në mënyrë të shëndetshme e pa interesa të ngushta. Duhet thënë se njëra nga këto qeliza shoqërisht të organizuara u pa e arsyeshme të injektohet dhe kurohet prej nesh prej 16 vitesh, sikurse është  Festa e Bytyçit e emërtuar si “Festa e Plisit të Bardhë” si një nismë për t`u shpallur festë mbarëkombëtare”. Pra së paku aty dhe sa mundëm sikurse është organizimi i kësaj feste, u pa e arsyeshme dhe e nevojshme që ajo të iniciohej mbi bazën e disa parimeve e normave të qëndrueshme, morale dhe shoqërore, të cilat nuk u braktisën asnjëherë deri tani, por përkundrazi u shtuan dhe konsoliduan çdo herë e më shumë.

Së pari përmes shumë mundi dhe sakrificave kemi tejkaluar shumë pengesa, duke u përkujdesur që ky organizim i shëndetshëm të mos ndikohet nga mola (teja) politike e cila si një epidemi kanceroze i ka kapluar të gjitha gjymtyrët e shëndetshme që ka pasë populli ynë duke i bluar ato deri në degradim të plotë të kapitalit moral të shoqërisë shqiptare. Qëllimi ynë në ketë nismë që në krye të herës ka qenë modest, për ta arritur atë që mundim ne, “ishullin” e grupimeve shoqërore që do mund ta kaplojmë, së pari në mes bytyçasve kudo që ata janë, për të shërbyer si shembull e urë lidhëse mundësisht në formën e një reaksioni zinxhir, për mbarë shoqërinë shqiptare.

Edhe ne jemi të ndërgjegjshëm se ajo që është zhbërë dhe po zhbëhet çdo ditë e më shumë përmes projekteve antishqiptare, në krye të të cilave me apo pa vetëdije janë politikanët tanë (këta në çdo cep të hapësirave shqiptare ku ata janë në funksion), nisma jonë e do një punë titanike për t`u përballur më këtë fenomen epidemi. Por pa ja nisur asnjëherë dhe askund, e keqja mbetet pa derman, prandaj iniciuam Festën e Bytyçit e cila jo vetëm se është emërtuar fillimisht si “Festa e Plisit të Bardhë”, e tani prej disa vitesh si “Festa e Plisit të Bardhë” si një nismë për t`u shpallur festë mbarëkombëtare” e cila deri tani e bazuar në traditat më të mira të popullit të krahinës së Bytyçit dhe jo vetëm por edhe të Malësisë së Gjakovës dhe në tërësi të popullit shqiptar, deri tani ka qenë dhe është vitale. Me qenë se Bytyçin dhe bytyçasit, jo ata veten por të tjerët i kanë vlerësuar dhe i vlersojnë si sojë, (konglomerati i cilësive më të mira shoqërore), kjo fonderi vlerash ka shërbyer dhe do shërbejë, për të derdhur dhe skalitur veti dhe virtyte sa më të mira, duke u përpjekur maksimalisht për ta tejkaluar sektarizmin, kontominimin politik, ndasinë fetare apo krahinore, të cilat i quajmë si domosdoshmëri praktike të cilat duhet t`i shërbejnë e jo ta dëmtojnë fondamentin e kombit tonë, genin, gjakun, gjuhën, traditat, doket, zakonet, fati i përbashkët të cilin duhet rimkëmbur  së rëni përtokë nga shumë stuhi e ciklone të cilat kanë vërshuar mbi këto troje.

