Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut po u kërkon autoriteteve të Hong Kongut të “zhvillojnë konsultime në shkallë të gjerë, para se të miratojnë ose ndryshojnë” një projektligj ekstradimi ose “ndonjë legjislacion tjetër”, ndërsa vazhdojnë protestat në territorin autonom.

Duke folur në hapjen e një sesioni trejavor të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Michelle Bachelet gjithashtu tha se ajo po i vazhdon diskutimet me Kinën mbi disa çështje që lidhen me politikat e Pekinit, përfshirë lejimin e “aksesit të lirë” në rajonin perëndimor dhe çështje të tjera.

Vëzhguesit dhe aktivistët e OKB-së thonë se rreth një milion ujgurë etnikë dhe myslimanë të tjerë mbahen në qendrat e paraburgimit në Pekin. Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar Kinën për ngritjen e komplekseve të tilla, që Pekini i përshkruan si “qendra arsimimi”, që ndihmojnë për çrrënjosjen e ekstremizmit dhe aftësimin e njerëzve.

Protestuesit e Hong Kong bllokuan sot hyrjen në një ndërtesë qeveritare në Hong Kong për rreth dy orë dhe kanë në plan të zhvillojnë një demonstratë tjetër të mërkurën për të shtuar ndërgjegjësimin e udhëheqësve që do të marrin pjesë në takimin e G-20-ës këtë javë në Japoni.