-Intervistë me ing. elektroenergjitik Bardhok Rajtën, bashkautorin e projekteve të rreth 70    projekteve të HEC-eve kudo në Shqipëri dhënë publicistit e studiuesit Nikollë Loka.-

Pyetje: Ing. Bardhok Rajta, si specialist në ekonomi si i prite reformat që nisën në vitin 1990 dhe kur e mendove veten në një sipërmarrje private. Si erdhi puna që të punësohesh specialist në kompaninë  “Lura“, a mund të na tregosh për fillimet tuaja në këtë sipërmarrje private?

Përgjigje: Sikurse dihet, kanë kaluar gati 30 vite nga fillimi i tranzicionit. Ishte koha kur gjendja në Shqipëri, në të gjitha sferat e jetës, kishte një rrëshqitje drejt negativitetit deri në mungesen e gjërave që përbënin ushqimin e përditshëm, duke e kthyer gjendjen në të mjerueshme kudo por sidomos në fshat. Forca politike që udhëhiqte vendin, Partia e Punës Shqipërisë mundohejprej disa dhjetëvjeçarësh dhe, sidomos pas shkëputjes përfundimtare nga Kina që, vetëm me propagandë dhe terrorin politik e psikologjik, të mbante vendin dhe njerëzit nën kontroll.

Kur kjo ishte e pamundur, u kalua në farsën e gjoja reformave të udhëhequra nga Ramiz Alia që ishin përpjekje për të zgjatur jetën e sistemit që ishte instaluar në Shqipëri.

Duke qenë në pozicione shtetërore drejtuese në rreth dhe duke patur kontakte të përditëshme me Ministrinë përkatëse, por edhe me të gjitha Ministritë e tjera dhe deri me Kryeministrinë; ne po e njihnim përditë e më mirë gjendjen e rëndë të jetesës së vendit dhe po e kuptonim se kështu nuk mund të vazhdonte. Kjo gjendje, siç dihet solli që në fundvitin 1990 vendi ynë të përfshihej në vorbullën e ndryshimeve dhe transformimeve, në të quajturin tranzicion, që për fatin tonë të keq u stërzgjat e vazhdon dhe në ditët e sotme, tregues i veprimtarisë së papërgjegjëshme të forcave politike në këto vite tranzicioni që vranë ëndrrën e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si të gjithë Europa.

Natyrisht, edhe unë si shumica e shqiptarëve, i prita me shumë shpresë dhe këto ndryshime, që jo vetëm e ardhmja e fëmijëve tanë do të ishte e sigurtë, por edhe në pjesën tonë të jetës do të ndërtonim dhe gëzonim, në varësi të përpjekjeve dhe punës së gjithsecilit.

Ndërkohë ekonomia e tregut të lirë e shpërthyer nga ato pranga, që e kishin ndrydhur gjithë jetën e këtij vendi për rreth 45 vjet, filloi të zbatohej në çdo fushë të jetës ekonomiko-shoqërore.

Edhe në mendimet e mia po vlonte mendimi se çfarë duhej bërë në kushtet e reja të zhvillimeve ekonomike, sidomos në fushën e hidroenergjetikës, ku kisha një përvojë të gjatë si specialist.

Në atë periudhë të mungesave të mëdha, ende nuk ishte konsoliduar as baza ligjore e sipërmarrjes private, problem i pronësisë që vazhdon ende etj, megjithatë, njerëzit vizionarë ecën me kohën dhe u përfshinë me guxim në këtë rrugë të re për ne, që kishte dhënë rezultate në të gjithë botën demokratike, në SHBA, Europë etj. Të tillë u bënë që në vitet e para të ndryshimeve demokratike bijtë e Lurës; pinjollët e Doçit të Lurës, të katër djemtë e Llesh Zef Doçit të cilët, të mbledhur në Tiranë nën drejtimin e vëllait të tyre të madh, Preng Doçit dhe me drejtimin profesional e ligjor të inxhinierit hidroteknik Dod Doçi, të sprovuar në veprat hidroenergjitike: në Fierze, Koman dhe Banje, themeluan në fillim të vitit 1993 kompaninë e ndërtimit “Lura”.

Puna u fillua me gjëra të vogla, plotësimin në fushën e ndërtimit të nevojave urgjente, me rikonstruksione ambientesh gatimi dhe nyjesh hidrosanitare nëpër familje, të kryera në ndërtimet egzistuese, duke sjellë ndryshimet e para në mënyrën e jetesës të familjeve shqiptare. Por, shumë shpejt, duke punuar si një ekip beteje, meqë puna po ecte me shpejtësi dhe frontet e punës po zgjeroheshin, u kalua në sipërmarrje më të mëdha, godina banimi me bashkëfinancim nga shteti dhe vetëkompania “Lura”, siç ishte ndërtimi i një godine banimi në rrugen “Islam Alla”, afër Drejtorisë së Policisë Tiranë, pastaj ndërtimi i godinës së Prokurorisë dhe Gjykatës, po me fonde shtetërore dhe, pas këtyre ndërtimesh, u kalua tërësisht në ndërtimet me financime nga kompania “Lura”.