Pra sa u tha më sipër e të tjera që nuk janë thënë e nuk thuhen në pak radhë, tregon më së qarti se injicimi, pikësynimi dhe objektivi ynë nuk janë të pamenduara, mundësisht sa më gjatë dhe sa më kthjellët që ka qenë e do jetë e mundur. Ky projekt prej 16 vitesh ka prosperuar jo në sajë të ndihmës nga pushteti vendor apo qendror, por përkundrazi nga ana e tyre ose është treguar indiferencë, sepse ai nuk ka qenë me interes për xhepat e tyre, ose përkundrazi edhe janë përpjekur për ta penguar sepse për ta çdo organizim i pavarur i shoqërisë edhe apolitik qoftë ai, i zbeh e cënon perspektivat e sundimit të tyre, por ka prosperuar në sajë të kapitalit moral që është investuar për jetësimin e tij ndër vite. Duhet theksuar se kësaj sipërmarrje i kanë kontribuar të gjithë pjesëmarrësit e deritanishëm bytyças dhe jo vetëm bytyças, të cilët kanë ardhur nga Bytyçi, bytyças nga Hasi, Kukësi, Puka, nga regjione të bytyçasve në Kosovë, shokë, miq e dashamirë nga Malësia e Gjakovës, (Tropojë)  Shqipëria, Kosova, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Mali i Zi,  Maqedonia, Çamëria, Mërgata Shqiptare në Botë. Jo vetëm pjesëmarrja e siguruar në festën e përvitshme të Bytyçit dhe bytyçasve, nga Kosova dhe viset shqiptare në Ballkan, por edhe frekuentimi nga përfaqësues të shoqatës tonë në aktivitetet e ndryshme ku jemi ftuar, i konvenon filozofisë e cila na udhëheq në punën tonë, që : “Të rendim sa më shumë që të jetë e mundur, duke mos e çuar e bërë kohën dëm, për të kompensuar aq sa mundemi dhe kemi në dorë ne humbjet e ndarjes shekullore që na kanë imponuar armiqtë e Kombit tonë, të shtojmë vajtje-ardhjet, të rrisim bashkëpunimin, të ndërtojmë të ardhmen me projekte të përbashkëta”.

Po ashtu e patjetërsueshme ka qenë dhe është edhe puna e aktivistëve të kësaj Shoqate nga të cilët ka asish të cilët nuk kanë reshtur asnjëherë së kontribuari, po ashtu edhe asish që kanë kontribuar me oshilacione, duke e gjetur derën hapur e pa teklif për t`u afruar, larguar e afruar përsëri duke i vlerësuar për atë që kanë kontribuar dhe jo atë që kanë lënë pa kontribuar, kontribute të cilat jemi përpjekur t`i pasqyrojmë ëmër për emër e rast për rast. Lista është e gjatë dhe kemi folur dhe do flasim për ta por në këtë shkrim preferoj të veçoj kontributin e pareshtur të z. Sherif Idrez Imerit, nderi i Shoqatës; z.Ali Rrustem Mula, kryeurtaki asaj krahine dhe “Mjeshtër i Madh”;  z.Murat Sali Nezaj, burrë me emër dhe aktivist i palodhur në çdo veprimtari të Shoqatës. Arritjet e kësaj Shoqate nuk mund të presupozohen pa punën dhe kontributet e pashterrshme të bashkëpuntorëve tanë në Kosovë, sikurse janë z.Fadil Hoxha, themelues i Degës së Shoqatës Bytyçi në Prizren, për të vijuar me z.Nexhat Bytyçi, ish kryetar i asaj dege dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës, Isuf Bytyçi, kryetari aktual i asaj dege, të Skënder Hoxhës në Pejë, anëtar i kryesisë së Shoqatës, Agim Jonuzaj, kryetar i degës së Shoqatës tonë në Gjokovë e rrethinë, të z.Tom Kajtazit dhe z.Hil Gjevelekaj, kryetar dhe sekretar të degës së kësaj Shoqate në Zym të Hasit, Prizren.

Gjithashtu duhet venë mirë në pah edhe kontributi i disa dashamirëve të Shoqatës e punëve tona të cilët ndër vite kanë kontribuar për të funksionuar në disa nga shtyllat kryesore të aktiviteteve të organizuara nga ana e kësaj Shoqate. Parë në atë këndvështrim për ndihmën qe kanë dhënë, duhet theksuar kontributi i pashembult që ka dhënë ndër vite z. Ram Ali Geci, bir i krahinës së Bytyçit e krenari e tij me arritjet që ka pasë e ka, i cili ka ndihmuar pikërisht për të mbajtur gjallë e me nder  një traditë të hynjishme te asaj krahine, pikërisht atë që ka qenë dhe është ndër më kryesoret e traditave tona, bujarina, duke financuar në shtrimin e sofrës bytyçase për mysafirët dhe jo vetëm të cilët kanë marrë pjesë në këto aktivitete duke ardhur prej së largu, duke ja nisë nga trojet etnike shqiptare nën Serbi, e këndej.  Po ashtu ka qenë dhe është evident në vazhdimësi edhe kontributi i familjes Malo, me parë i të ndjerit Muhamet Malo e tani prej tre vitesh vijon kontributi i bijës së tij fisnike znj. Migena Malo të cilët kanë mundësuar bujarisht jo vetëm lëvizjen e pjesëmarrësve në teleferik me kuota minimale pagese, por sivjet prej katër vitesh i kanë vënë në dispozicionin e veprimtarive tona të asaj dite manifestive edhe të gjitha ambientet e Teleferikut në Dajt, atje ku edhe mbahet festa.

