I gjithë libri poetik i Sulejman Didës “Hanë e pakryeme” është një kuvendim shpirtëror i pashoq i poetit me hanën. Hana është personifikur si rrallë në ndonjë libër tjetër poetik, edhe pse asaj i është kënduar qysh pa lindur shkrimi. Hana ka qenë një kult i lashtë, simbol adhurimi, kurse poeti e ka sjellë në kohë moderne si një muzë femërore. Ciklin e gjatë prej 46 poezish kushtuar hanës, që është një poemë më vete, autori e ka vendosur në qendër të vëllimit të tij të ri poetik, që vjen njëzet vite pas të parit, njëlloj siç hëna e plotë qendron në “mes” të qiellit. Pararend një cilëk poetik mjaft origjinal me poezi si “Qershigla”, “Qysh me ia kthye shpinën lumit”, “Fisi im”, “A ka me dalë vera sivjet”, “Gjunjët” etj., ndër lirikat më të spikatura të librit. Edhe pse poeti luan me imazhin e bimës së qershiglës, njërit prej margaritarëve të bjeshkëve tona, ai në të vërtetë i drejtohet femrës, kur shkrun se qërshigla është “E imtë, rrezatuese si qërpik i vashës”. Kjo ide përvijohet edhe më shumë me vargun tjetër “E prite borën me durim prej femre”. Një unitet artistik “plot magji” i bimës që poeti e pagëzon “princëshë e stinës” dhe gruas, natyrës, bjeshkës. Kjo poezi tregon aftësinë e poetit për të shpirtëzuar një bimë delikate, që e shohin vetëm sytë e së bukurës.
Por Dida nuk është vetëm poet i brishtësisë dhe dashurisë, ai është dhe poet i tronditjes së madhe, si në poezinë “Fisi im”. Duket se Pashko Vasa nuk ka mê së thirruri as pas një shekulli e gjysmë për fatin e Shqiprisë, veçse tash me gjuhë poetësh të tjerë pasardhës, si poeti i këtij libri, i cili shkruan:
ke qenë i vrullshëm si lumi, po, lum ke qenë
por të kanë nda në prroska, e po hup si loti n’ranë
vigan ke qenë dikur e ti s’po mundesh me ecë drejt në kambë,
rrokull po ban, hapa hapa gjymtyrpremi im i pashoq.
Aq vetvetja është poeti këtu, sa nuk bën më be në shenjat tradicionale, si kombi, atdheu, perëndia, por “pashë mue”. Jo se ato janë ç’besuar, përkundrazi, por duket se ai ka ndjerë se është zhvlerësuar njeriu në rrjedhat e kohës moderne, ndaj kërkon rikthimin te vlerat e tij unike. Është njeriu që e mishëron atdheun, kombin, besimin.
Përse i gjithë ky pezm i njeriut të kësaj kohe? Poeti na përgjigjet vetë diku në poemën e tij për “Hanën e pakryeme”:
nuk e njoh lumin që m’përkundi, m’dha me pi,
nuk e njoh malin që m’pat ba hije,
kangën e zogjve, erën e barit e kam harrue,
veten teme s’po e njoh ma.
Dida, si të ketë për busull Azem Shkrelin, nuk shkruan asnjë varg e fjalë pa qenë i frymëzuar e i menduar, çka ndjehet dhe në poezinë “OF, SHI”, një lirikë e mirëfilltë e stilit të romantizmit europian, por me vibrimet dhe drithërimët e shpirtit të vetë poetit shqiptar. “Dhe shpirti mu ba shi, /u derdh si rigë në maj”, shkruan ai.
Dashuria është e mbujtur së larti edhe në lirikën “Gjunjët”, që veç të tjerash dëshmon se lirikave të tilla të ndjera kurrë nuk iu ikën koha. Detaji është i thjeshtë, por qasja poetike është e veçantë. Mund të kenë shkruar dhe poetë të tjerë për erën që ngre fustanin e saj në ecje, por poeti e ka poetizuar këtë me elegancë dhe art, duke e qendisur me perin e vet:
O erë e shenjtë e kësaj stine
që m’fale pamje të magjisë,
preka gjunjët e Afërditës
me duert e fatnazisë.
Në një tjetër poezi dashurie poeti duke i kënduar pritjes krijon një figuracion të pazakontë poetik, e mbërthen në një “mur” dashurie lexuesin:
Ti nuk erdhe, ti s’u duke,
prej mallit u bana gur.
Sa si unë të kanë pritë,
së bashku bajmë nji mur.
Hana është bashkudhëtarja e tij sojnike, magjia, qoshja e universit ku ai vuan e dashuron, është hyjnorja dhe tokësorja. Tërheqja e hanës shënon vertikalitetin tokë-qiell tek poetika e tij. Është e habitshme, në pamje të parë, pse poeti nuk ka përzemër diellin, por hënën, të kundërtën e tij, dritëpaktën. Por vetëm në pamje të parë, pasi po të thellohesh, për poetin hëna përbën një zbulim, mbase për shkak të fshehtësisë së saj në qiell. Ajo shfaqet natën si një magjepsje. Poeti parapëlqen të identifikohet me hanën. Me hanën flirton jo vetëm Marsi, siç shkruan poeti, por dhe vetë ai, i këndellur në ndjesitë e saj. “Ti ke dalë prej qenies time” është vargu që vendos raportin e brendshëm me krijesën e tij të dashurisë.
Me hanën poeti i ka dhënë dashurisë një përmasë kozmike, edhe pse ajo është aq tokësore sa mjafton një çast që hanën si simbol qiellor ta zëvendësosh me emrin e vashës që ke dashur në jetë e prej asaj dashurie rron e s’shuhesh. Jo rastësisht i drejtohet Hanës si femrës së dashuruar:
Trupi im hyn në ty
e del i përtrimë.
Kurrë ma të hijshme s’të kam pa,
e hovshme, e dritshme
e hirshme me gjinjtë shpërthyes,
apo:
knojnë gjithë natën sonetin e dashunisë
kur mali puthet n’ekstazë me hanën.
Përftyrimi i tij arrin larg kur shkruan:
në lojën me hanën dhia e egër
kcente nga shpati në shpat
e kaprolli trazonte yjet me brina…
Poeti i është dorëzuar hanës me të gjithë qenien e tij lirike:
e pa ty jam një lis i djegun
ku zogjtë nuk bëjnë fole.
Në shpalimin e hireve të hanës ka aty këtu stil eposi:
se pa ty dita s’po din me dalë