Gjatë këtyre zhvillimeve nevojat diktuan jo vetëm zgjërimin e bazës materialo-teknike dhe të transportit, por edhe pajisjen me mjete ngritëse në lartësi si vinça-kulle ndërtimi; betoniere statike dhe të lëvizëshme; etj. Nga ana tjetër, u bë plotesimi i organikave me specialistë, të cilët do të përballonin projektet e reja dhe zbatimin e tyre. Në këto kushte, Ing. Dod Doçi u sugjeron vëllezërve të tij që unë të thirresha për të punuar në stafin e kompanise “Lura”.

Kjo kërkesë e bërë nga Doda, përveç nevojave të zgjerimit të kompanisë, kishte në themel të saj dashamirësinë ndaj meje nga vetë Doda dhe të gjithë djemtë e Llesh Zef Doçit, me të cilët ne si familje kishim lidhje të veçantë si familje dashamirëse ndaj njëra-tjetrës në Lurë dhe me lidhje gjaku nga dajët, tek Zogjajt në Selitë të Mirditës.

Me Preng Llesh Zefin unë kisha kaluar një jetë të tërë që në fillimet e shkollës 7- vjeçare në Peshkopi dhe në vazhdimësi kishim ruajtur lidhjet shoqërore. Me mbështetjen e vëllezërve Doçi, veçanërisht nga Doda, me 20 Nëntor 1994 solla familjen në Tiranë, në shtëpinë ku banjo edhe sot, në rrugën “Siri Kodra”, pas ish uzinës së vjetër “Dinamo” ose sot në kryqëzimin e rrugëve  “Mergim Cano” dhe “Ramazan Bogdani”.

Pyetje: Kompanisë Lura sot, nga themeluesit i mungon Prengë Doçi. Është me interes të ndani me lexuesit disa kujtime që keni në punën e përbashkët?

Përgjigje: Fatkeqesisht Preng Doçi nuk jeton më! Kanë kaluar dy vite që ai prehet atje ku do shkojmë të gjithë, i vendosur pranë babait të tij Llesh Zefit, në varrezat e Sharrës, atje ku gjendën dhe varret e prindërve të mi; kusheririt tim Nin Rajta dhe të afërmve të tjerë.

Prenga së pari i mungon familjes së tij, shoqes së pandarë të jetës, zonjës Leze, vajzes Teut e dhe djemve David dhe Ervin, nanës së shenjtë Dila e Llesh Zefit, që i ra të jetojë largimin nga kjo jetë të Gjetës dhe Prengës, dy djemve dhe bashkëshortit, si dhe vëllezërve Dodë, Gjon e Dedë e të tjerëve në familjen e saj.

Ndërsa, përsa i përket kompanisë “Lura”, unë mendoj se Prenga bashkë me Dodën dhe dy vëllezërit e tjerë ndërtuan prej 26 vitesh një emër të madh, duke ia shtuar nderin dhe krenarinë Doçit të Lurës, me njohje në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë krenare Lurën dhe Dibrën.

Lidhjen e tij me familjen, sidomos me trashëgimtarët e tij, Prenga e ka përjetësuar me kompaninë fituese të konçesionit të tre hidrocentraleve të Lurës me emrin “ERDAT”, që janë inicialet e emrave të tre fëmijëve të tij: Ervin, David dhe Teuta. Ndërsa përsa u përket kujtimeve të mia per Prengën ato nuk fillojnë me krijimin e kompanisë Lura. Jetën e përbashkët dhe lidhjen e pandarë ne i kemi që fëmijë, kur rrinim bashkë te dajët dhe pastaj në Peshkopi, në shkollën 7- vjecare “Demir Gashi”. Prenga filloi në Peshkopi klasën e pestë, ndërsa unë isha atje që në klasën e parë fillore, në vitin 1956.

Nga kjo kohë, kudo që kemi qenë, madje edhe kur jeta na ka përplasur në vende larg njëri-tjetrit, kurrë nuk i kemi shkëputur lidhjet, interesimin dhe kujdesin për njëri- tjetrin dhe familjet tona.

Më deshi mua pa masë, por për nanën time Marta, kusherirë e dytë e nanës së tij dhe Lek Zef Rajten kishte dashuri dhe respekt të veçantë.

Jehona e ndarjes së Prengës nga jeta para kohe u përcoll edhe në median e shkruar.

Prenga nuk e harroi kurrë kujdesin e tyre dhe kishte nostalgji për kohën kur ka qëndruar fëmijë  në Peshkopi dhe qëndronte shpesh te shtëpia ime.

Kur Prenga ishte larg me punë, nuk mund të ndodhte që Prenga të vinte në Peshkopi dhe mos të qëndronte të paktën një natë pranë familjes sonë, ku sillnim ndërmend  kujtime dhe shmalleshim. Duke u takuar shpesh me mua dhe familjen time, Prenga u bë i njohur dhe me miqtë e mi në Devoll e  me miqtë e rinj nga martesa e vajzës sime Elektra. Ai ishte në krye të ceremonive familjare, në gëzime dhe hidhërime në familjen time.

Në ceremoninë mortore të nanes sime Marta dhe babait Lekë, Prenga qëndroi pranë meje dhe familjes, si një nga njerëzit më të afërt, së bashku me vëllezërit e tij dhe gjithë punonjësit e kompanisë “Lura”.