Kurse z.Kadri Morina, një burrë zakoni e biznesmen bashkëkohor i suksesshëm si dhe njëri nga filantropistët më të dëshmuar, për sa i përket festës tonë, ka kontribuar që për t`i ardhur sa më përshtatshëm asaj me tematikën që ka, si “Festë e Plisit të Bardhë”, të pajisë pjesëmarrësit më plisa, duke stolisur kokat e tyre me bardhësi bjeshke. Kemi të tjerë biznesmenë të cilët kanë qenë dhe janë të mundur për të kontribuar në masivizimin, lartësimin dhe perfeksionimin e kësaj feste, por akoma nuk janë ndërgjegjësuar për një gjë të tillë, nuk kanë dalë nga vetja e tyre e kaluar, dhe akoma nuk e kanë mposhtur shpirtin e makutërisë, për të qënë edha ata në lartësinë e civilizimit që kërkon koha e zhvillimi, që të jenë edhe filantropistë, humanitarë e në të mirat e zhvillimeve të përgjithshme shoqërore. Kurse një shembull tjetër për t`u krahasuar është edhe qëndrimi i intelektualit të krahinës tonë e njërit ndër asetet patriotike me vlera mbarëkombëtare, z.Islam Lauka, i cili edhe pse është jashtë Shqipërisë, përndryshe pseudopatriotëve të cilët dihet se halli i bëri për të braktisur vendin, nga ana e tyre sot e kësaj dite pretendojnë për ta bërë të pamundurën nga ana jonë, por pa u afruar, pa kontribuar, “si e ama e Zeqos nga maja e thanës” të kapluar nga vetëkënaqësia e egoizmi, e shesin dokrra e jo kontribute, kurse ky ka qenë çdo herë pranë nesh, duke marrë pjesë, duke na mbështetur e kontribuar në disa lëmij të organizimit të këtij manifestimi.

Pa vijuar më poshtë duhet theksuar se ka qenë dhe është dëshirë, ka qenë dhe është tendencë që sa më parë dhe sa më shumë t`i kthehemi vendorigjinës, por perpos pengesave, akoma nuk e kemi gjetur klimën e përshtatshme të bashkëpunimit, akoma nuk e kemi gjetur gadishmerinë e duhur për të na pritur në mënyrë të organizuar. Është për ta theksuar se atëherë kur na u kërkua bashkëpunimi (gjë e cila nuk u përsërit) nga ana e Bashkisë Tropojë për ta realizuar “Festën e Bjeshkëve” e cila startoi në mënyrë të madhërishme për herë të parë në bjeshkën e Sylbicës së Bytyçit, angazhimi ynë ka qenë pa më të voglën mëdyshje e pa më të voglin paragjykim maksimal, e si e tillë frut i atij bashkëpunimi ishte një realizim madhështor i asaj feste. Ajo nismë shumë e mirë e cila bitisi në hiç duhet gjallëruar dhe për këtë shprehim gadishmërinë e plotë të bashkëpunimit e ndihmës së pakursyer që ajo të mbahet çdo vit si vendi më i përshtatshëm në Sylbicën e Bytyçit.

