Nis një këngë bilbili, por kënga i del vaje,

Se kujton një trim, një trim sokol djalë,

Se  kujton me mall djalin e Kosturrit,

Azem Ali Meshin, shqiponjë në kreshta guri.

Drini ndal udhtimin, mban nji minut zi,

 Shqiponja krenare, po loton përmbi,

 Zogjtë e bjeshkës gjith` i presin lodrat,

Nderojnë djalin trim, që doli mbi kohnat..

Ahu e lisi n` breg, pyesin ku asht vllai ynë,

Se shtatin e drejtë e kishte diell kishte synin,

 Se kishte mjaltë fjalën, shkëmb kish betimin,

N` shërbim të Atdheut, nderoi amën-fisin.

Nderoi traditat, gjysherit e ma tej,

Amë prej Kastrioteve, gjakun kishte në deje,

Triumfoi mbi jetën, presekutacionin,

U ngjit shtegut dijes, ditet e bardha rrodhën.

Shëmbull në shërbim, ku e therriste detyra,

Ishte besnik- trim, me ndjenjat si pasqyra,

I dashur, i gjendur,  mik shokëve në krah,

 Malsori vigan, një lis a një ah..

N` betejë me krimin, frikë nuk kishte hiç,

 Një ditë qershori ra në Yzberish.

Viti i trazuar, 1999, bandat levrinin kudo në Tiranë,

Azem Ali Meshi, i pari ku detyra ishte e randë.

U këput një yll, oh ky yll burrë Hasi,

Dielli u nxi, qielli në lot plasi,

Mori vesh Malsia, gjama sikur motit,

Nderime trimit, si Deshmor i Kombit..

Sa herë vijnë qershorat, sa herë piqet qershia

Hasi kujton djalin, trimin Malesia,

Kombi bën apelin:- Azem Ali Meshi,

Këtu, thotë toka, këtu thotë qielli..

Në tokë la emrin, ndrin me krenarinë,

në qiell u kthye yll, yll i bukur me shkëlqim,

Rjedhin motet, ikin, kujtimi jo kurrë ,

Azem Ali Meshi rron shqiponjë në flamur!

Fier, 15 maj 2019