Jeta dhe mardhëniet e mia me Preng Doçin nuk mund të  përfshihen në pak rrjeshta. Duhet një kohë për t’iu rikthyer me kujdes kujtesës. Prenga do të jetë kurdoherë në kujtesen time dhe më duket se bashkëbisedoj përditë me të. Më del parasysh sa herë takoj nanën dhe vëllezërit e tij dhe veçanërisht kur shkoj në Lurë, atje ku lindëm dhe hodhëm hapat e parë të jetës. Prengë na mungon shumë, më ke marrë gjysmën me vete o shpirtëmadhi fisnik i Doçit të Lurës!

Pyetje: Bardhok, folët për marrëdhëniet me pronarin dhe Presidentin e Kompanisë, zotin Dod Doçi. Ju e keni mbështetur Dodën, por edhe ai të është gjetur pranë në momente të vështira.

Përgjigje: Pronari dhe drejtuesi ligjor i kompanise “Lura” shpk zotni Dod Doçi eshte i treti djalë i Llesh Zef Doçit të Lures. U lind në Lurë në dhjetor të vitit 1956, ku kreu shkollën fillore dhe 8 -vjeçare me rezultate të shkëlqyera dhe për arsye të biografisë dhe vështirësive ekonomike që kishte krijuar sistemi i dështuar socialist, u detyrua që në moshën 14-vjeçare të shkonte me punë në hidrocentralin e Fierzës, duke vazhduar dhe përfunduar shkollën e mesme për teknik ndërtimi. Kreu dhe detyra të tjera deri në përgjegjës i laboratorit të hidrocentalit të Komanit. Ndërkohë kishte kryer edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Por, pavaresisht vështirësive që i kishte sjellë jeta, i formuar në një familje me karakter të pathyeshëm, Doda nuk i ndali kurrë përpjekjet për kompletimin e tij në fushën e dijeve. Dodën e kam njohur që kur ishte fëmijë, por fillimet e njohjes më të thellë me të u bënë kur ai do të shkonte në shkollen e lartë. Erdhi në Peshkopi dhe qëndroi në familjen tonë. Pashë tek ai një djalë të ri dhe të përkushtuar ndaj jetës, me uri, do të thoja, për shkollën. Kjo vinte nga ajo edukatë dhe dashuri për dijen që ia kishte brumosur në familje njëri ndër mësuesit e parë të Lurës, Llesh Zef Doçi.

Mbështetur në një porosi të dhënë nga Lleshi, sidomos për vështirësitë qeë mund të dilnim, unë së bashku me shefin e Seksionit të Arsimit në atë kohë, Beqir Shehu bëmë të mundur që Dodës ti dilte e drejta e studimit për inxhinieri ndërtimi, dega hidroteknike. (Jeta është e mbushur me të papritura, pasi Beqir Shehun në shkollë të lartë e kishte dërguar Llesh Zef Doçi, kur ishte kryetar lokaliteti në Sllovë).

Dua të theksoj se Doda e meritonte të shkonte në shkollë të lartë, si nga vlerësimet e punës, rezultatet që kishte në shkollë të mesme dhe sjellja e tij në shoqëri, punë e kudo.

E njoftova menjëherë Dodën sapo listat u shpallen publikisht. Ai u emocionua shumë, saqë gati nuk po e besonte kur u takuam në Lezhë, ku unë isha në plazh. Shko e shikoje vetëshpalljen në Peshkopi- i thashë. Kështu Doda realizoi një nga ëndrrat e tij më të mëdha për tu arsimuar, në nivelet dhe mundësitë që kishte vendi në ato vite.

Për të përfunduar studimet, atij iu desh shumë mund e sakrifica të mëdha. Kishte shumë vite shkëputje nga përfundimi i shkollës së mesme dhe i duhej të përfundonte studimet në një degë të vështirë, siç ishte dega hidroteknike e inxhinierisë së ndërtimit.

Kam qenë dëshmitar vetë disa herë kur te shtëpia e Prengës në Institut kalonim gjithë natën, duke bërë biseda të gjata në kohë dhe Doda vetëm na përshendeste e ngulej mbi libra gjithë natën.

Pas pëfundimit me sukses të shkollës së lartë, Doda tashmë inxhinier hidroteknik me përvojë në hidrocentralet Fierzë dhe Koman, filloi punën në hidrocentralin e Banjes duke u dalluar në detyrat që iu ngarkuan.

Gjatë viteve studentore, Doda ishte njohur me Alda Laçin dhe kishin një vajzë të vogël, Freden. Sa herë ai vinte në Dibër te miku i tij Abdulla Laçi, me të cilin unë kisha njohje të vjetër si komshinj, ne takoheshim dhe rrinim bashkë, duke diskutuar për ngjarjet që po ndodhnin gjatë lëvizjes demokratike për ndërrimin e sistemit në vendin tonë. Gjatë këtyre takimeve informoheshim mbi punet, hallet e problemet tona. Doda, tani një burrë i rrahur nga jeta dhe i kompletuar me dije profesionale, ishte në ballë të lëvizjeve për ndryshime demokratike në Tiranë dhe kudo në Shqipëri bashkë me vëllezërit Prengën, Gjonin dhe Deden, të cilët ishin mbledhur bashkë në Tiranë, qenë ndër të parët që iu futën punës private në biznesin e ndërtimit, duke krijuar bashkërisht kompaninë e ndërtimit “Lura” shpk, me drejtues ligjor z. Dod Doçi në fillim të vitit 1993.