Kurse sivjet me rastin e mbajtjes së festës me 25 Gusht 2019, ashtu sikurse edhe më parë në malin e Dajtit mbi Tiranë, lypset që nga kjo përvojë e akumuluar deri tani, ta kemi të konsoliduar atë dhe njëkohësisht ta pasurojmë me elementë të rinj të cilët jo vetëm se do gjallërojnë aktivitetin, por edhe do t`i konsolidojnë dhe pasurojnë disa elementë të tjerë të traditës tonë në ato treva. Fryma e aktivitetit vijon që të jetë manifestive, ku çdo pjesëmarrës do ketë mundësi dhe hapësirë që të përfshihet në atmosferën festive të asaj dite, por gjithsesi do ketë edhe një axhendë të përcaktuar qartë e cila do realizohet pa e cënuar frymën manifestive të asaj dite. Ai medium do shfrytëzohet ashtu sikurse edhe herët e tjera, së pari për të ndarë vlerësime të ndryshme për individë, persona, personalitete, grupime e si brenda përbrenda Shoqatës, ashtu edhe për të tjerë nga Shqipëria dhe bota shqiptare ngado që ajo është e difuzuar, sikurse do jenë dhënia e mirënjohjeve, mirënjohje speciale, çertifikata, medalje, çmime e tituj për punën e dëshmuar shoqërore dhe atdhetare kudo që të kenë materializuar si të tillë. Në të gjitha këto raste, përndryshe praktikave degraduese, imflative e dekurajuese që jo në pak raste janë aplikuar dhe po aplikohen në Shqipëri dhe Kosovë, duke filluar nga institucionet qendrore e deri në ato vendore, për ne kriter bazë ka qenë dhe do mbetet, jo influencimi e njëanshmëria, por veçse puna meritore e gjithsecilit e dëshmuar para opinionit të shëndoshë të cilit i akordohet vlerësimi përkatës, merita.

Në kuadër të Shoqatës po vepron edhe “Forumi i Femrave Bytyçase”, si dhe Forumi Letrar, “Poeteka Mbarëkombëtare Ndue Bytyçi”. Forumi ka organizuar me femrat bytyçase dhe jo, një seri aktivitetesh gjithëpërfshirëse e me karakter kombëtar. Kurse forumi letrar prej vitesh ka organizuar Poetekën Mbarëkombëtare me prurje poetike nga të gjitha trevat shqiptare dhe Mërgata. Këtë vit me pasion e angazhim e kemi ndërmarrë projektin me konkurim të krijimeve në poezi, poemë dhe hymne për Gjergj Fishtën (Paci).

Duhet ta theksojmë se ky konkurim do të jetë edhe si një apel për qeveritarët të cilët duhet të marrin në vëmendje trashëgiminë kulturore dhe materiale të këtij patrioti e kollosi të letrave të shkruara shqipe. Prandaj edhe e kemi shpallur Konkursin Poetik Edicioni i IV-të, që organizon për vitin 2019 Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”, me krijimtari për “Homerin Shqiptar” Gjergj Fishta (Paci).

Me sa më shumë kohë në dispozicion e bëjmë shpalljen dhe ftojmë nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe Diaspora, për pjesëmarrje në Konkursin e organizuar me krijimtari poetike të pa botuar më parë, me temë për “Homerin Shqiptar”, Gjergj Fishta (Paci).

Ky konkurs organizohet nga Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”, organizëm i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë – Prizren e cila përveçse organizimit të këtij konkursi, me rastin e mbajtjes së “Festës së Plisit të Bardhë – 2019”, si një nismë për t’u shpallur si një Festë Mbarëkombëtare Shqiptare, por edhe të mbajtjes së Edicionit të 16-të të Festës së Bytyçit, ashtu sikurse edhe ky Konkurs me këtë rast do të realizojë edhe një sërë nismash të tjera.

Ndonëse Kombet e tjera do krenoheshin po të kishin nga gjiri i tyre një kollos dhe gjeni letrash të shkruara si Gjergj Fishta (Paci).

Konkursi në fjalë organizohet në të mirën e rinovimit të kujtimit dhe të ruajtjes së papërlyer të vlerave të Gjergj Fishtës (Paci), të këtij “Homeri Shqiptar”, i cili u anatemua, u anashkalua dhe po anashkalohet sot e kësaj dite në sajë të ndikimit të armiqëve të Kombit Shqiptar, egoistëve inferiorë të artit, dhe shërbëtorëve politikë në këtë vend.

