Një studim i “The Lancet”, arrin në përfundimin se të ushqyerit në mënyrë jo të shëndetshme është përgjegjës për më shumë vdekje në botë se duhanpirja.

Shqipëria është pjesë e 195 vendeve të marra në analizë nga studimi shkencor dhe rezulton të jetë më mirë se vendet e rajonit, por më keq se Europa perëndimore në këtë drejtim. Europa dhe Amerika e Veriut janë të veçuara nga pjesa tjetër e botës siç e ilustron dhe harta, çka tregon se mirëqenia është faktor kyç në dietën e shëndetshme. Vendet e varfëra kanë norma bindshëm më të larta vdekshmërie si pasojë e kequshqyerjes. Në indikatorin që i referohet vdekjeve nga ushqimi për 100 mijë banorë, të ndarë në 7 nivele, Shqipëria figuron në nivelin e 5-të, me ngjyrën e verdhë, ku vdekjet që lidhen me dietën ushqimore numërohen në 249 deri në 313 për çdo 100 mijë banorë. Kjo do të thotë se, mesatarisht, të ushqyerit keq në Shqipëri vret rreth 8000 njerëz në vit. Në një tjetër indikator, që i referohet barrës së sëmundjeve, pra viteve të humbura si pasojë e tyre, jo vetëm si pasojë e vdekje të parakohshme por edhe si pasojë e kohës së jetës në sëmundje, Shqipëria renditet po ashtu në nivelin e 5-të./SCAN