Vazhduan së bashku si një ekip i organizuar mirë, me rritje të përditëshme në realizimin e volumeve të rëndësishme në fushën e ndërtimeve në Tiranë, Lezhë, Durrës dhe veçanërisht shkëlqyen me ndërtimet turistike në Gjirin e Lalëzit, duke u bërë pionerë të zhvillimit të turizmit bregdetar shqiptar. Vështirësitë që u dolën përpara dhe që u kapërcyen me shumë sukses treguan forcën e karakterit dhe cilësitë burrërore të derës nga kishin ardhur. Çdo ditë e çdo vit drejtimi i kompanisë vinte në rritje si në sasitë e punës që përballohej dhe në rritjen e cilësisë të punimeve në të gjitha fushat ku spikasin aftësitë e presidentit të kompanisë z. Dod Doçi dhe ekipi të krijuar prej tij. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë lartësohej emri i Dodës si një investitor shumë serioz dhe largpamës. Me punët e tij dhe të kompanisë “Lura”, Doda u kthye në një personalitet të biznesit shqiptar të fushës së ndërtimeve, veçanërisht atyre turistike bregdetare, me resortet turistike Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3 në Gjirin e Lalëzit që sot përfaqeson eliten e ndërtimeve në turizmin bregdetar.

                            Doda dhe Alda në Gjirin e Lalëzit

Doda ka pas mbështetjen e gruas së tij. Pas 20 vitesh punë të suksesshme, bashkeshortja e Dodës, Esmeralda Doçi që ka marrë përgjegjësi në ecurinë e punëve që po kryen kompania “Lura”. Tani, dy vajzat e Dodës dhe Esmeraldës, të shkolluara në shkollat më të mira europiane, po i bashkëngjiten gradualisht punëve të biznesit në kompaninë “Lura”, që një ditë të jenë në gjendje ta vazhdojnë  punën e nisur nga babai i tyre. Të gjitha kushtet i kanë dhe ato patjetër do ta vijojnë me sukses punën e babait dhe nënës së tyre.

Në të gjithë këtë aktivitet të shoqërisë Lura gjatë 25 vjetëve unë kam shkrirë të gjitha aftësitë dhe njohuritë e mia teknike, profesionale, organizative, me synimin për mbarëvajtjen e ecurisë së punëve dhe rritjen e shoqërisë “Lura”. Për shkak të detyrimeve që i kam caktuar vetes në këtë marrëdhënie, do të punoj me të gjitha forcat e mia. Por që gjërat të ecin duhet bashkëpunimi i dyanshëm. Dua të shprehem qartë se përkrahja dhe vlerësimi për mua dhe punën time ka qenë maksimal nga ana e Dodës dhe vëllezërve të tij. Nga ana tjetër, unë nuk kam kursyer forcat dhe energjitë e mia mendore dhe fizike, lidhjet dhe njohjet e mia për të ndihmuar në ecurine e punëve të kompanisë “Lura” dhe këtë kontribut nuk do ta ndërpres deri sa të jem gjallë.

E në të gjitha këto vite, unë kam marr etiketën si “ gjysh i kompanisë Lura”, jo vetëm për shkak të moshës dhe vjetërsisë në kompani, por edhe pse vërtetë jam gjysh me dy nipër të mrekullueshëm. Nga ana tjetër, Doda me ka cilësuar si “ Këshilltari im i përhershëm” në të gjitha rastet kur flitet për mua dhe punën time. Dod Doçi dhe familja e tij më është gjendur pranë për gjithçka në jetë, sidomos në fatkeqësi dhe vështirësi të mëdha, prandaj do t’i jem përjetsisht mirënjohës, unë dhe familja ime.

Një kontribut tjetër me shumë vlerë në kompaninë “Lura” ka ekipi drejtues. Unë do të thoja se marrëdhëniet në administratën e kompanisë “Lura” mund të jenë nga më të veçantat në të gjithë kompanitë që veprojnë në Shqipëri. Personeli inxhiniero-teknik, që nga projektuesit, inxhinierët e zbatimit, elektricistet, hidrauliket dhe punonjësit e transportit, pasi të marrin detyrat e tyre, nuk kanë nevojë tu rrish prapa, çdo ditë shkojnë tek punët e tyre dhe vetëm në rast nevojë kërkojnë ndihmën e pronarëve të kompanisë. Kjo mënyrë sjellje nuk ka ardhur për një ditë, por gradualisht, falë mirëkuptimit midis punonjësve dhe trajtimit njerëzor që i bën administratës Presidenti i kompanisë Dod Doçi, i cili ka qëndruar pranë çdo punonjësi për çdo rast e sidomos në halle e vështirësi. Doda ka ngeluar ai njeriu i thjeshtë, i dashur dhe i dhimbsur për njerëzit në nevojë. Kjo e ka lartësuar çdo ditë në sytë dhe mendjen e të gjithë atyre që kanë patur fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të. Do të përmend edhe faktin që në 25 vite veprimtari të kësaj Kompanie, asnjëherë nuk janë vonuar pagesat e punonjësve nga dita e caktuar. Unë jam dëshmitar i gjallë, kur në ndonjë situatë të vështirë financiare, që ndodh në çdo biznes, paratë janë marrë me interes dhe pagat janë shpërndarë në ditën e caktuar. Mund të permend edhe shembuj të tjerë nga shpirtëmadhësia e Dodës dhe kujdesi i tij për njerëzit në nevojë.

