Skena politike në Kosovë tash e disa kohë i është nënshtruar një ndryshimi të madh në përbërje.

Dy partitë më të mëdha tradicionale në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë filluar zgjedhjet e tyre të brendshme dhe po reformohen.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, pasi një pjesë e saj u shkëput duke formuar një parti të re, Partinë Socialdemokrate, duket se angazhimin e tyre do ta shtojnë jo vetëm brenda, por edhe jashtë Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do të hapë qendrën e saj në Shqipëri dhe kjo është bërë e ditur nga zyrtarë të partisë.

E në lidhje me këto ndryshime dhe angazhime të Lëvizjes Vetëvendosje, lajmi.net ka realizuar një intervistë me studiuesin e filozofisë dhe njohësin e rrethanave e proceseve politike, Ridvan Emini.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën:

Lajmi.net: A ju duket se opozitarizmi që po promovon LVV ka ekuivalenca me popullizmin e majtë që po ndodh në rrafshin ndërkombëtar?

Ridvan Emini: Lëvizja Vetëvendosje nuk bënë përjashtim nga trendet e majta ngase bazamentin ideo-politik e ka të sendërtuar përbrenda premisave populliste. Vetëvendosje konsideroj se është një pasqyrë e bathizmit të Lindjes së Mesme, pra, në vete ngërthen pan-shqiptarizmin dhe socializmin apo thënë në gjuhën e historisë së partive politike miksin marksisto-leninist, sepse të gjitha partitë marksisto-leniniste kanë mëtuar të kenë një kombinim të tillë edhe kjo në kontekstin kohor mund të përkthehet si popullizëm i majtë. Majtizmi i Lëvizjes Vetëvendosje të ngjanë me trendet e reja populliste që e bënë atë sterile në zgjedhjen e problemeve reale ku më tepër kemi parulla se sa politika publike që do të zgjidhnin problemet socio-ekonomike të shoqërisë. Marshimin popullist sidomos në Evropë e ka forcuar kriza e partive të qendrës të cilat kanë penetruar përbrenda demokracisë liberale. Nga e njëjta gjë është duke përfituar edhe Lëvizja Vetëvendosje, sepse në vendin tonë kemi krizë të partive të qendrës, kjo ka krijuar një teren të pëlleshëm për popullizmin ku me parulla që të ngjajnë me partitë e ekstremit të majtë të viteve të ’60-ta, e kjo nënkupton ‘kauzat e mëdha’ do të zgjidhen problemet reale të shoqërisë. Tundimi i shpirtit të projektit Evropa gjithmonë i ngjall fantazmagorit populliste dhe nga kjo nuk është e përjashtuar as Kosova.

Lajmi.net: Pse LVV sipas jush ka ngjashmëri me bathizmin arab?

Ridvan Emini: Duke qenë konsistent në ligjërimin që parashtrova më lartë, po thuajse të gjitha partitë e Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine janë brymosur përbrenda një sintagme që quhet ‘anti-imperializëm’. Por, zhvillimi i këtyre shteteve është i ndryshëm me kontekstin tonë sepse intervenimi i NATO-së është bërë për ta parandaluar makinerinë anti-humane të Millosheviqit ani pse ideologët majtistë duke e përfshirë filozofin Alain Badiou e kanë shpallur Millosheviqin hero të anti-imperializmit. Pra, më poshtë unë do t’i parashtroj disa ekuivalenca ideo-politike edhe praktike mes bathizmit dhe Vetëvendosjes.

