Gjatë viteve 1990-1999, qarqet sunduese serbomëdha kanë ushtruar një genocide të gjithanshëm, në kuadrin e të cilit shquhet ai terrorizues në të gjitha fushat. Me qëllim justifikimi të këtij genocidi e terrorizimi, qysh në vitin 1990 dhe në vazhdim, u ngritën në Beograd akuzat ndaj popullit shqiptar për “terrorist”, “kundërrevolucion”, “indoktrinim”, “irridentizëm”, “separatizëm”, etj. Praktikisht, të akuzuarit akuzonin. Policia dhe ushtria me tanke dhe me armë të rënda rrethojnë fshatra të Drenicës e të Llapit, të Gollakut e të Hasit. Ndaj Shqiptarëve të Kosovës u kryen krime jo vetëm lufte, por edhe krime kundër njerëzimit, u shkel Konventa Evropiane për të Drejtat e njeriut dhe jo vetëm. Dëbimin e shqiptarëve prej Kosove në vitin ‘99, do e jap në një konotacion gjithëpërfshirës, parë nga këndvështrimi i  gazetarit të mirënjohur Sulejman Dida.

Sulejman Dida, i cili aktualisht punon gazetar tek radio  Kukësi dhe korrespondenti Radio Televizionit Shqiptar, në librin e tij me titull: “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin ‘99” na sjell dëshimtë “gjalla” të vales së shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova drejtë Shqipërisë. Gazetari Dida me një kthjelltësi të admirueshme dhe me një vigjilencë të lartë, na risjell në vëmendje veprimet e Sllobodan Millosheviçit, i cili shfrytëzoi veprimet e UÇK-së si alibi për të bërë repression ndaj shqiptarëve të Kosovës, si dhe vrasje masive e spastrim etnik.

Presidenti Ibrahim Rugova, i cili e kuptoi lojën e tij, e ndërpreu dialogun e nisur në vitin 1998. Ndërkohë Millosheviçi përdori ushtrinë dhe armatimet e saj për të shpërngulur me force mijëra fshatarë e qytetarë të Kosovës, shumë prej të cilëve u fshehën nëpër pyje.Nën pretekstin se po luftonte terroristët, filloi bombardimin e fshatrave, djegiet (madje fjalët kërcënuese sipas disa refugjatëve që kishte intervistuar gazetari Dida ishin: «Dilni prej shpie se ju dogjëm të gjallë», vrasjet, duke detyruar mijëra kosovarë (shqiptarë të Kosovës) të largoheshin nga fshatrat e Llaushës, të Morinës, të Krushës, të Rekës së Keqe, të Deçanit, etj. U kryen masakrime të mëdha: si Masakrim i Krushës së Madhe, ku u vranë rreth 40 persona, sipas burimeve që gazetari Dida jep në librin e tij. Kemi gjithashtu Masakrimin e Godenit, si dhe Masakrimi i familjes Zeqiri nga Celina. (Dida: 2014, f. 103-106).

Represioni ushtarak serb arriti kulmin me Masakrën e Reçakut, në janar 1999, ku u vranë dhe u futën në një grope të përbashkët me dhjetëra veta.

  1. Dida jep të dhëna shumë të rëndësishme mbi refugjatët Kosovarë që kishin hyrë nga Pikëkalimi i Morinit, ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga forcat policore serbe. Kamiona e traktora të mbushur me burra, gra, pleqë e fëmijë që kapërcenin kufirin. Vendstrehimi i tyre i përkohshëm, sipas tij, ishte Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”. Madje tek shkallët e këtij pallati ishin akumuluar disa qindra njerëz të ulur tek shkallët e të mbuluar me batanie (Dida: 2014, f. 30). Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Akoma pa mbaruar java kishte ardhur edhe vala e dytë emigratore me 70 mijë njerëz. Qyteti i vogël i Kukësit që kishte më shumë se 20 mijë banorë, kishte strehuar pesëfishin e vetes për nga numri i njerëzve (Dida: 2014, f. 41).

Vargu i familjeve të dëbueme shtohej gjithnjë e më tepër duke mbushur jo vetëm Kukësin, por edhe rrugët dhe sheshet e qyteteve të tjera. Në këndvështrimin e gazetarit, shqiptarët e Kosovës kur kapërcenin kufirin, megjithëse ishin të rraskapitur, të torturuar, të pa ngopur, të çveshur e të zbathur, nga goja e tyre dëgjohej përshpëritja: «Shyqyr që preka lirinë, a jena të lirë në Shqipëri, nuk duam gjë tjetër. Fjalë të shoqëruara me brenga dhe me lotë në sy» (Dida: 2014, f. 61). Janë këto fjalë lapidare ku ma së miri tregohet gjendja e tyre, dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve të pafundme të tyre. Madje S. Dida kur e kishte pyetur një grue nga turma e tmerrume që rënkonin dhe ndjenin ankth e tmerr se çfarë po ndodhte me Prizrenin […] ajo ishte përgjigjur: «Tani që kapërceva kufirin, s’po muj me folë më […] më lini të ngopem me ajër lirie» (Dida: 2014, f. 64).

Problem tjetër që evidentohej në atë periudhë nuk ishte vetëm strehimi, por edhe ushqimi, medikamente dhe përkujdesja ndaj tyre. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë, ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontigjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna, etj). Qindra kamionë sillnin çdo ditë mijëra tonë miell e ushqime të ndryshme. Mjaft problematik kishte qenë edhe higjiena, por me shumë sforcë ata ja kishin dalë.

Problemi i Kosovës u zgjidh me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, ndonëse për mendimin tim ishte i vonuar në kohë. Rreth 1 milionë shqiptarë të Kosovës u detyruan të braktisin shtëpitë e të jetonin në kampe refugjatësh nëpër botë. Rreth 500 mijë u strehuan në Shqipëri. Për të ndaluar dhunën ushtarake e shtetërore ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre, më 24 mars filluan bombardimet e NATO-s në Kosovë, të cilat vazhduan për 78 ditë me rradhë. Më 12 qershor 1999 trupat e fundit ushtarake serbe u larguan nga Kosova dhe forcat e NATO-s u pritën në Kosovë si çlirimtarë. «Shqiptarëve të Kosovës, ëndërra e tyre u realizua. Për ta: “liria ishte kuptimi i parë dhe i fundit”» (Dida: 2014, f. 201).