Pyetje: Lura ka përjetuar vështirësitë e rritjes. Si e gjete kompaninë Lura, sa specialistë dhe puntorë kishte? Na trego disa nga vështirësitë? Me rritjen e kompanisë, cila ishte detyra juaj? Na fol pak për administratën e kësaj kompanie dhe punën që bëni?

Përgjigje: Natyrisht si çdo sipërmarrje ekonomike në atë periudhë të vështirë tranzicioni, edhe shoqëria e re e sapokrijuar Lura, kur nisi aktivitetin ekonomik, në vitin 1993, kishte vështirësitë e saj të fillimit, të rritjes dhe zgjerimit, në bazë të ligjeve të ekonomisë së tregut, me një konkurencë që erdhi gjithnjë në rritje, ku për të ecur më tej vendoste kërkesë-oferta. Fillimisht u punua në fushën e ndërtimeve për godina banimi dhe pastaj në ndërtime të një cilësie më të lartë, në fushën e turizmit bregdetar.

Sot është vështirë të besohen ato që kujtojmë prej atyre ditëve, vështirësi për gjerat me elementare, sepse gjthçka ishte shkatërruar dhe jashtë çdo standarti. Në të njëjtin hall ishin të gjithë, që nga specialistët e thjeshtë e deri pronarët e kompanive, që u duhejt tu përgjigjeshin kërkesave të kohës me mjete dhe vegla pune, makineri e paisje në fushën e ndërtimit, mjete transportuese e ngritëse.

Duke qenë i angazhuar me detyra pranë kompanisë që nga fundi i vitit 1993, jam dëshmitar se Dod Doçi, si drejtuesi dhe përgjegjësi ligjor i kompanisë, me një inisiativë të rrallë dhe me guxim të çuditshëm, duke parë nga e ardhmja, projektoi ecurinë e  kompanise Lura dhe i realizoi të gjitha synimet që kishte në programet e kompanisë. Dhe natyrisht kjo nuk ka qenë aspak e lehtë. Vetëm fakti që kompania e zhvillon aktivitetin e saj në Tiranë, Durrës, Lezhë e deri në Shkodër, ku konkurrenca dhe kërkesat kanë qenë dhe janë maksimale, të paktën për në Shqipëri, tregon për standartet e larta me të cilat ne punojmë.

Rritja e volumeve të punës, zgjerimi nga viti në vit i aktivitetit, solli që nga një ekip i vogël në fillimet e veta që përbehej kryesisht nga vëllezërit Doçi dhe specialistë me të cilët ata kishin punuar në veprat energjitike si Fierzë, Koman dhe Banje, të angazhoheshin edhe specialistë të rinj në sektorë të ndryshëm të kompanisë, duke filluar nga hartimi i studimeve dhe projekt-zbatimeve që ishin baza për sigurimin e vazhdimësisë dhe ngritjes në nivele të reja dhe me të mëdha të punëve.

Doda rritej çdo ditë, si drejtues i aftë, duke ju përgjigjur çdo sfide që i dilte përpara dhe bashkë me të rritej në lartesi të reja kompania “Lura”. Një rëndësi të jashtëzakonshme në këtë proces rritje të pandërprerë kanë ekipet teknike. Doda ndërtoi ekipe shumë të afta profesionalisht dhe gjithnjë në përshtatje me nevojat e zhvillimit dhe zgjërimit të aktivitetit. Do të përmend disa prej specialistëve: Gezim Mukli, profesor në Universitetin Politeknik Tiranë, specialistin Sinan Çela, konstruktorin Selami Saraçi, që u pasuan pastaj nga të rinjtë që vazhdojnë akoma si konstruktori Redrit Baholli; arkitektet Blerta Foto dhe Dea Gora. Në periudha disavjeçare, në stafet e kompanisë Lura kanë punuar edhe10-15 inxhinierë ndërtimi, të cilët pas përfitimit të një përvoje të çmuar tekniko-organizative, për interesa të tyre kanë ngritur aktivitetin e tyre ose punojnë në institucione të rëndësishme: Drejtorinë e Përgjithëshme të Rrugëve; në drejtimin e urbanistikes në Bashkinë Kamëz, nëpër banka etj.

Në kompaninë Lura ka punonjës që janë që në fillimet e saj, si Zef Mark Doçi, që ka mbuluar përgjithësisht të gjitha punimet hidraulike; ekonomisti Agron Shatku; grupi i instalatoreve elektrike si Nebi Vladi dhe Riza Leka, ndër më të vjetrit punonjës të kompanisë etj.