Partia Ba’ath socialiste arabe, është një ‘rilindje’ apo ‘ringjallje’ dhe ka për ideologji nacionalizmin arab, pan-arabizmin, dhe i përfaqëson socialistët arabë të cilët kishin dhe kanë për qëllim luftimin e interesave anti-imperialiste. Partia Ba’ath socialiste arabe kërkesë dhe synim të saj ka bashkimin e botës arabe në një shtet të vetëm. Motoja kryesore e tyre është, “Uniteti, Liria, Socializmi”, i referohet unitetit arab dhe lirisë nga kontrolli dhe ndërhyrja jo-arabe. Viza-vi këtyre premisave të cekura më lartë është edhe boshti politik i ideologjisë së Vetëvendosjes e cila me parullën ‘Jo negociata, Vetëvendosje’, ka promovuar të njëjtin dell ideologjik që nënkupton në aspektin politik bashkimin kombëtarë që është unitet i shqiptarëve dhe lirinë nga kontrolli i huaj duke i quajtur organizatat ndërkombëtare si kolonialiste dhe intervencioniste në punët e brendshme të shtetit të Kosovës. Një ekuivalent tjetër në rrafshin ekonomik është pikërisht kritika ndaj privatizimit si proces dhe si koncept që korrespondon me boshtin socialist bathist, pra një autonomi thuajse utopike në vendimmarrje ekonomike dhe të resurseve. Ekuivalenca të tjera mund t’i gjejmë edhe në partitë e tjera ose lëvizje të tjera të të njëjtit tabor, por për korrektesë ndaj lexuesve tuaj do ta përmbyllja me kaq. Përndryshe, zhvillimi i të gjitha partive të këtij tabori përbrenda real-politikës i ka ecejaket e njëjta.

Lajmi.net: A mendoni se ligjërimi i PSD-së ndryshon nga ai i LVV-së apo ndoshta diskursi opozitar i  PSD-së mund ta ‘reformoj’ LVV-në?

Ridvan Emini: Ndarja e Lëvizja Vetëvendosje në dy pjesë, pra, në LVV dhe PSD konsideroj se përveç interesave të tjera për pushtet të brendshëm në parti ka ndodh edhe për çështje ideologjike, ku të mbeturit në LVV nuk dëshironin të reformoheshin në asnjë drejtim, përfshi edhe diskursin e tyre. Të dalurit e më hershëm apo edhe të përjashtuarit nën stigmën si agjent të shërbimeve të huaja, si kolaboracionist, si imperialistë etj., por, edhe të fundit (PSD) ishin për ndryshime, pra të bëheshin më të hapur si në raport me simbolet e shtetit, por edhe në raport me partitë e tjera politike, që ta nxjerrin LVV-në nga ngrehina e ekstremit të majtë. PSD konsideroj se së paku ka filluar t’i ‘nënshtrohen’ simbolikave shtetërore (flamurit dhe himnit) por edhe të jetë më kooperuese me partitë e tjera si shembull mund të marrim pjesëmarrjen e tyre në delegacion shtetëror për bisedime me Serbinë. Pra, nëse kthehemi në retrospektiv shohim se të njëjtit ishin pas sloganit “Jo negociata, Vetëvendosje”, tani janë në tavolinën e bisedimeve. Ky kapërcim i tyre, mendoj se duhet të jetë një shembull i mirë për Vetëvendosjen, por nuk mund të themi se PSD ka largime esenciale nga LVV, pra, unë i shoh shumë afër njëra-tjetrës dhe në një të ardhme mund të jenë pjesë e ndonjë koalicioni për qeverisje sepse ngjizja ideologjike e të dy taboreve është e njëjtë.

Lajmi.net: A mendoni se LVV është dëmtuar nga ndarja dhe cilët mund të jenë hapat e saj në skenën politike?

Ridvan Emini: Lëvizja Vetëvendosje konsideroj se është dëmtuar shumë nga ndarja. Në zgjedhjet e fundit nacionale ajo arriti që të fitoj 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë ishte parti shumë e fuqishme opozitare dhe se qeveria e dalë nga ato zgjedhje vështirë se do të mbijetonte mbi një vit, sepse edhe partia tjetër opozitare LDK ishte mjaftë e fuqishme. Por, ndodhi ndarja e LVV-së dhe Qeveria mbijeton ende, madje si e tillë ka shtyrë tutje disa procese të mëdha si bie fjala transformimin e FSK-së në Ushtri. Vetëvendosje pas disa muajsh të ndarjes organizoi një protestë në mënyrë që në publik të mos vërehet dukshëm ndarja e saj. Për organizimin e saj ishte bërë një përpjekje maksimale e të gjitha degëve dhe të të gjithë anëtarëve të saj. Për të kompensuar humbjen po synon të bëhet akter edhe në vendet e tjera si në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi.