bari i tokës s’po din me u zgjue,

shiu teposhtë s’po din me ra.
Ndodh kështu, pasi, në perceptimin e tij, hana është “lot prej drite”, shenja ime e fuqisë”, “valë e përqëndrueme e dashunisë” etj.
Befasues shfaqet poeti me vargjet:
Me drapnin e hanës
ferrat e udhës do t’i pres,
e me diell do të rris
frutin e mëkatit.
Vëllimi poetik “Hanë e pakryeme” përshkohet nga një feminilitet artistik, që përvijohet në gjithë shtratin e tij, në poezi dashurie të drejpërdrejta ose jo, shkruar me art dhe ndjeshmëri, që e bëjnë të mirëseardhur këtë libër të ri poetik të këtij poeti, i cili lëvron një shqipe të kulluar, të dalë prej muzës së bjeshkëve tona, si ai mjalti i bletës që kullon nga shkrepat e lartë të shqipeve… mbi letrën e bardhë.
Poezia e Sulejman Didës është shkruar në një gegnishte të ëmbël të trevave verilindore, më saktë mbështetur dukshëm në të folmen e Lumës, nga është vetë autori. Mendojmë se poeti, përpos poezisë së tij të levruar me ndjeshmëri të thellë, ka sjellë si një pasuri dhe koloritin gjuhësor të atyre anëve. Ky poet që matet shumë e shkruan rrallë, ia ka dalë të ketë një qasje të vetën ndaj gjithçkaje: bimës, lumit, qytetit, dashurisë, hanës, fisit, detit, njeriut, rrugës, stinës etj. Ai gjithnjë flet nga brenda vetes dhe jo sipas filozofisë së të tjerëve, estetëve, poetëve. Është e qartë që atij i intereson ajo që nuk është thënë. Në këtë kontekst ky vëllim poetik është një shpallje e re e lirikës së tij, përmes një figuracioni artistik me të vërtetë origjinal.

Janar 2019