Në rrugën e rritjes së kompanisë, Doda ka patur gjithnjë mbështetjen time në gjithë këto 25 vite, me të gjithë kapcitetet e mija intelektuale, tekniko-organizative. Ndoshta është momenti që në këtë intervistë, unë të shpjegohem hollësisht mbi atë marrëdhënie të ndërtuar në një çerek shekulli, direkt në punë të përbashkët. Unë asnjë ditë dhe për asnje moment nuk kam qëndruar me mendimin se kam një vend pune kur marr pagën dhe kaq. Jo, asnjëherë dhe për asnjë moment nuk e kam konsideruar veten si një i punësuar, përkundrazi kam ndjerë dhe ndjej në çdo çast përgjegjësinë, sikur të isha edhe unë pronar. Këtë ndjenjë përgjegjësie e kam patur dhe e kam të veçantë; sidomos kur pronarët ligjorë dhe faktikë të kompanisë, shpesh nuk ndodhen fizikisht pranë punëve të kompanisë. Në ato momente unë i dal për zot çdo problemi që del në kompani, me përgjegjësi të lartë dhe me gadishmëri për të përballuar çdo situatë. Këto qëndrime të miat i njeh Doda dhe Alda, si pronarët e kompanisë. Nga ana ime, jam munduar gjatë gjithë kohës që kjo frymë të futet te të gjithë punonjësit, dhe jo vetëm te stafi i kompanisë. Me dashamirësin e pronarëve, ne kemi luftuar dhe luftojmë çdo ditë që punonjësit e kompanisë “Lura” ta ndjenë veten bashkëpronarë ne këtë kompani. Fakti që punonjësve të rinj, si dhe të gjithëve atyre që kanë patur nevojë, kundrejt një marrëveshje të dyanëshme u është dhënë strehim në Gjirin e Lalëzit me kushte favorizuase është një dëshmi e qartë e solidaritetit dhe besimit të ndërsjelltë. Nga ana tjetër, nuk ka patur punonjës, të cilët nuk e kanë ndjerë dorën mbështetëse të kompanisë Lura në çdo hall që ata kanë patur.

Pyetje: Në punë e sipër je ndeshur me vështirësi. Na trego disa nga pengesat që ke kapërcyer dhe sukseset që ke arritur? Cilat janë arritjet tuaja më të mëdha në kuadrin e  kompanisë “Lura”?

Përgjigje: Natyrisht që në gjithë këtë përpjeke ndër vite nuk ka patur një rrugë të shtruar, pasi vështirësitë kanë qenë gjithnjë të pranishme, por stafi ynë ka diturt’i kapërcejë, duke hapur fronte të reja pune. As ne punonjesit e saj nuk e kemi patur fushë me lule punën, por na është dashur që t’i dalim në ballë me aftësi profesionale, me kurajo, për t’iu përgjigjur kërkesave gjithnjë në rritje të punëve si në sasi dhe cilësi, në marrëdhëniet dhe ballafaqimin me organizmat shtetërore të të gjitha niveleve deri në Këshillin e Ministrave dhe në përgjigje të kërkesave të klienteve që kompania jonë i ka jo vetëm nga Tirana dhe gjithë Shqipëria; por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, por edhe më përtej, me klientë nga çdo shtet i Europës e deri në Amerikë.

Në fillimet e veta kompania nuk i kishte mundësitë dhe kushtet e punës që kanë sot specialistët e fushës së projektimit dhe të zbatimit, që nga veglat dhe mjetet e punës. Në vitet e para, për projektim punohej me dorë dhe nëpër ato tavolinat e vizatimit teknik që ishin në traditen tonë të mëparëshme. Lëvizja e personelit kryesisht teknik nëpër frontet e punës brenda Tiranës, por edhe jashtë saj, bëhej me mjete të transportit publik, me linja urbane dhe interurbane. Fillimisht kishim probleme të komunikimit midis specialistëve të stafit, por pastaj u vendos sistemi i radiove për drejtuesit dhe personat më të domosdoshëm. Me të tilla probleme,  organizimi i punës nuk shkonte në nivelin e duhur dhe nuk jepej maksimumi në rezultatet e punës.

Me shumë intensitet, me një programim të qartë dhe planifikim të saktë, Doda bëri ndryshimet e menjëhershëme, duke kaluar në organizimin e plotë të byrosë projektuese dhe paisjen e saj, çdo ditë e më mirë, me mjete bashkëkohore si kompjutera, printera, plotera  etj., duke krijuar mundësitë që kompania të plotësonte me studime dhe projekt-preventiva nevojat e saj dhe të punonte edhe për të tretë. Prëmirësimi i kushteve të punës bëri që të arrijmë në nivele bashkëkohore të punës.

Me shtrirjen e objekteve të zbatimit në Durrës, Lezhë, Shkodër  dhe Lalëz lindi nevoja që të kishim komunikim me ndërlidhje telefonike celuare për punonjësit më të domosdoshëm. Po kështu u siguruan mjete transporti për personelin inxhiniero-teknik. Tani asgjë nuk mungon për mbarvajtejn e punëve. Vetë kompania është kthyer në një mekanizem në veprim në çdo kohë, ditën dhe natën, në të gjitha objektet e punës.

