Autori i këtij libri, Avdyl Uka, është një hero i gjallë i cili vendosi të shkruaj për dy dëshmorë të Atdheut – për Abaz dhe Isak Ibrahimin, dy kushërinj të cilët u bënë kurbane dhe u vendosën në themelet e Republikës së Kosovës.

Avdyl Uka është hero i cili sot jeton në mesin tonë, vepron bashkë me ne. Ne, bashkatdhetarët dhe bashkëkombësit e tij e ndiejmë veten me fat dhe jemi të nderuar që Avdyl Ukën e kemi në mesin tonë. Avdyli është hero për arsye se veproi heroikisht në ditët më të vështira për tërë Kosovën dhe shqiptarët duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjen e vet të trishtuar nga polici barbar serb. Kështu, ndjenja e atdhedashurisë të cilën gjithnjë e ka dhe e mban në gji, atë e ka nxitur që dy dëshmorëve, të bëmave të tyre, t´ua kushtojë këtë libër.

Libri ngërthen në vete shumë ngjarje, shumë detaje, shumë të dhëna interesante për dy dëshmorët e përmendur dhe për kohën kur ata kanë vepruar dhe janë flijuar. Janë dhënë edhe ilustrime të shumëta me fotografi origjinale për veprimet dhe njerëzit. Këto fakte e bëjnë librin interesant e tërheqës për lexuesin, por edhe të pasur me të dhëna të shumëta interesante.

Edhe unë vetë kam pasur rastin që të kem kontakte dhe njohuri për dëshmorët Abaz dhe Isak Ibrahimi. Në të vërtetë Isaku ishte i ri kur i ndihmonte në punë babait të vet – Fazliut në pompën e benzinës INA e cila ndodhej te Moteli i vetëm i atëhershëm në dalje të Mitrovicës – në drejtim të Zveçanit. Aty jo vetëm që unë furnizohesha me karburante, por unë aty e kisha një stacion të rëndësishëm ku ndalesha dhe gjithnjë bisedoja me babain e Isakut, Fazliun, për hallet që na i shkaktonte okupatori serb. Isaku dëgjonte çdo gjë me vëmendje, hynte në temat e bisedave dhe frymëzohej për të vepruar në çastin kur do t´i jepej rasti. Isaku e bëri këtë dhe ra dëshmor që mos të harrohet kurrë.

Autori Avdyl Uka pohon me krenari në libër se “Ata nuk vriten. Ata lindin”. Ndjenjën të cilën e ka dhe e shpreh autori e kanë pasur edhe shumë krijues të tjerë të cilët dëshmorëve u kanë thurur vargje të bukur, kanë realizuar këngë për ta dhe vepra të tjera artistike. Duke pasur qasje në një këto krijimtari, Avdyl Uka me këtë libër jep mesazhe: që të krijohen vepra për të merituarit e kombit dhe që dëshmorëve të Atdheut t´u jepet vendi i merituar edhe në krijimtari letrare, muzikore e artistike në përgjithësi. Në radhë të parë për hir të gjeneratave të ardhshme dhe që gjërat mos të harrohen.

Mendoj se autori ka arritur që bukur dhe me argumente të mjaftueshme e të forta t´ua prezantojë lexuesve dy dëshmorë të kombit të atillë çfare ishin në të vërtetë e të cilët në lulen e rinisë u vyshkën në mënyrë që gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të lulëzojnë dhe ta gëzojnë lirinë.

Si redaktor i këtij libri më duhet të shtoj se pata kënaqësi të merrem me këtë redaktim. Për mua ishte nder i madh që m´u dha rasti e mundësia ta jap një kontribut minimal në shërbimin për ndriçimin e figurave të merituara siç ishin dëshmorët Abaz e Isak Ibrahimi, si dhe vetë autori i këtij libri, heroi i gjallë Avdyl Uka.

Please follow and like us: