Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që “të qartësojë qëndrimin e tij” sa i përket Bashkimit Evropian.
“Ajo çfarë është e sigurt është se ne i kemi disa paqartësi, sidomos kur shikojmë pozicionin e Trumpit në lidhje me Brexit-in (daljen e Britanisë nga BE-ja) dhe faktin që ai promovon një Brexit pa marrëveshje (me BE-në)”, tha Macron në një intervistë për gazetën New Yorker.
“Unë mendoj se ai duhet ta sqarojë qëndrimin e tij kundrejt Evropës”, tha Macron.
Intervista u realizua një muaj pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në të cilat partia e Macronit ka dalë e dyta në Francë, pas partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Penit.
“Ajo çfarë është e re në shkallë evropiane është se rritja e ekstremizmit, sidomos nga e djathta ekstreme, është kudo”, tha Macron kur u pyet për rezultatin.
Në një intervistë për NBC-në që u transmetua gjatë fundjavës, Trump u pyet në lidhje me përpjekjet e evropianëve për të mbajtur gjallë marrëveshjen bërthamore me Iranin, nga e cila Trump është tërhequr.
“Nuk më intereson për evropianët. Evropianët po bëjnë shumë para. Evropianët janë mirë”, tha Trump.
“Dhe, më lejoni t’ju them, ne jemi shumë të mirë me Evropën. Ne kujdesemi për të. NATO-ja shpenzon sasi të jashtëzakonshme, sasi joproporcionale. Sa i përket tregtisë, Bashkimi Evropian me të vërtetë ka përfituar prej nesh për një kohë të gjatë”, shtoi Trump.