Përsa i përket punës dhe përpjekjeve të mia në kompani, më duket se kam të drejtë ta quaj edhe unë veten një ndër pjestarët e rëndësishëm të sukseseve që ka arritur kompania, jo vetëm për frontin e punës time si specialist elektroenergjitik, por veçanërisht për kontributin  që kam dhënë për përspektivën e punëve. Do ta quaja arritje përballimin e një situate jo të lehtë kur objektet në Gjirin e Lalëziti furnizonim nga rrjeti 10 kV nga nënstacioni i Manzes, një rrjet tërësisht i amortizuar dhe me probleme madhore si në cilësi, por veçanërisht në sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Gjendja u përmirësua kur na u krijua mundësia për lidhje në rrjetin TM 20kV nga nënstacioni Sallmone dhe tani, me ngritjen e nënstacionit te ri 110/20kV; 2x24MvA në Shkafanë që u inagurua para disa ditësh nga kryeministri Rama, nënstacion që e kemi kërkuar për 20 vjet në çdo studim tonin për zhvillimin e turizmit bregdetar, problemi më duket se është zgjidhur përfundimisht.

Pra, me investimet që po realizohen në infrastrukturë, është futur në rrugën përfundimtare zgjidhja e furnizimit me energji elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, pastrimi dhe largimi përfundimisht i derdhejes së ujrave të zeza në det, duke u përpunuar në impiante bashkëkohore.

Unë kam qenë dhe jam pjesëmarrës në të gjitha studimet që ka kryer dhe po kryen kompania jonë, si në  impiantin për sistemimin, përpunimin dhe eleminimin e shkarkimeve të ujrave të zeza në Gjirin e Lalëzit, furnizimin me ujësjellës të ri të Gjirit të Lalëzit dhe presim me padurim zgjidhjen e problemit të rrugës me 4 korsi nga aeroporti i Rinasit, që do ta kthente Gjirin e Lalëzit në atraksionin më të madh turistik dhe do të sillte vlerësime maksimale deri në me 5 yje, të objekteve në këtë zonë.

Një punë të rëndësishme kemi kryer me projektimin dhe zbatimin e rrjetave TU kabllore në resortet Lura 1; Lura2 dhe Lura 3, që së bashku me ndriçimin rrugor, janë të gjitha në tubacione dhe puseta në trotuare, së bashku me panelet shpërndarëse të fuqisë, duke eleminuar një herë e përgjithmonë rrjetin merimagë të furnizimeve ajrore me rrjeta  TU. Është siguruar instalimi i tre shërbimeve në një kabllo (TV-Internet-telefon) në resortet e Lura 1; Lura 2 dhe Lura 3 sipas standarteve të nivelit bashkëkohor. Po kështu është siguruar monitorimi, sinjalizimi dhe vëzhgimi dixhital i të gjithë ambienteve të banimit dhe të shërbimit në të tre resortet, që ka rritur ndjeshëm sigurinë dhe nivelin e shërbimit në ato nivele që kërkon koha sot.

Është siguruar ndriçimi rrugor, jo vetëm brenda ambienteve të banimit, por edhe në pjesët shëtitëse dhe ambientin ranor para resorteve, që i kanë dhënë hijeshi të madhe komplekseve turistike të gjithë Gjirit të Lalëzit. Atje bëhen aktivitete nga më të ndryshmet si ditëlindje, festa, përvjetore të shënuara, deri dhe dasma të personaliteteve të shquara. Në Gjirin e Lalzit janë bërë dhe po bëhen video-klipe të ndryshme nga artistë të gjitha fushave. Po kështu, pranë komplekeve Lura janë zhvilluar edhe gara sportive kombëtare e ndërkombëtare, koncerte artistike etj.

Investim 10 milionë euro në Gjirin e Lalzit, Ministrja Balluku inspekton kolektorin e ri

Pyetje: Na flit për kompaninë Lura sot? Cilat janë disa nga veprat më të rëndësishme të saj, që i janë shtuar vendit dhe qytetarëve? Cilat vepra janë në proces?

Përgjigje: Për pyetjen se çfarë është kompania “Lura” sot dhe veprat që i janë shtuar vendit, do të duhesh më shumë kohë dhe jo një intervistë si kjo që po jap unë, sepse veprimtaria dhe kontributi i shoqërisë “Lura” ka patur ndikim në zhvillimet ekonomike lokale dhe kombëtare, megjithatë në mënyrë shkurtimisht të përmbledhur po paraqes disa nga veprat kryesore të kompanisë Lura me materiale teknike si foto:

Resorti Lura 3 dhe Lura 2

Resorti Lura 2        

  Kompleksi tek rruga “Jordan Misja

Resortet Turistike Lura 1; Lura 2 dhe Lura 3 në Gjirin e Lalëzit.

 

Mësipër kemi paraqitur një pjesë të objekteve të realizuara nga kompania ndër vite dhe për to ekzistojnë dokumentacione të plota teknike, dokumente zyrtare të këtyre objekteve dhe marrdhëniet me shtetin, sipas ligjeve në fuqi. Ka kronika dhe albume fotografike pafund, akte -dorëzimi për shfrytëzim pranë bashkive ku ato janë ndërtuar. Ka objekte të tjera që konsiderohen ndihmëse të fushës së ndërtimit siç janë fabrikat e prodhimit të materialeve të ndërtimit për rërat dhe zhavorret e llojeve të ndryshme; pllakat e trotuareve dhe rrugëve etj.

Pyetje: Çfarë është kompania “Lura” për ty? Po për lurasit e tjerë që punojnë aty? Çilat kanë qenë përfitimet e Lurës dhe të lurasve nga kjo kompani?

