Chelsea ka mposhtur Arsenal 4-1 në finalen e Europa League. Një disfatë e rëndë për të besuarit e Unai Emery në derbin londinez.

Humbja është dyfish e rëndë pasi vitin tjetër Topçinjtë do të detyrohen të luajnë përsëri në Europa League pasi nuk kanë arritur të renditen mes katër më të mirëve në kampionat.

Chelsea e ka mbyllur sezonin një trofe të madh dhe tepër prestigjioz, por prapëseprapë pritet të ketë shumë ndryshime në klub këtë verë.

Pjesa e parë ishte e dobët, pa mundësi goli dhe për shumë minuta e mërzitshme.

Megjithatë, pas pushimit ndryshoi gjithçka dhe sidomos pas golit të Giroud loja u hap. Ai është lojtari i parë që shënon 11 gola në këtë kompeticion që pas Alan Shearer më 2005.

Pas tij ishte Perdo ai që dyfishoi rezultatin me një goditje të bukur brenda zonës. Spanjolli është lojtari i pestë që ka shënuar gol në finalen e Champions League dhe Europa League pas Simonsen, Crespo, Alanichev dhe Gerrard.

Eden Hazard trefishoi rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë përpara se Iwobi t’i jepte shpresa të tijve me një goditje të mrekullueshme nga distanca. Ai kishte vetëm 133 sekonda që kishte hyrë në fushë.

Megjithatë, Hazard ka shënuar golin e katërt dhe të qetësisë për The Blues pak minuta më vonë duke siguruar fitoren. Ai është lojtari i parë që shënon një kopetë në finalen e një kompeticioni madhor për një skuadër angleze që pas Mark Hughes në vitin 1991.