Kush më mirë se sa poetët me tharmin e tyre poetik do bëjnë ridimensionimin e figurës se këtij kollosi të letrave të shkruara shqipe me të cilin do krenohej së paku çdo vend fqinj dhe ballkanik po ta kishte pasur pjesë të fondit të personaliteteve të vendeve të tyre.

Konkurimi është i hapur dhe do të jetë me pjesëmarrje të krijuesve nga të gjitha trevat dhe trojet etnike shqiptare si dhe Diaspora, të cilët janë të ftuar të marrin pjesë me krijimtari në vargje si në poezi e poema për Gjergj Fishtën (Paci), “Homerin Shqiptar”. Për konkurruesit në poezi do të ketë çmime të I-ra, II-ta, III-ta si dhe çmime vlerësuese.

Për konkurruesit në poemë dhe hymne do ketë çmime të I-ra, II-ta, III-ta, si dhe çmime vlerësuese. Krijimtaritë e secilit pjesëmarrës në këtë konkurs do të pranohen deri më datën 10 Korrik 2019.

Me punën organizative duhet t’i shërbejmë pikësynimit që vëllimi poetik mundësisht të jetë i gatshëm më datën 25 Gusht 2019, për t’u promovuar si i tillë në Festën Mbarëkombëtare të emërtuar “Festa e Plisit të Bardhë”, organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” e cila tradicionalisht mbahet si gjithmonë në Malin e Dajtit mbi qytetin e Tiranës.

Theksojmë se për ngritjen e jurisë do përpiqemi qe ajo të jetë e paanshme, duke e formuar atë në një mënyrë sa më elastike për t’i shërbyer sa më mirë qëllimit me 3, 5, 7 apo 9-të persona, të cilët do të jenë personalitete të fushës me propozime të ardhura nga krijuesit e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë Veriore, Republikës së Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Sanxhaku, dhe Diaspora dhe kur mungojnë propozimet nga ato territore do zëvendësohen në mënyrë sa më praktike.

Ashtu sikurse edhe organizimi i këtij konkursi është edhe qëllimi i ngritjes së jurisë me pjesëmarrje përfaqësimi mbarëkombëtar, më qëllim për të kontribuar sado pak të jetë e mundur për të rritur bashkëpunimin dhe ndërvarësinë e zhvillimit harmonik, kombëtar shqiptar në rajon e më gjerë. Shtojmë dhe kërkojmë me përparësi që si një risi por edhe si një vlerë e shtuar kombëtare e cila ka shkuar drejt harresës dhe tjetërsimit, si një vëmendje në ketë konkurim të kemi:  Prurje në krijimtari edhe “Homerin e Ballkanit”, një tjetër shqiptar pak i njohur, Avdo Mexhedoviqin, me rastin e 150 vjetorit të lindjes, për ta njohur sa më mirë dhe masivisht figurën e atij personaliteti të paarritshëm dhe të pazëvendësueshëm jo vetëm ndër trojet shqiptare por edhe në Ballkan.

Lidhur më ketë projekt shpresojmë për mirë, do punojmë, presim e shohim se cilat do jenë arritjet e finalizimit të këtij projekti, të cilit i është bashkëngjitur edhe filantropisti i dëshmuar, Besnik Paci i derës dhe trungut të Fishtës se Madh, si dhe historiani atdhetar, Paulin Z. Zefi, Lezhë. Këtë vit në atë takim festiv, organizuar nga kjo Shoqatë do ketë edhe risi të cilat nuk i kemi pasur më parë ne axhendën e veprimtarive të asaj dite, sikurse do jetë “Miss Bytyçi 2019” iniciuar nga aktivistja e Shoqatës, Xhane Sherif Imeri, si dhe Panairi i mjaltit të Zogajve-Bytyç si një produkt vendas që ka fituar edhe çmime ndërkombëtare, iniciuar nga Gentian Agim Hajdarmataj. Për të pasur pritshmërinë e dëshiruar kërkojmë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e të gjithë atyre që vlerësojnë punën dhe kontributin tonë edhe aq modest sado të jetë ai.

Për Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë – Prizren

Kryetari

 Agron Isa Gjedia