Përgjigje: Pyetja juaj se çfarë është kompania Lura për mua nuk mund të marrë një përgjigje të shkurtër për shumë e shumë arsye. Së pari sepse është e përcaktuar nga marrëdhënia ime me këtë kompani që mban emrin e madh “LURA”. Besoj se është qartësisht e kuptuesheme se themelesuesit që i kanë vënë kompanisë emrin e madh Lura kane patur parasysh edhe përgjegjësinë që do të bartëte ky emer mbi vete. Do ta thoja pa drojë se për çdo luras, në veprimtarinë e saj 26 vjeçare, kompania Lura, në një farë mënyre përfaqëson krahinën e Lurës, por edhe Dibrën, pjesë e të cilës ne jemi. Këtë që thashë më sipër e kam të verifikuar dhe vërtetuar nga çdoi luras që ka punuar dhe vazhdon të punojë në këtë kompani.

Do ta thoja me plot gojen se përfaqësuesit e kompanisë “Lura” janë sot përfaqësuesit fisnikë dhe të denjë për ta përfaqësuar Lurën kudo dhe kurdoherë me dinjitet dhe krenari. Në këtë kompani, lurasit kanë patur gjithnjë një derë të hapur dhe bujare që ju është gjendur për çdo rast në nevojë. Përfitime kanë patur edhe banorë të tjerë. Pa dashur të shtoj asgjë jashtë të vërtetës, po u them se janë mbi 1000 ndërtime në këto 26 vite që me materiale si hekur, çimento dhe tulla ose me transport janë mbështetur nga ana e kompanisë Lura për njerëz në nevojë. Natyrisht që lurasit kanë qenë ndeër të parët.

Ndihma dhe mbështetjet nuk kanë munguar edhe në raste të sëmundjeve të rënda ose aksidenteve, vdekjeve aksidentale jo vetëm kur ngjarjet kanë ndodhur në familjet e punonjësve të kompanisë, por edhe për shumë e shumë njerëz në nevojë. Për të mos u zgjatur, vetëm Kisha e Shën Mërisë, e ndërtuar nga themelet e vjetra, duke hartuar, projektuar e zbatuar një objekt kishtar të mrekullueshëm u përballua në çdo gjë, që nga fillimi e deri te këmbana e porositur në Itali, nga Dod Doçi.

Kisha e Shën Mërisë Fushë- Lurë, dhuratë e z. Dod Llesh Doçi komunitetit Lurë

Jam edhe unë i nderuar që jam pjesë e kontributit si projektues dhe ndjekës i zbatimit të këtij objekti kishtar me vlerë të madhe për historinë dhe traditën e Lurës.

Pyetje: Po afroheni në përvjetorin e 70-të, megjithatë jeni ende aktiv dhe i vlefshëm për kompaninë “Lura”. Na flit pak për të ardhmen e kësaj kompanie dhe për planet tuaja në përbërje të saj?

Përgjigje: Po e vërtete, unë me datën 13 qërshor të këtij viti mbush plot 70 vjeç, por mendoj ta vazhdoj punën me të njëjtin ritëm, sikurse kam punuar deri tani, të paktën në sektorin e projektimit, sepse natyrisht në punën në terren, nuk mund të krahasohem më me 25-35 vjeçarët. Besoj se e gjithë ajo përvojë mbi 46 vjeçare e imja do t’u shërbejë zhvillimeve të reja të kompanisë Lura. Sapo kemi përfunduar studimet dhe kemi përgatitur dokumentacionin që është dorëzuar për miratim në Këshillin e Ministrave për të marrë lejet e zhvillimit në zbatim për resortet Lura 4 dhe Lura 5.

 Resorti turistik Lura 4 në Gjirin e Lalëzit

   

    Resorti turistik Lura 5 në Gjirin e Lalëzit

Krahas këtyre dy objekteve shumë të rëndësishme, të cilat do ta ngrinin numrin e apartamenteve vetëm në 5 resortet Lura në mbi 1500, shoqëruar me ambiente shërbimi: supermarkete, bar-restorante, kënde lojrash për fëmijë. Te resorti Lura 2 po ngrihen dhe në të ardhmen mendohet të marrin përparësi hotele me kushte speciale të nivelit me 5 yje. Në sezon pushimesh, në të pesë resortet e Lures do të bëhen rreth 10000 pushues, të cilët kërkojnë një përmirësim rrënjësor të shërbimeve të nevojshme sipas standarteve  botërore në shërbimin për turizmin. Mbetem me shpresën që jeta të na japë mundësinë e konkretizimit të këtyre investimeve, ku unë të jap kontributin tim të pakursyer deri sa të kem jetë.

Të gjithë këto investime kërkojne strategji të reja që kompania Lura i ka parashikuar. Pronarët e kompanisë Lura, bashkëshortët Dod dhe Alda Doçi i kanë shkolluar të dy vajzat në universitetet më të mira europiane pikërisht për këtë të ardhme. Ato vajza të kulturuara dhe me formim europian, me mbështetjen prindërore do te arrijnë suksesin e merituar.

Në mbyllje uroj dhe shpresoj që kompania “Lura” do vazhdojë rrugët e rritjes së pandërprerë dhe të sukseseve të mëtejshme. I uroj Dodës dhe Aldës që të rrojnë dhe gëzojnë së bashku me dy vajzat e tyre të mrekullueshme. U përjetësoftë emri i kompanisë “Lura”!