1958-2019

Përveç shkrimeve inkurajuese për miqtë-krijues dhe krenarinë për arritjet e autorëve në krijimtari, ndodhë jo rrallë, madje dhe fare pa pritur, që të mësosh edhe lajme të hidhura e të pakëndshme, për ndarjen e hershme të tyre nga jeta dhe shkuarjen përgjithmonë në përjetësi.

I tillë ishte edhe rasti i Milazimit, ani pse askush nuk e kishte menduar që për kohë aq të shkurtër edhe një penë shqiptare, do ti linte lamtumirën kësaj bote vdekatare, për të kaluar kaq herët në amshim. Ndaj mësimi i lajmit të hidhur për vdekjen e poetit Milazim Kadriu, shkaktoi dhembje të madhe dhe pikëllim të thellë, për familjen, miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin poetin tonë të mirë.

Jetëshkrimi i autorit

Sipas shënimeve biografike të tij, Milazim F. Kadriu u lind më 21.6.1958 në fshatin Revuçë të Besianës dhe vdiq më 13.07.2019 në Prishtinë.

Ai, si i ri pas përfundimit të shkollimit fillor në Llapias (Kërpimeh),kishte vijuar gjimnazin në Besianë, për të studiuar pastaj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë pranë Universitetit të Prishtinës.

Fillimisht u punësua në shkollën e mesme të Besianës e më pas në shkollën e Llapiasit ku kishte mbaruar edhe vet mësimet fillestare, për të dhënë tanimë kontributin e tij personal dhe punuar me elan e shumë përkushtim, si mësimdhënës në këtë institucion deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Me shkrime Milazim Kadriu kishte nisur të merrej qysh në moshën rinore, duke të rënë në pah sidomos me poezitë për fëmijë e më vonë edhe me krijime për të rritur, duke sprovuar tema edhe në prozë e kritikë letrare.

Ishte bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja”, “Zërit të rinisë”, asaj “Shkëndija”, Bujku etj, ndërsa në vitet e 90-ta, kur gazetat në gjuhën shqipe u mbyllën me dhunë nga regjimi okupator i Serbisë, ai bashkëpunoi me gazetën kroate “Fokus” që dilte në Zarë.

Ushtar i lirisë

Milazimi ishte edhe ushtarë i UÇK-s, në kuadër të së cilës ai kontribuoi edhe për lirinë e atdheut, ndërsa pas mbarimit të luftës, një kohë punoi në radion lokale “Radio-Llapi”.

E përveç si gazetarë, redaktor e kryeredaktor, ishte edhe bashkëpunëtor i redaksisë “Dëshmorët e UÇK-s”, si dhe bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë”, anëtar i redaksisë së revistës “Albi” dhe korrespondent nga Besiana i gazetave “Epoka e re”, “Gazeta e re”, “24 orë” ,”Kosova sot”  etj.

Ndërsa si pjesëmarrës aktiv i luftës për liri, edhe njëri nga veteranët e nderuar të UÇK-së.

Krijimtaria letrare

Poeti Milazim Kadriu u bë simbol i një poezie të ndjeshme, me bazament të qëndrueshëm atdhetar, duke mos harruar vuajtjet nën okupim.

Për të kuptuar më mirë ndjesitë patriotike të poetit, po shkëpus me këtë rast, disa rreshta nga poezitë e tij, si; “Dikush duhej të vdiste” që i përkushtohen luftëtarit të atdheut, apo siç thotë poeti- trimit të Arbërisë, të cilit sipas tij edhe pas rënies për liri, armiqtë nuk arritën t`ia ndalnin buzëqeshjen:

-Dikush duhej të vdiste

*******************

-Në marshim drejt lirisë

-Plumbat që e morën

-S`ja ndalën buzëqeshjen trimit të Arbërisë”!

 

Poeti me të drejtë i gëzohet edhe fundit të durimit nën robëri, gjë që e shprehë tek poezia “Pritja”:

 

-Pritjes i erdhi fundi,
-pushoi heshtja,
-u ngjall shpresa!

 

Se ai kishte besim në ecjen e pareshtur për arritjen e lirisë, e thotë me bindje në poezinë “Ecëm pa u ndalë”:

 

-Nëpër terr, furtunë e rrufe
-kemi ecur pa ndalur,
-me shpresën se një ditë
-do ta shohim dritën

 

Gjë që e forcon edhe më tepër në vargjet e  poezisë “ Shihja”:

 

-Edhe pse ishte robëri

*****************

-Shihja ardhmërinë

****************

-Shihja lirinë!

 

Duke i dhënë epilogun heshtjes me  ri-ngjalljen e  shpresës, tek rreshtat e poezisë “Pritja”:

 

-Pritjes i erdhi fundi,
-pushoi heshtja,
-u ngjall shpresa!

 

Kështu që siç kemi rastin të shohim edhe në vargjet e mësipërme, ai poezinë e vet, përveçse e ngriti në stil të duplikuar apo edhe triptik të artit, kronikës dhe metaforës, asaj edhe në vargjet e krijimeve tjera, i veshi një kostum solid me ndjeshmëri të sforcuara poetiko-patriotike, si tek rreshtat e poezisë “Oxhaqet”:

 

-Shtëpitë u rrënuan

-Oxhaqet mbetën

-Tymi ngrihet lartë

****************

-Dëgjohet kënga e lirisë!

Pra për fund mund të themi se këto janë rreshtat në të cilat bie në sy përpjekja domethënëse për shpjegimin analogjik të autorit, se përkundër të gjitha peripecive, vrasjeve dhe dëmeve të luftës, ky ishte çmimi që shqiptarët u treguan të gatshëm të paguanin për çlirimin përfundimtar nga Serbia.

Ndërsa në poezinë “Ata që për liri u flijuan”, kushtuar dëshmorëve dhe heronjve të rënë për atdhe, poeti shprehet me krenari, se:

-Ata që për liri u flijuan
-Nuk vdiqën, pavdekësi fituan.

Pra ishin heronjtë dhe dëshmorët e kombit, ata që ranë në fushëbetejë, për ti bërë dritë atdheut të robëruar në ecjen e rrugës kombëtare dhe ngritur vetëdijen e shqiptarëve që për shumë kohë, kërkonin liri dhe çlirim nga okupimi serb.

 

Botimet kryesor të autorit:

“Lindi dielli” (poezi për fëmijë) viti 2000

“Biografi e shkurtër për dëshmorin Besnik Muharrem Restelica”, viti 2011

“Flakadani i lirisë” (50 autorë), viti 2012

“Tri shkronja” (poezi për fëmijë), viti 2014

“Uragani i lirisë” (20 autorë), viti 2017

“Refleksione letrare” , viti 2017

“Vështrime letrare”, 2017

“Monografi e shkollës së Llapiasit- (Kërpimëhut)”, viti 2018

Bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë”

 

Përveç krijimeve personale, Milazimi me poezitë e tij, u përfaqësua edhe në dhjetëra libra të krijuesve të tjerë, nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe kontribuoi edhe si redaktor, lektor e recensent i disa veprave të ndryshme letrare

 

Ndaj megjithëse është ligj i pandryshuar i natyrës, që pas një kohe të caktuar të shuhen edhe poetët dhe krijuesit, përkundër viteve dhe dekadave që do të kalojnë, vepra dhe kujtimi për të, e bëjnë të paharrueshëm autorin Milazim Kadriun edhe në amshim.

 

Gani Qarri

Zvicer

 

Please follow and like us: