Nga Isa Maloku
Më 10 prill 2019, në Zhegër të Gjilanit, fondacioni “Idriz Seferi” nën drejtimin e Prof. Dr.Sabri Kadriut dhe në bashkëpunim me Këshillin vendor, (Shemsedin Elezi, Rrahman Agushi, Shabi Isufi, Bajram Kadriu, shkrimtari i mirënjohur Ibrahim Kadriu etj), kishte organizuar takim konsultativ rreth idesë së ndërtimit “Gdhendje në shkëmb” të figurës së heroit kombëtar Idriz Seferi (1847 – 1927), në Shkëmbinjtë gjigant të Grykës së Kaçanikut (monument i vetëm i këtij lloji, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë).
Në takim kishte të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare, ku një pjesë e konsiderueshme ju kishte përgjigjur ftesës. Në mesin e shumë të pranishmëve ndër të tjerë merrnin pjesë; ambasadori i Republikës së Shqipërisë Zotri Qemal Minxhozi, zëvendës kryetari i Kaçanikut Z. Ylber Bajra, kryetari i Preshevës Z. Shqiprim Arifi, drejtori i Shtëpisë së Kulturës së Gjilanit Z. Edi Emini, Ara Gjergji, Elida Jorgani, Rrustem Berisha, Enver Boletini, Isa Maloku e shumë të tjerë.
Ideja mori përkrahje të gjerë jo vetëm nga ideatorët, por edhe nga Komunat e Kaçanikut, Preshevës, Gjilanit dhe populli vendas, të cilët ndjeheshin krenarë për veprën madhore të heroit Idriz Seferi dhe kryeveprën gjigante që do ti kushtohej asaj figure madhore të kombit shqiptar. Pas takimit, të pranishmit bënë homazhe të varri i heroit Idriz Seferit, të varri i vajzës së tij Habibe Idriz Seferi (Ramushi), e vrarë gjatë luftës së fundit nga hordhitë serbe me plumb në gojë në shenjë hakmarrjeje, në moshën 90 vjeçare. Homazhe u bënë edhe pranë lapidarit “Martirët e Llashticës 1912 – 1945.