Lajmi.net: LVV do të hapë degët e saj në Shqipëri a pritet të jetë parti me të njëjtin aktivitet si në Kosovë edhe në Shqipëri?

Ridvan Emini: Vetëvendosje në Shqipëri duket se ka një flirt prej kohësh me LSI-në, partinë e Presidentit Ilir Meta por, së fundi duket se ka një largim me PS e kryeministrit Edi Rama dhe nga ana tjetër një përafrim me PD-në e Salih Berishës. Këto përafrime dhe distancime u panë më së miri kur Edi Rama nominoi ish anëtarin e LVV-së, Gent Cakaj për ministër të punëve të jashtme. Edhe Ramen edhe Cakajn i akuzuan për qëndrimet e tyre rreth sovranitetit të Kosovës. Madje, kjo parti arriti që të ndikonte tek presidenti dhe të mos dekretohet Cakaj për ministër. Këtë, LVV e pa si mundësi që të shtrihet në Shqipëri dhe të bëjë një ‘koalicion’ me PD-në e Salës, e cila thënë troq është një opozitë shumë e ‘lodhtë’, por që ka filluar të marr ‘mësimet’ e VV-së rreth formës së organizimit të protestave, pra ato të jenë të dhunëshme e që në esencë janë kundër frymës demokratike që promovon kjo parti.

Vetëvendosje mundësinë për tu shtrirë në Shqipëri e ka pasur prej kohësh, meqë shumë udhëheqës dhe ideolog të saj vijnë pikërisht nga atje. Mendoj se prej vitesh e ka testuar terrenin politik në Shqipëri, kjo është parë më së miri në protestat e studentëve. Njëri nga ideologët e kësaj partie Hysamedin Feraj ka bërë publike se LVV ka aplikuar në organet kompetente për regjistrimin e Qendrës së LVV-së në Shqipëri. Andaj, pas disa kohe mund edhe të operoj si parti politike atje.

Lajmi.net: Përveç Shqipërisë, a e shihni të ndodhë hapja e Qendrave të LVV-së në Maqedoni dhe Mal të Zi?

Ridvan Emini: Mund të themi se po. Në Maqedoninë e Veriut para pak ditësh është parë Albin Kurti me një pjesë të ekipës së tij në fushatën për president të Blerim Rekës. Mbështetja e kandidaturës së z.Reka nga ana e VV-së konsideroj se është duke ndodhur për marketing politik jo të z.Reka por, të vetë VV-së, sepse pozicionimi është në krahun e Partisë Besa dhe Aleancës Shqiptare e rrjedhimisht kundër BDI-së së Ali Ahmetit, i cili për ta shihet si i afërm me PDK-në dhe partitë e tjera që udhëhiqen nga ish liderët e UÇK-së. Ndërsa në Mal të Zi, nuk e shoh si problem shtrirjen meqë Albin Kurti e ka prejardhjen nga atje dhe po ashtu, në kryesinë e partisë ka njerëz të fuqishëm të Malësisë të cilët kanë ndikim të jashtëzakonshëm atje. Thënë shkurt, hapja e qendrave në këto shtete është një efekt domino, por efekti i njëjtë mund të ndodh në rast të shkëputjes të këtyre qendrave nga Vetëvendosje me seli në Prishtinë.

Lajmi.net: Por, pse gjithë këto veprime të LVV-së në regjion pikërisht tani?

Ridvan Emini: Ndarja e partisë në fund vitin 2017 në kulmin e rritjes së saj, në opinion e ka humbur shpresën që në Kosovë kjo parti të mund të bëjë diçka, andaj prapa zgjerimit në vendet e tjera tregon krizën organizative që kjo lëvizje është duke e kaluar. /Lajmi.net/ 

Please follow and like us: